Ndërlidhjet

logo-print

MAJKO:”ZVARRITJET PAS 10 DHJETORIT E SHNDËRROJNË KOSOVËN NË KRIZË EVROPIANE”


Pandeli MAJKO, ish-kryeministër i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Majko, si e vlerësoni deri më tash procesin e negociatave për statusin e Kosovës, ndërkohë që ka mbetur edhe më pak se një muaj për afatin e përcaktuar më 10 dhjetor?

PANDELI MAJKO
Procesi i negociatave, në thelb, ka pasur vetëm një gjë të mirë, nëse mund të flasim me gjuhën jodiplomatike - faktin që ka treguar, në mënyrë të dukshme, se faktori ndërkombëtar mbetet i interesuar në nivel të konsiderueshëm sa i përket çështjes së Kosovës. Por, ana tjetër e medaljes së negociatave është një proces i zvarritjes, që rrezikon ta diskreditojë atë, me faktin se nëse pas 10 dhjetorit nga faktori ndërkombëtar nuk do të kemi një konkluzion të qartë sa i përket mënyrës se si do të procedohet çështja e Kosovës, atëherë, realisht, kjo do të jetë një krizë jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë; do ta bëjë Kosovën thjesht një çështje evropiane, siç është në të vërtetë, por edhe një krizë evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë vlerësimi keni për shpalljen e pavarësisë së njëanshme pas 10 dhjetorit, që është deklaruar nga lidershipi i Kosovës? Sa jeni optimist se do të njihet nga komuniteti ndërkombëtar?

PANDELI MAJKO
Deklarimi i institucioneve të Kosovës lidhur me këtë çështje, kam përshtypjen se ka të bëjë pikërisht me atë që sapo thashë, me faktin që institucionet e Kosovës e ndjejnë që duhet dalë përpara një krize, e cila në fakt nuk vjen nga Kosova, por vjen nga jashtë Kosovës, vjen nga mënyra se si mund të procedojnë konkluzionin e negociatave, duke i shtyrë ato pa mbarim. Do ta përsërisja një shprehje që më është dukur mjaft e goditur, që është thënë nga ministrja e Jashtme e Austrisë, që ‘Ballkanit nuk i nevojiten më konflikte të ngrira’. Mendoj se kjo është një shprehje e goditur për të treguar se çfarë mund të ndodhë pas 10 dhjetorit; shtrohet pyetja jo se çka do të ndodhë në Kosovë, jo se çfarë do të bëjnë kosovarët, por, në fakt, pyetja më e mprehtë është se ç’do të bëjë faktori ndërkombëtar, i cili, realisht, procesin e negociatave e ka filluar dhe të shpresojmë që do të përfundojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë autoriteti më i lartë politik i shqiptarëve në kohën e luftës në Kosovë - kryeministër i Shqipërisë. Cili është mesazhi juaj për skeptikët e pavarësisë?

PANDELI MAJKO
Unë nga natyra nuk jam skeptik. Mendoj se ne jemi duke ecur në një rrugë, e cila deri diku është e panjohur për historinë tonë. Historia jonë pavarësisht se është e mbushur me heronj, me këngë trimërie, në thelb ne duhet ta pranojmë atë që ka të bëjë me fatalitetin; me fatalitetin, i cili shpesh nuk është varur nga shqiptarët, me faktin se shpesh në kurrizin tonë kanë luajtur interesat e tjerëve. Kështu që skepticizmi im, nëse mund të flitet i tillë, ka të bëjë me qëndrimin e disa logove evropiane, të cilat akoma nuk kanë freskuar dosjet e tyre që nga viti 1912-1913, akoma nuk e kanë kuptuar balancën e re që ekziston aktualisht, pas prishjes së Jugosllavisë në Ballkan. Skepticizmi është një lidhje jashtëmartesore që na ka ndjekur ne shqiptarëve, kështu që, në njëfarë mënyre, ne jemi mësuar të jetojmë me të. Por, tanimë, ne jemi duke hyrë në një histori, e cila mund të konsiderohet, fare mirë, historia e re jo vetëm e Ballkanit, por sidomos historia e re e shqiptarëve. Nuk e them këtë për të ngjallur optimizëm tek skeptikët. Por, duke qenë se e njoh rrugën e vështirë, që shpesh është detyruar të kalojë në momente shumë delikate, ku unë kam qenë prezent në tavolinat ndërkombëtare, arrij ta kuptoj edhe ngërçin që ekziston. Kemi të bëjmë me faktorë që ende nuk janë mësuar me rolin e ri, që shqiptarët, në kuptimin më të mirë të fjalës, me gjak e kanë realizuar. Jemi nga të paktet kombe që kemi pritur kaq shumë për ta ndërtuar atë që mund të konsiderohet kalimi nga mbijetesa në një jetesë normale. Ne presim, të gjithë presim që Evropa të jetë një gjuhë më e qartë me ne, shqiptarët; një gjuhë më e qartë që, në fund të fundit, na bën të qartë që ne të jemi ata që jemi në të vërtetë përballë saj. Nuk mund ta zgjas më këtë, sepse, realisht, do të rihapeshin edhe mjaft fletë të historisë, do të isha mjaft i gjatë në këtë shpjegim. Por, e përsëris, për mua janë hapat e parë në një histori të re, ku fjala humbje e ka humbur nocionin e vet. Gjithçka mund të mendoj në këto momente, por dështimin, humbjen nuk e mendoj në asnjë rast.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja shqiptare vazhdon të mbetet ‘thembra e Akilit’ për stabilitetin në rajon, duke iu referuar edhe ngjarjeve tronditëse të Tetovës, ditëve të fundit. A mendoni se duhet një orientim ndryshe i politikës shqiptare?

PANDELI MAJKO
Proceset që po ndodhin aktualisht, jo vetëm me shqiptarët, por edhe në marrëdhëniet e shqiptarëve me tjerë, duhet t’i kuptojmë ashtu siç janë. Ne jemi në procesin e formësimit të elitave tona, jo thjesht ekonomike, por edhe ato politike. Nuk mund të thuhet se këto elita politike janë të kalitura, në kuptimin jo ironik të fjalës, por në kuptimin më thelbësor të fjalës. Ato janë të sapokrijuara dhe në fund të fundit po sendërtojnë atë që quhet balanca e shqiptarëve me të tretat. Nuk mund të thuhet që maqedonasit, pas krijimit të shtetit të tyre, ishin të përgatitur për këtë balancë me shqiptarët në Maqedoni. Por, një gjë është e qartë, një gjë është e qartë si drita e diellit, nëse maqedonasit nuk e kanë kuptuar se ç’do të thotë bashkëjetesa me shqiptarët, ata janë të dënuar të mbesin epruveta e Ballkanit; epruveta e Ballkanit, e cila gjithmonë do t’u rëndojë në sensin që gjithmonë do të ketë humbje kohe, jo vetëm nga ata vetë, por edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili shumë shpejt do t’ua bëjë të bindur se nëse do të hedhin poshtë një marrëveshje të vjetër me shqiptarët, do të humbasin goxha kohë. Thjesht, do të humbasin kohë për të ndërtuar një marrëdhënie dhe një marrëveshje të re, përsëri me shqiptarët, sepse marrëveshja me shqiptarët është esenciale jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për fatin e stabilitetit dhe strukturave të sigurisë rajonale në rajon. E them dhe e përsëris se nëse do të ndodhë e kundërta, nëse dikush do të mendojë logjikën e aventurës në marrëdhënie me shqiptarët në Maqedoni, atëherë do të jetë pikërisht ajo që sapo thashë më lart, efekti epruvetë. Thjesht, maqedonasit do të përdoren dhe duhet ta zgjidhin shumë qartë këtë dilemë. Do të përdoren nga të tjerët në marrëdhëniet me shqiptarët apo do ta kuptojnë se me shqiptarët nuk mund të mbahet maska e bashkëjetesës dhe të bëhet e kundërta në realitet. Fyerja që i bëhet shqiptarëve, për mua në radhë të parë është fyerje vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e flamurit shqiptar dhe pastaj, disa ditë më pas, një lloj aksioni policor, i cili në fakt nuk mund të quhet policor, por është i mirëfilltë ushtarak, në prag të kryeqytetit të shqiptarëve në Maqedoni, nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Sigurisht, do të ketë një lloj maturie, një lloj heshtjeje, por në thelb, kësaj maturie dhe heshtjeje duhet t’i ruhen më tepër institucionet e Maqedonisë, duhet t’i ruhen më tepër ata njerëz që mendojnë se stabiliteti i Maqedonisë varet pikërisht te bashkëjetesa e mirë e shqiptarëve dhe e maqedonasve.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni nga zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë?

PANDELI MAJKO
Nuk pres ndonjë gjë të madhe, në kuptimin politik të fjalës, nga zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë, sepse, në esencë, ajo që po diskutohet për Kosovën, nuk është lufta politike se kush do ta marrë Qeverinë e Kosovës; në esencë ka të bëjë me diçka shumë më sublime, me peshë më të rëndë, sesa ajo që po zhvillohet në pamje të parë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Për mua është e rëndësishme që Kosova po ofron një ushtrim demokratik jo vetëm para vetes, por edhe përballë faktorit ndërkombëtar, në mënyrën, ta quajmë kështu, deri diku edhe të ftohtë. Pavarësisht se mua më duket absurde në pamje të parë, fakti se Kosova po ecën duke ndjekur rregullat e lojës pa e pasur ende një shtëpi të formuar dhe të njohur në radhë të parë, në pikëpamjen time Kosova ‘de facto’ është e pavarur. Zgjedhjet janë duke u kryer në një shtet të pavarur të Kosovës. Problemi është që sytë e ftohtë dhe mosbesues në disa raste, duke ndjekur atë çfarë po ndodhë në Kosovë, të kuptojnë përfundimisht se ajo që ka filluar në vitin 1999, është një proces i pakthyeshëm. Është një proces i pakthyeshëm, sepse në esencën e vet, më 17 nëntor, në Kosovë do të votojnë njerëz që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që një pjesë e tyre pothuajse e kanë harruar se ç’do të thotë Serbi, ushtarë serbë, policë serbë e kështu me radhë.

INTERVISTOI: SUELA MUSTA
XS
SM
MD
LG