Ndërlidhjet

logo-print

PETROVIQ:”NËSE PRISHTINA E BEOGRADI NUK MERREN VESH, PASON ZGJIDHJA E IMPONUAR NGA TRESHJA”


Sllobodan PETROVIQ, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, cilat janë pritjet e juaja nga zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe me çfarë ambiciesh hyni në këtë proces?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ajo që e karakterizon Partinë e Pavarur Liberale është se ajo ishte partia e parë serbe në Kosovë, e cila e tha qartë se do të marrë pjesë në zgjedhje. Tek e fundit, ne, fushatën tonë e kemi zhvilluar për dy vjet dhe mendojmë se për mbrojtjen e interesave të bashkësisë serbe, duhet të luftohet përmes institucioneve, përkatësisht përmes institucioneve të Kosovës. Gjithsesi, Partia e Pavarur Liberale është parti që del për herë të parë në zgjedhje dhe me këtë fakt, ne jemi optimistë të mëdhenj dhe presim rezultatin më të mirë të mundshëm. Këto zgjedhje sigurisht se do të jenë më masive, kur është në pyetje dalja e bashkësisë serbe në zgjedhje. Dhe, ajo që posaçërisht është më e rëndësishmja për ne, është se Partia e Pavarur Liberale është më e mira nga të gjitha partitë tjera, që janë paraqitur për këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të hyni në koalicione edhe me partitë politike shqiptare të Kosovës në procesin e formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ne, së pari, do të shohim se sa i kanë dhënë mbështetje njerëzit partisë sonë dhe varësisht nga kjo përkrahje, do të shohim se sa vende do t’i fitojmë në Parlament. Gjithsesi, për ne është e ditur që nëse duam të jemi pjesë e Qeverisë, patjetër që duhet të jemi në koalicion me ndonjë parti shqiptare, përkatësisht me atë që do të ketë fituar më së shumti vota nga komuniteti i saj dhe kjo është diçka reale. Por, sërish e them se varet nga votuesit që do ta mbështesin Partinë e Pavarur Liberale dhe varësisht nga kjo përkrahje, ne për aq do të kemi në Qeveri.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund të flasim edhe në lidhje me një temë tjetër, bëhet fjalë për statusin; cilat janë pritjet e juaja nga negociatat aktuale dhe çka në fakt mendoni se do të rezultojë nga ky proces pas 10 dhjetorit?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ju e dini se Partia e Pavarur Liberale është më e qarta dhe me e guximshmja kur është në pyetje statusi i Kosovës. Qëndrimi i Partisë së Pavarur Liberale për dy vjet, pra që nga themelimi i saj, është se kërkon që statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt, pasi që status-quo-ja është e paqëndrueshme. Dhe, ajo që ne e presim dhe që e kemi thënë qysh para dy vjetësh, është se ne u japim mbështetje të plotë ekipeve të Beogradit dhe Prishtinës, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët kompromisi, që në parim është zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e mira. Por, sidoqoftë, nëse nuk do të ketë zgjidhje të përbashkët ndërmjet Prishtinës e Beogradit, atëherë gjithsesi bashkësia ndërkombëtare do të jetë ajo që do ta sjellë vendimin. Por, në këtë rast, gjithsesi që zgjidhja do të jetë e imponuar, që në parim nuk do t’u përgjigjet as Prishtinës, e as Beogradit. Por, kjo padyshim që varet nga ekipet negociuese të Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht nga Treshja ndërmjetësuese që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Rusia. Ne, si parti politike, e kemi thënë se jemi të vetëdijshëm që nuk mund të kemi ndikim në vendimmarrjen për statusin e Kosovës, por ne kërkojmë që statusi i Kosovës të zgjidhet në interesin e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe gjithsesi kjo nënkupton që zgjidhja të mos jetë vetëm në interesin e njërës bashkësi etnike. Por, sidoqoftë, statusi i Kosovës për ne nuk është prioritet, për ne prioritet është jeta e përditshme. Filozofia jonë është që ne kemi njeriun si çështjen më të vlefshme, për të cilën ne angazhohemi.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët edhe mundësinë e mungesës së kompromisit, çka duket të jetë shumë reale. Mirëpo, pala kosovare e ka thënë qartë se nëse nuk ka kompromis, atëherë pas 10 dhjetorit do të deklarojë pavarësinë e Kosovës. Si e shihni ju këtë mesazh?

SLLOBODAN PETROVIQ
Unë mendoj se ky, në çdo rast, nuk do të ishte një vendim i guximshëm e i mençur dhe se brenda elitës politike shqiptare ka mjaft njerëz të mençur e të guximshëm dhe nuk besoj që këtë vendim ata do ta marrin vetëm me duart e veta dhe njëanshëm, pasi që një vendim i tillë do të ishte i qëndrueshëm vetëm nëse e ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Tash është fushata, tash janë edhe zgjedhjet, kështu që është e mundur që njerëzit prekin edhe diçka më shumë, sesa që në të vërtetë ekziston. Por, sidoqoftë, unë nuk do të doja që të merret ndonjë vendim, që do të kishte pasoja para së gjithash për qytetarët e Kosovës. Sidoqoftë, ky është mendimi im personal dhe mendoj se, megjithatë, do të mbizotërojë arsyeja dhe do të gjendet ndonjë zgjidhje, që do të përkrahet edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG