Ndërlidhjet

logo-print

EDHE AUTORITETET NDËRKOMBËTARE FTOJNË QYTETARËT TË DALIN NË ZGJEDHJE


Arton Konushevci

Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të nivelit qendror dhe lokal, që do të mbahen nesër, thonë së janë gati për zgjedhje. Ata kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet dhe se nesër presin që qytetarët të dalin në votime masivisht. Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet e 17 nëntorit. “Fillimisht, do të doja t’i përshëndes përfaqësuesit e KQZ-së dhe të OSBE-së për punën e tyre për zgjedhjet e 17 nëntorit. Më lejoni t’i ftoj qytetarët e Kosovës, që nesër të dalin dhe të participojnë në këto zgjedhje dhe të kenë zgjedhje të lira e demokratike. Dëshiroj të shoh një numër të madh të qytetarëve, që do të votojnë nesër. Liderët tuaj kanë nevojë për një legjitimitet nga vota juaj. Unë i thërras të gjitha komunitetet që të votojnë nesër”, tha Ruecker. Sipas tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, u ka bërë thirrje të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, që të dalin në zgjedhje. Kryeadministratori i Kosovës, më tej, ka thënë se e ardhmja e Kosovës do të jetë një vend multietnik. Edhe komandanti i KFOR-it, Xavier De Marnac, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje. Ai ka thënë se KFOR-i do të jetë i gatshëm për çfarëdo situate të mundshme dhe, sipas tij, do t’i sigurojë qytetarët për të votuar. “Ajo që duhet të them është se KFOR-i është duke punuar ngushtë me policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në. KFOR-i ka përgatitur dhe planifikuar plane të ndryshme për ditën që do të vijë, pra 17 nëntorin, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Është e nevojshme që të gjithë qytetarët të ndjehen të lirë dhe të sigurt, që të shkojnë për të votuar. Ne kemi punuar gjatë për këtë ditë që qytetarët të jenë të sigurt. Qytetarët nuk do të kenë mundësi të shohin uniforma të KFOR-it afër qendrave të votimit, sepse aty nuk është vendi për uniforma. KFOR-i do ta bëjë sigurinë në të gjitha lokacionet dhe qendrat e votimit për qytetarët që do të votojnë”, ka pohuar De Marnac. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e Shërbimit Policor të Kosovës kanë thënë se ky shërbim është i gatshëm për ditën e zgjedhjeve dhe se, sipas tyre, ata do të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, si dhe në shërbim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Reshat Maliqi, asistent i Komisarit për operativë në SHPK, thotë: “Nesër do të jetë puna jonë finale rreth menaxhimit të sigurisë. Pjesëtarët e SHPK-së do të bëjnë përpjekje të mbajnë një linjë të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët që do të dalin në zgjedhje. Do të mbajmë ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Do të sigurojmë materialin votues si dhe do ta bëjmë sjelljen e materialit në qendrat e votimit. Unë shpresoj se do të kalojmë qetë dhe nuk do të kemi probleme. Për çdo eventualitet ne kemi edhe pjesën rezervë, që jemi të gatshëm të reagojmë sipas rasteve, nëse paraqitet ndonjë problem diku”. Sidoqoftë, edhe kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror, Mazllum Baraliu, ka konfirmuar se KQZ-ja tashmë është gati në të gjitha aspektet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ai po ashtu ka ftuar qytetarët që të dalin nesër për të votuar.
XS
SM
MD
LG