Ndërlidhjet

logo-print

SHUMICA E SERBËVE BOJKOTOJNË ZGJEDHJET


Bekim Bislimi

Sa herë që hiqet dorë nga mundësia për pjesëmarrje në zgjedhje, hiqet dorë nga mundësia që vetes t’i sigurohet qetësia. Kështu ka thënë zëvendësshefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Steven Schook, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për mospjesëmarrjen pothuajse fare të serbëve në votime, në zgjedhjet e sotme parlamentare dhe lokale në Kosovë. Steven Schook, pas vizitës në Zveçan, ka thënë se kishte shpresuar që pjesëmarrja e votuesve serbë të jetë e madhe dhe ka shprehur zhgënjimin e tij. “E çmoj lart rastin për të votuar dhe nuk pajtohem me disa nga Beogradi, si dhe me udhëheqësit këtu në pjesën veriore, përtej Ibrit. Mendoj se çdoherë kur hiqni dorë nga rasti për të votuar, ju hiqni dorë nga rasti që vetvetes t’ia siguroni qetësinë, si dhe nga rasti që t’i zgjidhni njerëzit, që të jenë liderë që ju i keni zgjedhur, që t’ju udhëheqin dhe të përkujdesen për nevojat dhe kërkesat e juaja. Dhe, çdoherë kur ju hiqni dorë për shkaqe politike, unë jam shumë i shqetësuar. Kam shpresuar që sot do të kishim pjesëmarrje më të madhe në votime, sesa që kishim. Por, si duket, e kemi këtë çfarë e kemi dhe ne duhet të vazhdojmë tutje”, tha Schook. Në shtatë vendvotime të improvizuara dhe lëvizëse në veriun e Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, nuk ka pasur pjesëmarrje të votuesve serbë pothuajse fare. Përveçse në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, vendvotimet mobile për të cilat janë shfrytëzuar kamionët e OSBE-së, janë hapur edhe në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, në të cilat u është ofruar mundësia e votimit shqiptarëve që jetojnë në këto mjedise. Në Zveçan është shënuar vetëm një rast i votimit nga serbët, të cilin e ka bërë Milorad Milentijeviq, bartës i listës ‘Sokolovi’, i cili është kandiduar për kryetar të Kuvendit Komunal të Zveçanit. Disa qytetarë serbë në pjesën veriore të Mitrovicës kanë theksuar se nuk duan ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit. Milica Zariq thotë se nuk është në interesin e saj që të votojë për një kuvend, të cilit nuk dëshiron t’i japë legjitimitet. “Ata planifikojnë që më 10 dhjetor ta shpallin pavarësinë. Pse do të duhej të votonte ndonjë serb? Përderisa të gjithë ne dëshirojmë që të mbesim në kuadër të Serbisë, nuk shoh arsye pse ne do të duhej të ishim të pranishëm në një parlament të tillë”, tha Zariq. Ndërkaq, Mihajllo Petroviq, po ashtu banor serb nga Mitrovica, thotë se mosdalja e serbëve në votime është respektim i vullnetit politik të Beogradit. “Nëse ky është qëndrim i Serbisë, atëherë ne e respektojmë qëndrimin e Qeverisë sonë. Nëse ata thonë se duhet bojkotuar, ne këtë edhe po e bëjmë”, tha Petroviq. Në anën tjetër, gjatë gjithë ditës, vendvotimet në veriun e Kosovës i kanë monitoruar aktivistët e Këshillit Nacional Serb. Milan Ivanoviq, kryetar i këtij këshilli, ka thënë se këta aktivistë vetëm kanë monitoruar vendvotimet, por nuk kanë penguar askënd që të votojë. “Është e sigurt që nuk ka pasur kurrfarë presioni tek serbët. Nuk është shënuar ndonjë rast. Të gjithë kanë mundësi të vendosin lirisht, se a duan të votojnë apo jo”, theksoi Milan Ivanoviq. Ndërkaq, thirrjet e Beogradit zyrtar që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet në Kosovë, kanë bërë që edhe në vendet e banuara me serbë në pjesën qendrore të Kosovës, numri i atyre që kanë dalë në zgjedhje, të jetë simbolik. Në vendvotimin në Fushë Kosovë, pas votimit, Lubomir Arsiq tha: “Pres të paktën që diçka të jetë më mirë. Të gjithë ne po shpresojmë për diçka më mirë”. Ndërkaq, Ivan Dimiq nga Graçanica, pas votimit, u shpreh: “Ajo që pres pas votimeve, është punësimi. Do të jetë gjithçka në rregull”. Një numër i serbëve që kanë votuar në Lapna Sellë, pohojnë se ka ardhur koha që të ndërpritet ndikimi i Beogradit mbi serbët e Kosovës. Një serbe që deshi të mbetet anonime tha: “Mendoj se mjaft kemi pritur, mjaft kemi qenë nën ndikimin e disa njerëzve, të cilët janë në pushtet”. Ndryshe mendon Miodrag Gjekiq, nga Preoci, i cili tha se nuk ka dalë në votime. “Është dashur, por unë mendoj se ky vend ende është Serbi”, u shpreh ai. Sidoqoftë, sipas përfaqësuesve serbë në qendrën zgjedhore në Graçanicë, procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë incident, por dalja e votuesve ishte minimale. Në anën tjetër, pas sulmit të mbrëmshëm me koktej molotovi në shtëpinë e Stojanka Petkoviqit, deputete e G-17 plus, në Zveçan, ajo ka deklaruar se pas sulmit nuk qëndrojnë shqiptarët, por serbët. “Dëshiroj të them se këtë nuk e kanë bërë shqiptarët, por serbët. Dëshiroj që këtë ta kuptojë opinioni. Përndjekja politike ndaj meje ka filluar që nga çasti kur jam bërë anëtare e G-17 plusit”, tha Petkoviq.
XS
SM
MD
LG