Ndërlidhjet

logo-print

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR ZGJEDHJET NË KOSOVË


Kosova duket se do të ecë drejt pavarësisë nën udhëheqjen e një koalicioni të gjerë qeverisës, pas zgjedhjeve të së shtunës të cilat u karakterizuan me apatinë e votuesve shqiptarë dhe bojkotin e votuesve serbë. Kështu shkruan në numrin e sotëm e përditshmja “Independent”, duke rikujtuar rezultatet preliminare, në bazë të të cilave Partia Demokratike e Hashim Thaçit është rradhitur e para.
Në Kosovë, investime të mëdha nuk kanë ndodhur që prej përfundimit të luftës më 1999, papunësia është në nivelin prej 50 për qind dhe qytetarët përballen me reduktime rryme dhe uji në baza ditore. Janë këto çështje me të cilat duhet të merret zoti Thaçi, përveç ldershipit të tij në rrugën drejt pavarësisë.
E njejta gazetë, “Independent”, në një shkrim editorial, shkruan se fitorja e qartë në zgjedhjet e përgjithshme të së shtunës duket se i takon Partisë Demokratike të Hashim Thaçit, partia e të cilit ka qenë më e zëshmja në pritje të pavarësisë së plotë për Kosovën. Independent, duke thënë se pjesëmarrja në votime ka qenë më e ulta deri më tash dhe kjo tregon se madje edhe votuesit nga rradhët e shumicës shqiptare tani janë të frustruar dhe cinikë në raport me procesin politik.
Në kuadër të ofertës politike, Hashim Thaçi është zotuar se do ta shpallë pavarësinë formale nga Serbia pasi të ketë skaduar afati për arritjen e një marrëveshjeje më 10 dhjetor. Por, shkruan “Independent”, një deklaratë e njëanshme e këtij lloji është rezultat i asaj të cilën Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, qeveria Serbe dhe mbështetësit e saj rusë, kanë bërë përpjekje maksimale për ta shmangur. Rruga drejt pavarësisë së Kosovës nuk është menduar asnjëherë se do të jetë e lehtë. Përderisa fuqitë perëndimore nuk tregojnë një vëmendje më të madhe mbi rreziqet aktuale, Kosova rrezikon të shndërrohet në një vend në të cilin do të jemi të përfshirë më shumë se c’duhet, shkruan në fund “Independent”.
E përditshmja tjetër, “Financial Times”, shkruan se zoti Thaçi, megjithatë mbetet i përkushtuar në arritjen e një shtetësie të njohur ndërkombëtarisht nëpërmjet bashkëpunimit me Perëndimin dhe jo nëpërmjet veprimeve të përshpejtuara që do të mund t’i thellonin problemet ekonomike në Kosovë. Megjithë faktin se shqiptarët synojnë pavarësinë, pjesëmarrja e ulët në votime, është tregues i zhgënjimit me partitë politike, në një vend ku papunësia arrin në 50 përqind, shkruan “Financial Times”.


XS
SM
MD
LG