Ndërlidhjet

GJENERIMI I EKONOMISË – SFIDË E QEVERISË SË ARDHSHME


Bekim Bislimi

Kosova ka trashëguar një mori problemesh ekonomike që nga koha e para luftës, por edhe tranzicioni, gjatë viteve të pasluftës, i ka shtuar këto probleme dhe me to pritet që të ballafaqohet Qeveria e ardhshme e Kosovës, e cila duhet të dalë pas zgjedhjeve të 17 nëntorit. Kështu parashohin ekspertët e ekonomisë në Kosovë. Muhamet Sadiku, ekspert për ekonomi nga instituti ‘Riinvest’, thotë se deri më tani Kosova ka pasur qeverisje dualiste dhe se politikat ekonomike janë prodhuar dhe zbatuar nga dy qendra, UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës. Sipas tij, kjo shpeshherë ka prodhuar efekte negative dhe, siç pohon ai, ka konservuar probleme. Se cilat janë gjasat që Qeveria e ardhshme e Kosovës t’i adresojë këto probleme, zoti Sadiku thotë: “Ne shpresojmë që në periudhën e ardhshme, statusi do të zgjidhet shumë shpejt. Unë mendoj se ekzistojnë parakushtet, sepse një Kosovë e pavarur do të ketë kapacitete tjera, si në sensin e qeverisjes, ashtu edhe në sensin e gjenerimit të burimeve të reja të rritjes ekonomike, sepse një Kosovë e pavarur do të jetë anëtare e barabartë e komunitetit ndërkombëtar, anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Bankës Evropiane. Të qenit pjesë përbërëse e këtyre institucioneve, gjeneron edhe mundësi të reja për rritje ekonomike”. Megjithëkëtë, shton zoti Sadiku, Kosova duhet përgatitur që të ballafaqohet edhe me pamjaftueshmërinë e burimeve financiare dhe kjo duhet të kompensohet me qeverisje efektive dhe me përcaktimin e prioriteteve të qarta të zhvillimit. Ndërkaq, Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se Kosova gjendet para definimit të statusit politik të saj dhe ky definim do t’ia lehtësonte punën Qeverisë së re të Kosovës. Sipas tij, Qeveria e ardhshme do të duhej të fokusohej në krijimin e një infrastrukture ligjore, të përshtatshme për investitorët potencialë, vendorë dhe ndërkombëtarë. “Ne do të duhej t’ua shtrojmë ‘qilimin e mirëseardhjes’, duke u krijuar atyre mundësi dhe interes për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë. Andaj, Qeveria e ardhshme duhet të ketë prioritetet që të fokusohet në këto pasuri që i kemi, tokësore dhe nëntokësore. Dhe, këto duhet të jenë prioritet që t’i aktivizojmë, qoftë me kapitalin tonë, qoftë me kapital të huaj”, pohoi zoti Shahini. Në anën tjetër, niveli tejet i ultë i zhvillimit ekonomik në Kosovë, ditë më parë, është përmendur edhe nga sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, e cila ka theksuar se Kosova, në esencë, nuk ka një ekonomi të zhvilluar. Zoti Sadiku komenton: “Duhet pranuar se Kosova e ka një ekonomi mikse, për arsye se ka pjesëmarrje të lartë të tregut joformal dhe e ka një ekonomi që është në tranzicion. Prandaj, Kosova, në aspektin ekonomik, dihet që nuk e ka thënë fjalën e fundit. Sigurisht që sekretarja e shtetit kur ka thënë se Kosova nuk ka ekonomi, është e vërtetë se Kosova nuk ka ekonomi të qëndrueshme. Prandaj, pavarësia e Kosovës, shpresoj se do të gjenerojë parametra të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”. Ngjashëm thekson edhe zoti Shahini: “Në Kosovë nuk ekziston një ekonomi e zhvilluar. Por, ekzistojnë parakushtet që kjo ekonomi të ketë perspektivë, nëse Qeveria e ardhshme e Kosovës do ta shtojë interesimin e investitorëve dhe ta kemi një ekonomi të qëndrueshme, që do të hapë vende të reja të punës, duke i siguruar edhe buxhetit të hyra më të mëdha”.
XS
SM
MD
LG