Ndërlidhjet

PRISHTINA E GATSHME T’I DISKUTOJË PROPOZIMET E TRESHES, POR NUK PRANON MË PAK SE PAVARËSI


Zijadin Gashi

Prishtina është e gatshme t’i shqyrtojë, diskutojë dhe të japë mendimet e veta lidhur me çfarëdo propozimi që mund të dalë në tavolinën e bisedimeve, por nuk do të lëvizë jashtë kornizave të saj për ndonjë zgjidhje më pak se pavarësia e Kosovës. Këto qëndrime, në emër të Ekipit të Unitetit, i paraqet zëdhënësi Skënder Hyseni, duke iu referuar edhe deklaratave të fundit të Christina Gallach, zëdhënëse e shefit të diplomacisë evropiane, Javier Solana, e cila ka paralajmëruar mundësinë që Treshja ndërmjetësuese të dalë me propozime konkrete për statusin e Kosovës, në takimin e radhës që do të mbahet më 20 nëntor, në Bruksel. Hyseni thotë se pala kosovare do të jetë e hapur që të diskutojë çfarëdo ideje apo propozimi, por nuk do të lëvizë nga parimet bazë, që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës dhe tërësinë e saj territoriale. “Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më 20 nëntor në Bruksel, në takimin e radhës, por si qëndrim krejt parimor - Ekipi i Unitetit është i gatshëm dhe i përgatitur të përgjigjet në çfarëdo propozimesh apo idesh që dalin në tavolinë. Por, kjo assesi nuk do të thotë që Ekipi i Unitetit është i gatshëm të pranojë çfarëdo qoftë nën pavarësi”, tha Hyseni. Ai rikujton që Treshja ndërkombëtare edhe ashtu ka dalë me një propozim prej 14 pikave, që do t’i bashkohet raportit të Treshes lidhur me negociatat, i cili, në fund të procesit, do t’i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, ky plan 14 pikësh, sipas Hysenit, ishte një përmbledhje e konkluzioneve lidhur me bisedimet dhe nuk e ka karakterin e një dokumenti zyrtar. Me fillimin e procesit shtesë të negociatave, i paramenduar të zgjasë 120 ditë, që në një përkufizim kohor përfundon më 10 dhjetor, Treshja ndërmjetësuese, në përbërje Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Rusia, sipas palëve në bisedime, nuk kishte mandat që të propozonte zgjidhje. Megjithatë, pala kosovare beson se idetë që mund të paraqiten nga Treshja, nuk do të ndikojnë në shtyrjen e procesit të negociatave pas datës 10 dhjetor. “E pakta, ka një bindje edhe në gjithë bashkësinë ndërkombëtare, se zvarritjet e mëtejme janë totalisht të papranueshme, janë kundër-produktive. Ndërkaq, nga ana jonë, ne e kemi bërë shumë të qartë, të ditur, se Kosova nuk është e gatshme të angazhohet në çfarëdo procesi që mund të zvarritet përtej datës 10 dhjetor, kur Treshja do të raportojë te Sekretari i Përgjithshëm”, theksoi zëdhënësi Hyseni. Sidoqoftë, Gallach ka paralajmëruar se Treshja ndërmjetësuese, në bisedimet për statusin, do të bëjë propozime konkrete rreth të ardhmes së Kosovës, në takimin e 20 nëntorit, në Bruksel. Sipas këtyre paralajmërimeve, Treshja mund ta ndryshojë rolin që ka në negociata, duke kaluar nga roli ndërmjetësues në një qasje më proaktive, duke i vënë idetë për statusin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve. Mirëpo, pavarësisht kësaj qasjeje që paralajmërohet, Prishtina zyrtare beson se pas 10 dhjetorit, në mungesë të marrëveshjes, jo vetëm Prishtina që e ka miratuar pakon e Ahtisaarit, por edhe pjesa më e madhe e mekanizmave dhe qeverive ndërkombëtare, do ta kthejnë në agjendë dokumentin e Ahtisaarit, si zgjidhja më e mirë e mundshme, e arritur në procesin e definimit të statusit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG