Ndërlidhjet

PDK-JA FESTON FITOREN, LDK-JA DHE PARTITË TJERA PRESIN NGRITJE TË REZULTATEVE


Albana Isufi

Rezultatet preliminare jozyrtare të zgjedhjeve kanë bërë që disa parti tashmë ta festojnë fitoren, përderisa të tjerat edhe më tej presin rezultatet zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor. Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo, që sipas koalicionit ‘Demokracia në Veprim’, ka fituar 34 për qind të votave, thotë se fitorja e këtij subjekti politik është bërë e mundur pas punës dhe projekteve që i janë ofruar elektoratit. “Mendoj se PDK-ja ka punuar intensivisht me projektet e veta, me njerëzit e vet. Dhe, duke i ofruar ato para qytetarëve, qytetarët kanë reaguar pozitivisht përballë këtyre ndryshimeve dhe duket që jemi partia e parë politike në Kosovë. Dhe, jo vetëm një fitore minimale, por e mjaftueshme, që PDK-ja ta udhëheqë me sukses vendin në 4 vitet e ardhshme”, tha Kuçi. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila me 22 për qind të votave, për herë të parë, renditet e dyta në skenën politike, konsideron se megjithatë, në qendrat e mëdha me më shumë votues, LDK-ja ka arritur ta ruajë besimin. Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, ka thënë se cilido që të jetë rezultati zyrtar, ai do të njihet dhe respektohet nga LDK-ja. “Tani për tani nuk kemi të dhëna që do të ishin të dhëna komplete për tërë procesin zgjedhor dhe presim që në ndërkohë të marrim të dhëna të plota nga komisionarët tanë në terren. Ne e njohim procesin e mirëfilltë zgjedhor, njohim vlefshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe normalisht, pas mbledhjes së të gjitha të dhënave, do të urohet fituesi. Nuk besojmë se do të ngutemi të japim shumë të dhëna, që nuk janë shumë të argumentuara”, tha Miftari. Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka bashkëqeverisur deri tash me LDK-në, rezultatin prej 9 deri në 10 për qind e konsideron si një fitore. Zëdhënësi Besnik Tahiri thotë se marrë parasysh vështirësitë që ka pasur kjo parti, rezultati prej 10 për qindësh është i kënaqshëm. “Ne, fillimisht, jemi të kënaqur që procesi ka kaluar mirë. Pastaj, jemi të kënaqur që si subjekt politik, kemi pasur ngritje, duke marrë parasysh goditjet që i kemi pasur. Ne mendojmë se jemi mbi 10 për qind; tash nuk dua të spekuloj me përqindjen. Por, për ne kjo është një ngritje dhe tregon se ne si subjekt politik jemi seriozë dhe subjekt që di të punojë në rrethana të vështira, di të veprojë dhe të marrë besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri. Subjekti i ri politik, i cili garoi për herë të parë në këto zgjedhje, Aleanca Kosova e Re, që, sipas rezultateve jozyrtare, është renditur e treta, thotë se po pret ende rezultatet zyrtare të KQZ-së. Zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci, konsideron se AKR-ja ka shënuar rezultate të mira edhe në shumë komuna të Kosovës. “Presim rezultate të mira në Prishtinë, meqë këtu po bëhet një garë e fortë për kryetarin e komunës. Deri tash, në Prishtinë jemi duke udhëhequr në nivelin e deputetëve. Besojmë fuqishëm se edhe në disa komuna tjera, si Kamenicë, Mitrovicë, Lipjan dhe Fushë Kosovë, jemi shumë mirë. Në nivel qendror jemi renditur ndër partitë kryesore dhe shpresojmë se kështu do të jetë deri në fund”, u shpreh Geci. Edhe zyrtarë të subjektit tjetër të ri politik, Lidhjes Demokratike të Dardanisë, që ka fituar 10 për qind të votave, e konsiderojnë këtë si një rezultat të mirë. Zëdhënësi i LDD-së, Lulzim Zeneli, thotë se LDD-ja mund të shënojë ngritje pas numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht. “Ne besojmë se qendrat e votimit ende nuk i janë nënshtruar procesit të numërimit dhe këto do ta ngrenë rezultatin final të LDD-së. Ne duhet të jemi koshientë për periudhën e shkurtër dhe peripecitë në të cilat ka kaluar LDD-ja. Por, në përgjithësi, mund të themi se LDD-ja në këto zgjedhje del si një forcë e fuqishme dhe respektabile në institucione”, theksoi Zeneli. Ndryshe, zyrtarë të Partisë Reformiste Ora nuk janë deklaruar ende rreth rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, që u mbajtën dje në Kosovë. Kjo parti deri tash duket se ka fituar 4 për qind, shifër kjo që nuk e kalon pragun e nevojshëm për të hyrë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se menjëherë pas certifikimit të rezultateve zyrtare, do të angazhohen për të krijuar institucionet para 10 dhjetorit, datë kjo kur përfundojnë negociatat për statusin e Kosovës. PDK-ja ka thënë se nuk do të mbajë qëndrim refuzues ndaj asnjë subjekti politik, por nuk ka bërë të ditur ende se me kë do ta lidhë koalicionin e ardhshëm qeveritar.
XS
SM
MD
LG