Ndërlidhjet

KQZ SHPALL TË HËNËN REZULTATET PRELIMINARE


Zijadin Gashi

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëron shpalljen e rezultateve preliminare të martën, koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që ka vëzhguar zgjedhjet dhe procesin e numërimit të votave, e paraqet Partinë Demokratike të Kosovës fituese të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit. Ndërkohë që rezultatet në nivelin lokal vazhdojnë të mbeten jo shumë të qarta për sa u përket fituesve. Sidoqoftë, bazuar në rezultatet e koalicionit “Demokracia në Veprim”, PDK-ja paraqitet e para me 34 për qind të votave, pasojnë LDK-ja me 22, AKR-ja me 12, LDD-ja me 10 për qind, AAK-ja me 9 për qind dhe Ora me 4 për qind të votave. Ilir Dugolli, nga organizata joqeveritare KIPRED, që bën pjesë në koalicionin “Demokracia në Veprim”, thotë se rezultatet janë të besueshme dhe se mund të priten edhe disa ndryshime, por jo rrënjësore. “Eventualisht mund të ketë ndonjë ndryshim aty, por nuk besoj se ka mundësi të ketë ndryshime të thella dhe të mëdha. Besoj se pak a shumë trendi, që është përcaktuar tani, po vazhdohet edhe nga ky numër i vendvotimeve që kanë mbetur pa u numëruar”, tha Dugolli. Bazuar në rezultatet, ende jo preliminare, sa u përket komunave më të mëdha, sipas “Demokracisë në Veprim”, LDK-ja udhëheq në Prishtinë në konkurrencë të fortë me AKR-në dhe PDK-në. Kurse PDK-ja prin në Mitrovicë, Ferizaj dhe Prizren, ku është në konkurrencë me LDK-në, përderisa AAK-ja prin në Pejë dhe Gjakovë. Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje sillet prej 40 deri në 45 për qind. Rezultatet preliminare nga KQZ-ja mund të priten qysh të martën. Zëdhënësi i KQZ-së, Arianit Osmani, thotë se numërimi i votave mund të përfundojë më së largu deri nesër. Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve do të bëhet nga shefi i UNMIK-ut, thotë Osmani. Ndërsa, për Parlamentin e Kosovës, rezultati do të ketë efekte të menjëhershme; në nivelin lokal mund të ketë përsëritje të votimit për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, pasi që zgjedhja e kryetarit të komunës nuk mund të bëhet nëse kandidati nuk i fiton të paktën 51 për qind të votave. Ndërkaq, në komunat me shumicë serbe, ku dalja në votime në disa raste nuk e ka kaluar as 1 përqindëshin, sipas zëdhënësit Osmani, do të mbetet të vendoset nga kryeadministratori Ruecker. “Për kryetarë të kuvendeve komunale duket se do të ketë edhe një raund të dytë, në ato komuna ku kandidati nuk ka arritur të fitojë 50 plus 1 për qind. Ndërsa, në rastet e komunave me shumicë serbe, ku ka pasur dalje të vogël të votuesve, për shembull Leposaviqi ka qenë nën 1 për qind, mund të ndodhë që UNMIK-u t’ia vazhdojë mandatin përbërjes së vjetër ose të certifikojë një përbërje të re. Por, është UNMIK-u ai që certifikon rezultatet, e jo KQZ-ja”, tha Osmani. Misioni vëzhgues nga Këshilli i Evropës i ka dhënë sot notë pozitive procesit të djeshëm zgjedhor, duke e cilësuar atë të suksesshëm dhe në harmoni me standardet evropiane. Doris Pak, nga ky mision, veçoi dy karakteristika. Sipas saj, dalja e ulët e votuesve nga shumica vjen edhe si pasojë e politikanëve, siç tha ajo, të korruptuar, ndërkaq bojkoti i serbëve si pasojë e thirrjeve të Beogradit.
XS
SM
MD
LG