Ndërlidhjet

KUSH ME KË DO TË HYJË NË KOALICION PAS ZGJEDHJEVE?


Albana Isufi

Subjektet politike që aktualisht kanë më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës, nuk parapëlqejnë, që para rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit, të deklarohen se më kë do të bënin koalicion qeverisës e kënd do ta përjashtonin. Përfaqësues të partisë më të madhe në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë se synojnë që ta formojnë vetë Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Megjithatë, varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se kjo parti nuk përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në opozitare apo aleaten aktuale, AAK-në. Miftari thotë se LDK-ja është e hapur me të gjitha partitë që ruajnë legjitimitetin e votës së qytetarit. “Në parim, ne gjithmonë presim rezultatet e zgjedhjeve, para se të përcaktohemi për koalicionet qeveritare. Mirëpo, për ne, secila parti që ruan legjitimitetin e votës në Kosovë, është parti me të cilën ne dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie të bashkëpunimit, në interes të qytetarit të Kosovës dhe këtu nuk përjashtohet natyrisht as PDK-ja. Ju e dini, ne kemi pasur një rezultat të madh pas zgjedhjeve të vitit 2004, kur kemi instaluar, për herë të parë në Kosovë, modelin e qeverisjes pozitë-opozitë”, tha Miftari. Një qëndrim bashkëpunues me të gjitha subjektet politike e paraqet edhe Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetari i saj, Hajredin Kuçi, duke mos cekur konkretisht se me kë do të preferonin ta bënin koalicionin qeverisës, thotë se kriter për të hyrë në koalicion do të jetë afria programore dhe politike me subjektet tjera politike. PDK-ja, sipas Kuçit, nuk do të mbajë qëndrim refuzues ndaj asnjë subjekti politik. “PDK-ja është e përgatitur që të udhëheqë me qeverisjen e ardhshme të Kosovës. Në kuptimin e saj, PDK-ja e ka ndërtuar filozofinë e vet politike mbi bazën e asaj që asnjë parti ose subjekt nuk është i refuzueshëm. Përkundrazi, ne do të shohim që të përafrohemi me ato parti, që jemi në gjendje t’i realizojmë pikat tona programore dhe njëkohësisht edhe kapacitetet intelektuale dhe politike që i kemi të dyja palët”, tha Kuçi. Aleatët e LDK-së në koalicionin qeverisës, zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se do të preferonin vazhdimin e këtij koalicioni edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës. Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se, megjithatë, është qëndrim i AAK-së që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet tjera politike. “Qëndrimi ynë është që ne kryesisht punojmë me të gjithë. Por, meqë kemi qenë në koalicion me LDK-në, ne tani veç kemi një përvojë me një partner në koalicion dhe do të ishte një përvojë që do të mund të shfrytëzohej në të ardhmen. Tani nuk kemi ndonjë preferencë të caktuar, megjithatë, afatgjate e shohim me partnerin e tanishëm në koalicion”, pohoi Syla. Në anën tjetër, partia opozitare Ora që tani ka vënë vijat e kuqe, të cilat në asnjë rast nuk do t’i shkelë. Zëdhënësi Ylli Hoxha thotë se Ora nuk hyn assesi në koalicion qeverisës me Aleancën Kosova e re dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë, të dy këto subjekte politike që garojnë për herë të parë në zgjedhje. “Ajo ku kemi rezerva është partia e zotit Pacolli dhe partia e zotit Daci, me të cilat nuk shohim një mundësi bashkëpunimi për sa i përket qeverisjes, për shkak të dallimeve konceptuale dhe orientuese. Konsiderojmë se partia e zotit Pacolli ka një përcaktim tjetër interesash, të cilat nuk përputhen me ne, siç konsiderojmë se zoti Daci e ka një të kaluar që ka dëshmuar një orientim tjetër, i cili nuk përkon me interesat e Kosovës, së paku sipas mendimit tonë”, u shpreh Hoxha. Por, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Dardanisë thonë se nuk kanë qëndrim refuzues ndaj asnjë subjekti politik, madje as me Lidhjen Demokratike të Kosovës, nga e cila janë ndarë në Kuvendin zgjedhor të LDK-së, vitin e kaluar. Zëdhënësi i LDD-së, Lulzim Zeneli, qëndrimin refuzues të Orës karshi LDD-së e sheh si të parëndësishëm. “Po, subjekti politik Ora është minor në skenën politike dhe ndikimi i këtij subjekti politik dihet sa ka qenë dhe sa mund të jetë karshi votës që ka rezultuar, qoftë në zgjedhjet e kaluara, qoftë në të ardhshmet. Prandaj, unë nuk e komentoj këtë deklaratë”, tha Zeneli. Aleanca Kosova e Re thotë se aktualisht nuk ka ndonjë parti të preferuar për koalicionin qeverisës. Zyrtarë të këtij subjekti të ri politik thonë se nuk do të synojnë vetëm arritjen e 50 përqindëshit të nevojshëm për Qeverinë, por kërkojnë që partneri i koalicionit të marrë pjesë nga programi i AKR-së. Kandidati për deputet i kësaj partie, Kreshnik Sylejmani, thotë se AKR-ja nuk ka qëndrim përjashtues ndaj asnjë partie, ndërkaq qëndrimin e Orës ndaj AKR-së e konsideron si jokorrekt. “Deklaratat e tilla nuk mendoj se janë politikisht korrekte dhe nuk i kontribuojnë klimës ndërpartiake. Por, mendoj se duhet të presim një ditë pas zgjedhjeve, në mënyrë që të dimë saktësisht se cila parti sa peshon dhe pas asaj të fillojmë të bisedojmë për koalicione të mundshme”, tha Sylejmani. Në anën tjetër, subjektet politike LDK e PDK, që deri më tani kanë fituar më së shumti vota, thonë se nuk kanë caktuar të ashtuquajturat vija të kuqe për subjektet politike, me të cilat assesi nuk do të qeverisnin. Që nga vendosja e administratës ndërkombëtare në Kosovë ka pasur dy qeveri, ajo e bashkëqeverisjes së gjerë mes LDK-së, PDK-së e AAK-së, e formuar në vitin 2002, dhe qeveria aktuale e koalicionit LDK-AAK, e formuar në vitin 2004. Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë të vetmet parti që gjatë fushatës zgjedhore kanë prezantuar liderët e tyre, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn, si kandidatë për kryeministër të ardhshëm të vendit.
XS
SM
MD
LG