Ndërlidhjet

MITROVICË: QYTETARËT PRESIN BASHKIMIN E QYTETIT PAS ZGJEDHJEVE


Arton Konushevci

Njëzetepesë qendra të votimit janë hapur sot në Mitrovicë, me gjithsejtë 97 vendvotime. Një qendër votimi e improvizuar është hapur në pjesën veriore të qytetit, kanë bërë të ditur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë. Ata kanë thënë se mënyra se si votohet gjatë këtij procesi zgjedhor, ka bërë që qytetarët të presin më gjatë në radhë. Gani Mikullovci, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se në orën 7:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha qendrat e votimit në jug të qytetit. “Në gjithë Mitrovicën janë hapur 25 qendra votimi në pjesën jugore dhe një e improvizuar në pjesën veriore të qytetit. Kur them në pjesën veriore, mendoj atje ku votojnë votuesit serbë. Deri tash, mbarëvajtja ka shkuar mirë, me pak probleme të vogla, për shkak të borës. Në mëngjes, interesimi ka qenë i vogël; duke kaluar dita, interesimi është gjithnjë më i madh. Problemi po paraqitet atje ku votojnë votuesit serbë. Problem është se edhe tri palë votime përnjëherë; është punë e vështirë për nivelin intelektual shumë më të lartë, kurse ne e dimë se çfarë niveli intelektual kemi. Prandaj, kjo është një punë bukur e vështirë.”, tha Mikullovci. Ai shtoi se problem ka paraqitur edhe mungesa e ndërtesave për të hapur vendvotime në veriun e Mitrovicës. Sipas Mikullovcit, në veriun e Mitrovicës ishte paraparë të hapen 21 qendra të votimit. “Në veri të Mitrovicës dhe në fshatin Frashër janë paraparë 21 qendra të votimit, mirëpo, për arsye se në shkollat ekzistuese Qeveria serbe nuk ka lejuar që të mbahen zgjedhjet, atëherë është gjetur një zgjidhje solomane, do me thënë të hapet vetëm një vendvotim i improvizuar në zyrën e entiteteve. Dje kanë ardhur dhe kanë marrë materialin josensitiv; sot kanë ardhur dhe kanë marrë materialin sensitiv. Edhe atje votimi vazhdon nëse kanë kandidatë”, tha Mikullovci. Kurse, kryesuesi i Këshillit të vendvotimit më të madh në Mitrovicë, Hamdi Shyti, thotë se në Shkollën Fillore “Migjeni”, pjesëmarrja e qytetarëve është e një niveli të kënaqshëm. Ai pohon se mbarëvajtja e procesit të votimit është duke shkuar mirë. ”Pjesëmarrja e qytetarëve është mesatarisht e mirë, jo në atë nivelin që ne kemi pritur ose kemi dëshiruar, mirëpo për shkak të motit që mbretëron, ditës së tregut që është sot në Mitrovicë, ndoshta presin që këtë obligim qytetar ta kryejnë pasdite. Mënyra e votimit është paksa e ndërlikuar për disa njerëz, të cilët janë të moshuar ose që nuk kanë ngritje arsimore. Megjithatë, është personeli, i cili ndihmon; në një farë forme, i udhëzon rreth çështjes së votimit, dhe aty merr paksa kohë”, pohoi Shyti. Nga ana tjetër, Haki Ymeri, drejtor i Zyrës se komuniteteve në Leposaviq, thotë se në qendrat e votimit që janë hapur në këtë komunë, ka probleme me regjistrat e votuesve dhe për këtë, shton ai, qytetarët po votojnë sipas mënyrës së votimit me kusht. “I vetmi vendvotim në tri fshatrat shqiptare në Komunën e Leposaviqit, Bistricë, Koshovë dhe Carajë, ka qenë Shkolla Fillore ‘Kadri Bistrica, që është hapur me kohë. I vetmi problem është se ka pështjellim në regjistra te banorët që banojnë në ato treva. Domethënë, nuk gjenden në regjistra dhe votimi kryesisht mbahet me kusht”, tha Ymeri. Ai më tej theksoi se qytetarët nuk kanë pasur mundësi t’i rregullojnë emrat në listat e votuesve, sepse, sipas tij, mungon liria e lëvizjes. “Në mungesë të lirisë së lëvizjes, për shkak të qendrës së regjistrimit që ndodhet në Leposaviq, u është pamundësuar ndërrimi i adresave në këtë trevë”, pohoi Ymeri. Qytetarët e Mitrovicës janë optimistë për të ardhmen e tyre pas zgjedhjeve të nivelit qendror dhe atij lokal. Ata thonë se Mitrovica duhet të jetë e bashkuar. Sabit Beqiri thotë se pas këtyre zgjedhjeve, duhet të hapen vende të reja pune për të rinjtë dhe, sipas tij, Mitrovica duhet të jetë një. ”Për Mitrovicën, bashkimi i Mitrovicës është pika e parë, e tjerat më vonë. Po ashtu, pres që Trepça të mos privatizohet, por ta mbajmë vetë ashtu siç e kemi mbajtur”, tha Beqiri. Edhe Njazi Doli, banor i Lagjes së Boshnjakëve, mendon se pas këtyre zgjedhjeve, jeta për banorët e Mitrovicës do të jetë më e mirë. “Banojmë në Lagjen e Boshnjakëve. Prej këtyre zgjedhjeve, shpresoj të bëhet më mirë, se nuk e di”, shprehet ai. Sido që të jetë, deri në mbylljen e qendrave të votimit në Mitrovicën jugore, pritet të votojnë edhe qytetarë të tjerë, përderisa në pjesën veriore nuk ka votues.
XS
SM
MD
LG