Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT PARALAJMËROJNË VËZHGIMIN E ZGJEDHJEVE TË 17 NËNTORIT


Zijadin Gashi

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe ai i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, bashkë me autoritetet lokale, thonë se janë të vendosur që më 17 nëntor t’i hapin qendrat e votimeve në tërë Kosovën, përfshirë edhe pjesën veriore. Pavarësisht kundërshtimeve që ka hasur procesi i zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës nga ana e disa subjekteve përfaqësuese serbe, organizatori konsideron se do të ketë edhe plane alternative, në rast se serbët nuk do të lejojnë që shkollat dhe objektet tjera të përdoren si qendra votimi, siç parashihet të ndodhë në pjesët tjera të Kosovës. Sven Lindholm, zëdhënës i misionit të OSBE-së në Kosovë, thotë se votimet do të zhvillohen edhe në veri të Kosovës, sepse është proces demokratik, në të cilin të gjithë qytetarët kanë të drejtë të barabartë të marrin pjesë. Në rast të pengesave, ai thotë se do të ketë edhe plane rezervë. “Për momentin ende shpresojmë se shkollat do të hapen si qendra votimi, por nëse kjo nuk do të ndodhë, do të ketë rrugë alternative”, theksoi Lindholm. Administrata e UNMIK-ut paralajmëron që në rast nevoje, në pjesën veriore të dërgojë edhe qendra lëvizëse votimi. Në anën tjetër, përfaqësuesit e Këshillit Nacional Serb thonë se do t’i vëzhgojnë dhe monitorojnë zgjedhjet e së shtunës, për të vërtetuar pjesëmarrjen e serbëve në votime. Kryetari i këtij këshilli për pjesën veriore të Kosovës, Milan Ivanoviq, thotë se monitorimi do t’u shërbejë serbëve të kenë një pasqyrë të saktë, se sa serbë në të vërtetë do të dalin atë ditë në votime. “Ne do ta përcjellim dhe kontrollojmë procesin e votimeve dhe në fund do të dalim me rezultatin tonë, lidhur me pjesëmarrjen e serbëve”, tha Ivanoviq. Sipas tij, ky vëzhgim bëhet edhe për t’i parandaluar manipulimet eventuale me numrin e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Ai rikujton qëndrimin e Këshillit Nacional Serb se nuk ka kushte që serbët të dalin në zgjedhje, pasi që beson se këto zgjedhje kanë si qëllim të vetin edhe rrugën e pavarësisë së Kosovës, në të cilën ai thotë se serbët nuk mund të marrin pjesë. Ndërsa vazhdojnë dilemat te liderët lokalë serbë lidhur me pjesëmarrjen apo bojkotin, strukturat e sigurisë, në anën tjetër, paralajmërojnë një ditë të qetë të votimeve. Sidoqoftë, përfaqësues nga UNMIK-u dhe ata të Shërbimit Policor të Kosovës edhe sot kanë shprehur zotimet e tyre, se në çdo rast që organizatori do të kërkojë ndërhyrjen e forcave të rendit, ata janë të gatshme që ta bëjnë këtë, në mënyrë që secili të mund të votojë lirshëm dhe në një ambient paqësor, më 17 nëntor.
XS
SM
MD
LG