Ndërlidhjet

logo-print

FUSHATA ZGJEDHORE PA PROJEKTE PËR INVESTIME TË HUAJA


Bekim Bislimi

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 17 nëntorit, çështja e joshjes së investimeve të huaja në Kosovë po kalon pa projekte konkrete nga subjektet politike në këtë drejtim dhe pa u elaboruar gjatë fjalimeve në tubimet parazgjedhore nga politikanët që konkurrojnë në zgjedhje. Disa nga përfaqësuesit e subjekteve politike, konkurruese në këto zgjedhje, thonë se në programet e tyre zgjedhore është trajtuar kjo çështje. Naim Jerliu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë: ”Mund të jetë që në segmente të caktuara të mos jetë mbuluar mediatikisht, por kjo është prezantuar esencialisht, madje në disa raste, gjatë prezantimit të programit zhvillimor për Prishtinën, është elaboruar më tutje gërshetimi i këtyre investimeve me zhvillimin e kryeqytetit, e më pastaj edhe involvimi i gjithë kësaj në procesin e ardhshëm zhvillimor të Kosovës së pavarur”. Ndërkaq, Ramë Buja, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi, e ka trajtuar këtë çështje, duke thënë se Kosova është e hapur ndaj investimeve të huaja, por duhet krijuar parakushtet që këto investime të sillen në Kosovë. Megjithëkëtë, ai pohon se, përgjithësisht, përfaqësuesit e subjekteve politike e kanë trajtuar pak këtë çështje. ”Mosdefinimi i statusit të Kosovës nuk lë mundësi që të premtosh se do të bësh këtë-atë, gjersa, në fakt, nuk e ke elementaren, që është statusi, që definon shumë gjëra të tjera dhe krijon njëfarë sigurie për investim. Dhe, s’ke si ta thuash. Dakordohem që nuk është folur mjaft, sepse sfida më e madhe ose kryesore pas definimit të statusit do të jetë ekonomia, zhvillimi i saj, vendet e punës etj.”, tha Buja. Ndërkaq, Lulzim Zeneli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, thekson: ”Pse nuk po zë vend ose nuk po tingëllon në pozitën meritore ky segment, kjo mbetet të shihet më vonë. Tash për tash, si LDD, ne e kemi prioritet, si një prej elementeve kryesore në programin tonë ekonomik. Prandaj, nuk kam ndonjë koment apo ndonjë ilustrim të veçantë rreth kësaj çështjeje”. Ndryshe, Halil Matoshi, nga Partia Reformiste Ora, thotë se mosdefinimi i statusit politik të Kosovës e kufizon hapësirën vepruese për realizimin e ndonjë projekti të joshjes së investimeve të huaja në Kosovë. ”Është e vërtetë se partitë relevante në Kosovë, duke përfshirë edhe partinë Ora, nuk kanë ndonjë program konkret rreth mundësisë së joshjes së investitorëve të huaj të mëdhenj. Por, në këtë rast, të gjitha partitë e dinë se pa zgjidhjen e statusit të Kosovës, vështirë se do të ketë investime të mëdha në Kosovë, normalisht edhe për shkaqe sigurie”, tha Matoshi. Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë në vazhdimësi kanë pohuar se është iluzore të mendohet, se ekonomia e Kosovës do të mund të rimëkëmbet pa ndihmat e investitorëve të huaj dhe pa kapitalin e tyre.
XS
SM
MD
LG