Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIATOR FTON QYTETARËT TË DALIN NË ZGJEDHJE


Zijadin Gashi

Ekipi Negociator i Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, që do të mbahen nesër. Fushata 21 ditëshe është vlerësuar e qetë dhe e suksesshme, ndërkohë që Ekipi Negociator ka bërë thirrje që votuesit tani të dalin dhe t’i mbështesin me votat e tyre ata, të cilëve u besojnë më tepër. Në emër të Ekipit Negociues, këtë thirrje publike e ka lexuar zëdhënësi, Skënder Hyseni. “Ekipi ka vlerësuar se zgjedhjet e nesërme janë test demokratik për shtetësinë e Kosovës. Ekipi gjithashtu ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e nesërme ka qenë dinjitoze dhe e civilizuar. Të njëjtën kohë, Ekipi i Unitetit i bën thirrje gjithë popullit të Kosovës që masivisht të dalin në zgjedhje nesër dhe të votojnë për të preferuarit e tyre, sepse ky është një test i rëndësishëm demokratik për Kosovën, është një test shumë i rëndësishëm, në fund të fundit, edhe shtet-formues për Kosovën“, tha Hyseni. Ndryshe, delegacioni i Kosovës ka marrë edhe zyrtarisht ftesën për takimin e radhës me Treshen ndërkombëtare dhe delegacionin nga Serbia, që do të mbahet më 20 nëntor në Bruksel. Zëdhënësi Hyseni tha se pala kosovare edhe në këtë takim do të shkojë me qëndrimin e palëkundur për pavarësi, duke mos pranuar qasje të reja që përmenden nëpër qarqe të ndryshme ndërkombëtare. Ai tha se agjenda e takimit është e ngjashme me takimet e mëhershme. Hyseni tha po ashtu, se delegacioni i Kosovës ka qëndrim unik, që pas 10 dhjetorit Kosova do të lëvizë shumë shpejt drejt shpalljes së pavarësisë. “Kjo shumë shpejt varet nga dinamika e konsultave që do të bëhen me bashkësinë ndërkombëtare dhe nga dinamika e veprimeve që do të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare, gjithnjë me qëllim të evitimit të pasojave të panevojshme për shtetin e ri të Kosovës”, pohoi ai. Sipas zëdhënësit Hyseni, sa më konsensuale të jetë shpallja e pavarësisë, aq më i lehtë dhe aq më i shpejtë do të jetë procesi i njohjes së shtetit të Kosovës. Në pjesën e parë të takimit me Ekipin e Unitetit kanë marrë pjesë edhe shefja e Zyrës amerikane, Tina Kajdanov dhe i dërguari i Solanës në Kosovë, Jonas Jonson. Zëdhënësi Hyseni tha se në këtë pjesë të takimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë është diskutuar për të arriturat në rrafshin e pakos legjislative, e cila rrjedh nga dokumenti i Ahtisaarit. “Ekipi i ka garantuar zyrtarët e lartë ndërkombëtarë, se pakoja legjislative që del nga pakoja e Ahtisaarit, si dhe Kushtetua e Kosovës, do të jenë të gatshme para 10 dhjetorit, kur edhe përfundojnë bisedimet shtesë për statusin e Kosovës“, theksoi Hyseni. Takimi i sotëm i Ekipit ishte i fundit para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Zëdhënësi Hyseni tha se Ekipi do të funksionojë në përbërjen e njëjtë, deri në formimin e institucioneve që do të dalin pas zgjedhjeve që do të zhvillohen nesër në Kosovë.
XS
SM
MD
LG