Ndërlidhjet

SERBËT E PJESËS QENDRORE TË KOSOVËS THONË SE DO TË DALIN NË ZGJEDHJE


Zijadin Gashi

Serbët e pjesës qendrore të Kosovës paralajmërojnë dalje në zgjedhjet e së shtunës, duke besuar se përmes pjesëmarrjes në institucione, mund të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Për dallim nga pjesa veriore e Kosovës, në pjesët tjera, që njihen edhe si enklava serbe, janë formuar shumë parti politike serbe, të cilat duan të marrin pjesë në procesin demokratik, duke mos i dëgjuar thirrjet e Beogradit dhe të disa subjekteve të tjera brenda këtij komuniteti për bojkot. Partia Liberale Serbe është një prej atyre që do të dalë në zgjedhje. Kryetari i saj, Sllobodan Petroviq, thotë se serbët e Kosovës duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. “Zgjedhjet që janë para nesh, janë shumë të rëndësishme për ne serbët. E di se ka të atillë që do t’i bojkotojnë ato, por ne nuk do t’i konsiderojmë ata si armiqtë tanë, por njerëz që mendojnë ndryshe”, thotë Petroviq, duke besuar se, gradualisht, serbët do ta kuptojnë se pjesëmarrja është në interesin e tyre dhe jo bojkoti. Edhe banorët e enklavave serbe, në pjesën qendrore, thonë se do të dalin në votimet e së shtunës. Vidosav Vujinoviq është një prej atyre që konfirmon gatishmërinë e tij për të dalë në zgjedhje. “Drejtpërdrejt do t’i mbrojmë interesat e popullit tonë, duke i zgjedhur njerëzit tanë, pasi që ne askush nuk na shikon se si jetojmë”, thotë Vujinoviq. Zgjedhja e përfaqësuesve të këtij komuniteti, sipas tij, është e rëndësishme edhe për të përmirësuar diçka nëpër enklava, të cilat, shton Vujinoviq, janë në gjendje të mjerueshme. Ai i akuzon ata përfaqësues serbë dhe Beogradin që bëjnë thirrje për bojkot, se të gjitha mjetet dhe investimet i drejtojnë kah pjesa veriore e Kosovës, ndërkaq pjesën qendrore e kanë lënë krejt anash. Edhe Jelena Dobrosavleviq thotë se me daljen në zgjedhje, ajo do të shfrytëzojë një të drejtë themelore që ka si qytetare. “Se a do të dalë dikush apo jo, kjo është çështje individuale. Unë do të dal në zgjedhje dhe dua të ndikoj që të jetojmë më mirë dhe me nder”, shprehet Jelena Dobrosavleviq. Me dëshirën për të ndikuar në përmirësimin e jetesës në Kosovë, Vidosav Vujinoviq beson se vota e tij shkon në interesin e komunitetit. “Pjesa veriore e Mitrovicës në asnjë sekondë nuk ka llogaritur në ne. Ata kanë shikuar vetëm atë që ekziston nga Ibri e tutje, kurse ne na kanë lënë në kushte të mjerueshme. Kështu që tash duam ta marrim çështjen dhe fatin në duart tona”, thotë Vujinoviq. Gatishmëria e serbëve nga pjesët tjera të Kosovës, duke përjashtuar këtu veriun, mund t’i zbehë pritjet e Beogradit për një dalje krejt simbolike të serbëve në zgjedhje. Po ashtu, nga këto pjesë të Kosovës, jo vetëm votuesit, por edhe subjektet politike të paraqitura, arrijnë shifrën në afër 30 entitete, që janë të gatshme të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit.
XS
SM
MD
LG