Ndërlidhjet

PRISHTINË


Në Kosovë sot u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ato lokale dhe zgjedhjet për kryetarë të komunave. Zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholn tha se "vlerësohet se pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 40%". Në komunat në veri të Kosovës, me popullatë shumicë serbe, në fillim nuk ishte regjistruar dalje në votime, por më vonë u shënua një pjesëmarje simbolike. Në vendbanimet serbe në pjesën qendrore të Kosovës, dalja në votime ishte pak më e mirë, por megjithatë vlerësohet se dalja ishte tejet modeste. Në tërësi pjesa dërmuese e serbëve e bojkotuan procesin e zgjedhjeve. "E dimë të gjithë se kjo ka të bëjë me pozicionin e Beogradit, por fundja, është zgjedhje demokratike e popullit se a dëshiron të votojë apo jo", tha shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldiman. Sipas tij, në pjesën veriore të Kosovës, drejtorët nuk kanë lejuar që në shkollat e tyre të hapen vendvotimet, kështu që është vendosur që në këtë rajon të fuksiononin ekipe mobile, për t'ua mundësuar votimin atyre që dëshirojnë. Zoti Guldiman, që është edhe shef i KQZ-së, tha se zgjedhjet në Kosovë po zhvilloheshin të qeta dhe pa probleme. Mazllum Baraliu nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se në Prishtinë dhe në disa komuna të tjera, për shkak të problemeve teknike, vendvotimet janë hapur me vonesë. Tom Guldiman tha se këto probleme teknike ishin shkaktuar nga moti i keq, pasi materialet për votim është dashur që nga Prishtina të dërgohen në vendovotime në komunat e tjera. Zgjedhjet e sotme u monitoruan nga afro 25 mijë vëzhgues vendës dhe të jashtëm. Me votimet e sotme zgjedhen 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Prej këtij numri, 10 vende janë të rezervuara për serbët, ndërsa 10 të tjera për përfaqësuesit e pakicave të tjera.
XS
SM
MD
LG