Ndërlidhjet

logo-print

GULDIMANN:”REZULTATET PËRFUNDIMTARE DO T’I KEMI NË FILLIM TË DHJETORIT”


Tim GULDIMANN, shef i OSBE-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Guldimann, cilat janë sfidat që i keni për zgjedhjet e 17 nëntorit?

TIM GULDIMANN
Ne, në OSBE, kemi asistuar në këtë proces të zgjedhjeve, duke ofruar asistencën e duhur teknike dhe kemi pasur sukses, pavarësisht kohës së shkurtër prej dy muajsh e gjysmë, duke sjellë tërë materialin e nevojshëm në Kosovë dhe tash duke e shpërndarë nëpër qendrat e votimit. Mund të themi se jemi shumë të bindur, se përgatitjet teknike të këtyre zgjedhjeve janë kryer mirë. Por, janë disa probleme, që dua t’i theksoj. E para është se për herë të parë, pas mbajtjes së katër palë zgjedhjeve në vitet e fundit, zgjedhjet për tri nivele mbahen në të njëjtën kohë, pastaj kemi sistemin e listave të hapura, që të gjitha së bashku e bëjnë aktin e procesit të votimit relativisht të komplikuar. Ne kemi shtuar programet për trajnimin e votuesve, programet për informimin e votuesve përmes televizioneve, përmes panove, përmes mjeteve tjera të komunikimit dhe shpresojmë se votuesit do ta kuptojnë atë dhe vetë procesi i votimit do të shkojë lehtë në qendrat e votimit. E dimë se do të marrë pak kohë për secilin votues që t’i mbushë të gjitha këto fletëvotime, por unë mendoj se kjo mund të bëhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se do të ndikojnë në pjesëmarrjen në zgjedhje këto procedura që janë vlerësuar si të komplikuara?

TIM GULDIMANN
Nuk mendoj, faktorët si moti mund të jenë më të rëndësishëm; këtë e parashohim ne. Por, megjithatë, unë nuk mendoj se këto procedura të votimit, mund ta bëjnë dikë që të mos shkojë për të votuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador, përmendët më herët tri nivelet e zgjedhjeve. Marrë parasysh këtë, sa gjatë mendoni se do të zgjasë procesi i numërimit?

TIM GULDIMANN
Ne pretendojmë që të kemi rezultatet preliminare dy deri në tri ditë pas zgjedhjeve për të gjitha nivelet dhe kjo është e rëndësishme për partitë politike, që t’i vënë kontaktet e para në dritë të formimit të Qeverisë së re. Mandej, kemi kohë për t’i numëruar të gjitha votat, më pas për t’i certifikuar, duke përfshirë këtu edhe periudhën pesëditëshe, gjatë së cilës rezultatet mund të sfidohen; procesit të apelit pra i duhen 5 ditë dhe krejt bashkë, rezultatet përfundimtare do të dihen në fillim të dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t’ju përgjigjeshit shqetësimeve për keqpërdorimet e mundshme të votave?

TIM GULDIMANN
Kjo është e njëjtë për të gjitha zgjedhjet në botë; natyrisht gjithmonë ka mundësi të keqpërdorimeve apo përpjekjeve për mashtrim. Por, unë jam i bindur për një aspekt, se këtë vit, në këto zgjedhje kemi dyfish më shumë vëzhgues, që kanë kërkuar të regjistrohen dhe janë regjistruar për të vëzhguar zgjedhjet në mbi 600 qendra të votimit. Dhe, ky është një numër i madh i njerëzve që kontrollojnë se çka po bëhet. Mendoj se rreziku nga mashtrimi dhe parregullsitë në procedura është relativisht i vogël. Mendoj se duke pasur vëzhgues ndërkombëtarë, do të kemi vlerësim të saktë të karakterit demokratik, të lirë dhe korrekt të zgjedhjeve, shumë shpejt pas mbajtjes së tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të votohet në vendbanimet e banuara me serbë, nëse merren parasysh disa kundërshtime që janë theksuar nga përfaqësues të serbëve?

TIM GULDIMANN
Ajo çka duket, është se në njërën anë kemi apelin zyrtar të Beogradit, që kërkon nga pjesëtarët e komunitetit serb që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje dhe si pasojë e kësaj, kemi faktin se disa kandidatë serbë dhe subjekte politike janë tërhequr nga zgjedhjet. Po ashtu, aspekti kritik është se në pjesën veriore të Kosovës kemi parë kërcënime të njerëzve që punojnë në spitale, në shkolla, se mund t’iu rrezikohet puna, nëse votojnë. E tërë kjo mund të mos jetë e saktë, por atmosfera është e tillë, që në mesin e serbëve ka një hezitim të qartë sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Ne ende kemi indikacione se në pjesë tjera të Kosovës, pjesëtarë të komunitetit serb, disa organizata duan të marrin pjesë në zgjedhje, sepse në këto zgjedhje fati dhe e ardhmja e tyre në Kosovë janë në rrezik. Pra, natyrisht kemi një situatë, ku pjesëmarrja në mesin e serbëve nuk do të jetë e lartë, por nuk do të guxoja të jepja ndonjë prognozë se sa do të jetë kjo.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të krijohen institucionet e ardhshme, mendoj kur do bëhet konstituimi i Kuvendit?

TIM GULDIMANN
Mendoj se rezultatet përfundimtare do t’i kemi në fillim të dhjetorit. Dhe, supozoj se menjëherë pas kësaj, do të mblidhet Kuvendi dhe paralelisht do të ketë negociata dhe pastaj në bazë të Kuvendit të ri, do të krijohet edhe Qeveria.

RADIO EVROPA E LIRË
Para apo pas 10 dhjetorit?

TIM GULDIMANN
Ajo që mund të parashohim është se rezultatet për Kuvend do të jenë të mundura në fillim të dhjetorit, që i bëjnë të mundur Kuvendit të mblidhet, ndërsa sa i përket Qeverisë se re, ajo do të varet nga diskutimet e të gjitha palëve të përfshira në proces.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG