Ndërlidhjet

KOSOVA E DËSHIRON PAVARËSINË


WALL STREET JOURNAL

Procesi i statusit të Kosovës po arrin në përfundimin e natyrshëm. Bisedimet aktuale po i afrohen fundit të caktuar për 10 dhjetor. Kjo do të krijojë një atmosferë për shpallje pozitive dhe bashkërenduese të pavarësisë dhe do të nxitë njohjen nga bashkësia ndërkombëtare.
Ne i marrim shumë seriozisht bisedimet tona me Serbinë dhe Treshen ndërmjetësuese, por është e qartë se diskutimet për statusin kanë ngecur: Serbia nuk mund të pranojë se pavarësia është e pashmangshme. Ne e dimë se pavarësia është e pashmangshme, dhe për këtë nuk mund të ketë kompromis apo shtyrje. Qëndrimet në Serbi dhe në Kosovë nuk do të ndryshojnë pas një muaji apo një viti. Duhe të jemi realistë dhe të shohim përpara.
Ne jemi të hapur me Beogradin për të gjitha çështjet tjera. Madje, ne kërkojmë marrëveshje në fushat kryesore dhe kemi bërë propozime specifike për bashkëpunim në një varg fushash. Kosova dhe Serbia janë vende fqinje, dhe mundësia jonë më e mirë është që përmes bashkëpunimit të ecim drejt së ardhmes euro-atlantike. Prandaj, çdo përpjekje agresive e Serbisë për ta vonuar procesin, psh. duke mbyllur kufijtë apo duke vendosur sanksione ekonomike, do të jetë e dëmshme jo vetëm për Kosovën por gjithashtu edhe për Serbinë dhe rajonin.
Pavarësia nuk është diçka që mund të shtyhet për stimule financiare, siç kanë sugjeruar disa njerëz, sepse pavarësia nuk është në shitje. Pavarësia nuk është thjesht një opcion në tavolinë apo propozim për modelin kushtetues. Ajo është një fakt i ri në historinë, ekonominë dhe politikën në rajon.
Sugjerimet për modele të reja të varësisë apo bashkimit janë boshe, irelevante dhe të pakuptimta. Pas vuajtjes së njerëzve në Kosovë në vitet e 1990-ta, ne kurrë nuk mund të kemi asnjë lloj konfederate me Serbinë. Por mund të kemi bashkëpunim, nga i cili do të përfitojnë Kosova, Serbia dhe Evropa. Për ne nuk ka asgjë më të rëndë se statusi i Kosovës të mbetet i pazgjidhur.
Pavarësia nuk është një fitore finale ndaj Serbisë. Ajo e heq pengesën e fundit për marrëdhënie të arrira me fqiun tonë, Serbinë. Shpallja dhe njohja e pavarësisë do të jetë në pajtim me ligjin ndërkombëtar, sukses për Bashkimin Evropian dhe zhvillim pozitiv në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar përpjekje enorme që shteti i ri i Kosovës të funksionojë. Tash jemi në mesin e fushatës së zgjedhjeve, të cilat ashtu si të mëparshmet, do ta nënvizojnë shëndetin e demokracisë sonë. Qeveria e re do të ketë agjendën e ngjashme me qeverinë time, Kosovën e pavarur të përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë, dhe ndoshta një ditë, edhe pjesë e BE-së dhe NATO-s. Jam i bindur se udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës do të punojnë për të zbatuar planin e Ahtisaarit, i cili me garancat e shquara për pakicat, është kompromis i drejtë për qeverisjen e ardhshme në Kosovë.
Qeveria e re duhet të vazhdojë t'u zgjatë dorën qytetarëve serbë. Ata janë shtrydhur padrejtësisht nga Beogradi, i cili u bën thirrje të mos marrin pjesë në jetën politike të Kosovës. Kjo është këshillë e keqe, sepse serbët janë pjesë e shtetit tonë. Ne duam të ecim përpara me pajtimin, dhe do të dëshironim ta bëjmë në partneritet me Beogradin, por po e desh nevoja, do ta bëjmë vetë.
Kosova do ta shpallë pavarësinë e saj, por në klimën e kënaqësisë ndërkombëtare se bisedimet serioze u zhvilluan aq sa mundën, dhe me një përkushtim të qartë nga ana e Kosovës për pajtimin dhe stabilitetin rajonal. Kjo do të jetë një pavarësi shumëpalëshe.
Agim ÇEKU, kryeministër i Kosovës
XS
SM
MD
LG