Ndërlidhjet

BE-JA E GATSHME TË MARRË DREJTIMIN RRETH KOSOVËS


Financial Times

Bashkimi Evropian po përgatitet që gjatë muajit të ardhshëm të marrë rolin drejtues në përcaktimin e të ardhmes së Kosovës, megjithë drojën se negociatat rreth statusit të Kosovës mund të dështojnë. Kështu ka deklaruar kryeministri slloven.
Janez Jansha, vendi i të cilit merr kryesinë e rradhës së Bashkimit Evropian në janar, tha se Unioni do të mbështesë planet që shumica shqiptare e Kosovës të sigurojë pavarësi të kushtëzuar nga Serbia në kushtet që Prishtina të pranojë mbikqyrjen dhe garancitë ndërkombëtare për pakicën serbe.
Propozimet janë një hap më tej nga plani i Marti Ahtisarit, tha kryeministri slloven, Janez Jansha.
Ai shton se plani i Bashkimit Evropian do parashohë sipas të gjitha gjasave kufizime më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës se ato që rekomandonte plani i Ahtisaarit, por ai nuk pranon të japë detaje duke thënë se po punohet në to.
Jansha hodhi poshtë drojën se Bashkimi Evropian do dështojë në arritjen e një marrëveshje që nuk do kishte mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. "Mendoj se propozimi do jetë aq komplet sa që Komisioni Evropian do jetë në gjendje të marrë një vendim të përbashkët apo së paku fuqitë kryesore evropiane do jenë të bashkuara rreth këtij plani", thotë Jansha.
Komentet e kryeministrit të Sllovenisë vijnë në kohën kur po bëhen përpjekjet e fundit për t'i sjellë Prishtinën dhe Beogradin deri tek një marrëveshje para 10 dhjetorit. Nëse do dështojnë dhe këto përpjekje atëherë nuk do kemi ndonjë plan të miratuar nga Kombet e Bashkuara, derisa Rusia kërcënon me bllokimin e cdo plani që refuzohet nga Serbia.
"Bashkimi Evropian do jetë në gjendje të ecë përpara menjëherë pas 10 dhjetorit e pikërisht në takimin e paraparë për 14 dhjetor."
Komentet e Janshës vijnë në kohën kur shumica e atyre që janë të përfshirë në proces nuk dëshirojnë të flasin për një dështim të mundshëm të bisedimeve aktuale në mënyrë që të mos zhvleftësojnë negociatat.
Jansha thotë se ka më shumë gjasa që të mos kemi marrëveshje.
"Dhe pasi nuk kemi ndonjë zgjidhje me të cilën pajtohen plotësisht të dyja palët kam frikë se nuk ka mundësi që Këshilli i Sigurimit të marrë ndonjë vendim. Kjo krijon një situatë të komplikuar në të cilën Bashkimi Evropian duhet të marrë rolin prijës, pasi bëhet fjalë për vendet fqinje me Bashkimin Evropian. Është cështje e Evropës në Evropë dhe jo e Federatës Ruse apo Amerikës".

XS
SM
MD
LG