Ndërlidhjet

ANALISTËT: QYTETARËT E KANË HUMBUR BESIMIN TE POLITIKANËT


Arton Konushevci

Pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje me 45 për qind, analistët kosovarë dhe ata nga Shqipëria e shohin si humbje të besimit te politikanët dhe lodhje nga premtimet e tyre të parealizuara. Ata thonë se ka shumë arsye që qytetarët nuk i janë përgjigjur ftesës së politikanëve për të votuar. Sipas tyre, është edhe thellimi i varfërisë së skajshme. Analisti kosovar, Belul Beqaj, thotë se që prej përfundimit të luftës, situata ka shkuar në të kundërtën e asaj që është premtuar. "Faktorët kryesorë kanë të bëjnë me mosbesimin që e kanë pasur në faktorët politikë, të cilët e kanë përfaqësuar interesin e kombit apo të Kosovës. Thjesht, në skenën tonë politike, prej që janë organizuar pushtetet pas luftës, situata ka shkuar në disproporcion me premtimet. Natyrisht, nëse e shohim Kosovën sot karshi asaj Kosovës së pas luftës, ka ndryshuar mjaft, por nëse e analizojmë Kosovën sot karshi premtimeve të subjekteve politike, shohim që ka ndryshuar vetëm situata në drejtim të keqësimit të saj. Nëse pas luftës i kemi pasur p.sh. 250 mijë të papunësuar, aktualisht i kemi pak a shumë rreth 350 mijë të papunësuar", tha Beqaj. Ai ka pohuar se efekt tjetër mund të ketë pasur edhe fushata parazgjedhore e ditëve të fundit të partive politike, që, sipas tij, partitë politike u munduan t'i mbulojnë përvojat e hidhura gjatë qeverisjes së tyre. Ndryshe, Beqaj ka thënë se edhe shtyrja, edhe nevoja e mbikëqyrjes së statusit eventual të pavarur të Kosovës, tregojnë që krejt kjo është në pabesi, në kuadër të konceptit të politikës që po e udhëheqin politikanët në Kosovë. Ndërsa, analisti Muhamet Mavraj thotë se ka shumë arsye për një numër kaq të vogël të kosovarëve për të votuar. Ai ka potencuar se njëra nga arsyet është edhe thellimi i varfërisë. "Arsyet e një rënieje kaq drastike janë të shumta. Lista e arsyeve është tepër e gjatë. Ndër to unë do të numëroja humbjen e besimit në klasën politike, zhgënjimin nga premtimet e papërmbushura, thellimin e varfërisë dhe tash, së fundi, edhe të urisë. Trupi elektoral në Kosovë pjesërisht është ndikuar edhe nga aktivitetet dhe apelet e 'Vetëvendosjes', por edhe nga ajo që ia ka bërë pushteti 'Vetëvendosjes', 'vrasjet politike', arrestimet politike dhe përndjekjet e pafundme, sidomos persekutimet kundër Albin Kurtit", tha Mavraj. Sipas tij, qytetarët që kanë votuar në këto zgjedhje, nuk kanë votuar për partitë politike, por për hir të Kosovës. Mavraj tha se qytetarët tashmë e kanë kuptuar se çështja e statusit të Kosovës nuk varet nga partitë politike. "Bindja se gjithçka që i përket të ardhmes së Kosovës është në duar të të huajve, prandaj pse të votohet për partitë politike të Kosovës, kur me votime provuam në shtatë vjetët e kaluara. Në anën tjetër, nuk duhet nënçmuar në asnjë mënyrë faktin shumë të gjallë, se, së paku kësaj here, votuesit kanë votuar pa asnjë iluzion. Shumica e tyre kanë pasur fytyra jo të lumtura, shumica e tyre u kanë thënë mediave se po votojnë për hir të Kosovës, e jo për hir të partive politike", theksoi Mavraj. Nga ana tjetër, Blendi Fevziu, analist nga Shqipëria, mendon se qytetarët kosovarë janë të zhgënjyer nga politikanët që i udhëheqin ata. "E para, duhet kalkuluar se sa reale kanë qenë listat. Unë dëgjova sot se nga listat nuk janë hequr emrat e të vdekurve. Madje, vetë Ibrahim Rugova, lideri i Kosovës, i cili nuk jeton më, ka qenë në lista. E dyta, numri i ulët i votuesve, padyshim, lidhet me zhgënjimin e madh nga klasa politike kosovare. Kemi parasysh që kemi dy grupime politike, që në mënyra të ndryshme dhe në momente të ndryshme, kanë qenë në pushtet. Edhe Partia Demokratike e Hashim Thaçit ka drejtuar Qeverinë që nga viti 2000 deri më 2004, pra ka qenë pjesë e një qeverisjeje të përgjithshme", pohoi Fevziu. Ai mendon se arsyeja më e madhe pse qytetarët nuk kanë dalë në votime është situata e vështirë ekonomike. "Duhet të them se zhgënjimi ka ardhur jo aq për zgjatjen, tejzgjatjen e statusit që nuk ka qenë në dorë të kosovarëve direkt, por për situatën ekonomike dhe menaxhimin në përgjithësi", theksoi Fevziu. Kurse, analisti tjetër nga Tirana, Mero Baze, thotë se pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë abstenuar procesin zgjedhor, janë të dekurajuar me atë që ka ndodhur brenda LDK-së. Sipas tij, mund të thuhet se këto zgjedhje janë diktuar nga shtresat e varfra sociale. "Ish-partia më e madhe e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e ka bërë gjysmën e bazës elektorale të Kosovës, për shkak të proceseve të saj të brendshme, ka demotivuar një pjesë të madhe të elektoratit dhe mendoj që pjesa qytetare e elektoratit të saj ka abstenuar në një masë të madhe. Kurse, në tërësi do të thosha se ata që janë motivuar për ndryshime dhe që kanë dalë të votojnë, janë pjesa me probleme të forta sociale, pjesa e varfër e qyteteve dhe zonat e fshatit. Kjo, në radhë të parë, ka të bëjë me një lloj depresioni social që ka Kosova në këto momente", tha Baze. Sido që të jetë, shifra prej 45 për qind e qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje, shënon rekordin më të ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, në krahasim me ato që janë mbajtur deri më tani në Kosovë.
XS
SM
MD
LG