Ndërlidhjet

logo-print

IVANOVIQ: KËRCËNIME TË HAPURA NDAJ SERBËVE PËR TË MOS VOTUAR


Bekim Bislimi

Nuk është për t’u çuditur fakti se serbët e veriut të Kosovës kanë bojkotuar zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe lokale në Kosovë, si dhe niveli tejet i ulët apo simbolik i daljes së serbëve, që jetojnë në Kosovën qendrore, në këto zgjedhje. Kështu thotë Oliver Ivanoviq, bartës i Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, i cili pohon se kjo ka qenë e pritur, duke pasur parasysh presionin e autoriteteve të Beogradit mbi popullatën serbe në Kosovë, që të mos dalin në zgjedhje. Ai thekson se pas qëndrimit unik të Beogradit dhe thirrjes së fuqishme që të mos dilet në zgjedhje, pas rezultateve të dobëta në institucionet e përkohshme, si dhe mosbesimit tradicional në këto institucione, në të cilat shqiptarët janë shumicë, nuk ka mundur të pritet ndonjë rezultat më i mirë. “Duhet thënë se ka ndikuar edhe frika tek secili serb, se mospjesëmarrja e tyre, në një mënyrë, mund ta dobësojë pozicionin negociator të Beogradit në bisedime. Kjo tezë na imponohet vazhdimisht, por mendoj se është e gabuar. Duhet shtuar se ka pasur presion të tmerrshëm ndaj serbëve, si dhe kërcënime dhe frikësime të hapura”, tha Ivanoviq. Disa qytetarë serbë të Mitrovicës kanë përshëndetur vendimin e komunitetit serb për mosdalje në zgjedhje, duke theksuar se i pranojnë vetëm zgjedhjet e organizuara nga Serbia. Stojan Angjelkoviq thotë se modalja e serbëve në zgjedhjet e djeshme ka treguar unitetin e këtij komuniteti, si dhe dëgjueshmërinë ndaj Beogradit zyrtar. “E kemi përkrahur vendimin e Ekipit Negociues serb, gjegjësisht kryetarit dhe kryeministrit të Serbisë, që të mos dalim në zgjedhje, sepse dalja jonë do t’i jepte legjitimitet të ashtuquajturës republikë apo shtet të tyre”, tha Angjelkoviq. Ndërkaq, Nebojsha Mijatoviq tha se një prej shkaqeve të mosdaljes në votime, ishte mosbesimi ndaj institucioneve të përkohshme në Kosovë. “Këtë e mbështes në faktin se gjatë këtyre 8 vjetëve, politikanët kosovarë nuk i kanë sjellë asgjë të mirë popullit serb. Arsyeja e dytë është mosbesimi në politikanët serbë, të cilët kanë vendosur që të dalin në zgjedhje me gjithë faktin se kreu serb nga Beogradi, në mënyrë unanime, ka thënë që serbët të mos dalin në zgjedhje. Kjo do të thotë se ata janë tradhtarë të popullit të tyre”, u shpreh Mijatoviq. Ndryshe nga bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët në veriun e Kosovës, në Kosovën qendrore ka pasur pjesëmarrje simbolike të serbëve në zgjedhje. Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, që ka konkurruar në zgjedhje, ka thënë se mentalisht Partia e Pavarur Liberale është plasuar si e para në 90 për qind të vendvotimeve. “Partia e Pavarur Liberale është e kënaqur me përkrahjen që ka marrë, para së gjithash, nga serbët e Kosovës qendrore. Por, njëkohësisht, jemi të zhgënjyer me nivelin e ulët të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, i cili është kushtëzuar nga thirrja e Qeverisë në Beograd, si dhe me organizimin e dobët nga Komisioni Qendror Zgjedhor”, tha Petroviq. Sidoqoftë, ai shtoi se me gjithë faktin se dalja e serbëve në zgjedhje ishte simbolike dhe jo e kënaqshme, këto zgjedhje kanë treguar se në komunitetin serb ekziston pjekuria politike dhe kapacitetet demokratike dhe se me gjithë dallimet e mëdha politike, zgjedhjet kanë kaluar pa ndonjë incident serioz.
XS
SM
MD
LG