Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT PËRFAQËSON KOSOVËN DERI NË KONSTITUIMIN E INSTITUCIONEVE


Zijadin Gashi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përgëzuar sot qytetarët, të gjitha subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, si dhe organizatorin, për një proces të suksesshëm demokratik. Ndërkohë që ka shprehur edhe pakënaqësinë e tij me numrin e ulët të votuesve në këto zgjedhje. Sidoqoftë, presidenti Sejdiu tha se zgjedhjet ishin të suksesshme dhe përgëzoi fituesin. “Dëshiroj me këtë rast të vlerësoj lart procesin e zgjedhjeve të organizuara në Kosovë, më datën 17 nëntor, ku qytetarët e Kosovës treguan pjekuri të lartë politike, duke qenë pjesëmarrës të rëndësishëm në një proces me domethënie të veçantë, në të cilin po kalon Kosova. Megjithatë, duhet të shpreh keqardhjen time për përqindjen e ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje, edhe pse kjo nuk e zbeh shkallën e lartë të kulturës demokratike të demonstruar”, tha presidenti Sejdiu. Duke u ndërlidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe ndikimin në procesin e statusit, ai tha se prioritetet e Kosovës, kur është në pyetje statusi, mbeten ato që kanë qenë deri më tani, përkatësisht përmbyllja sa më e shpejtë e procesit me pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Ekipi i Unitetit pritet që të vazhdojë të punojë në këtë përbërje edhe në dy takimet e radhës, sa kanë mbetur deri në fund të fazës shtesë të negociatave. Në anën tjetër, analistët parashohin ndryshime në përfaqësimin e Kosovës, në trupin që do ta përfaqësojë atë në procesin e statusit. Ramush Tahiri konsideron se procesin e statusit do ta marrë në duart e veta, për sa i përket palës kosovare, qeveria e re, sapo të formohet. “Konsideroj se Ekipi i Unitetit do të ndërrojë rrënjësisht në strukturën e tij. Jo që do të ketë mungesë kontinuiteti, por do të ketë rikompozim. Dhe, konsideroj se qeveria do t’i marrë të gjitha përgjegjësitë dhe do të jetë lideri kryesor që e udhëheq Ekipin e Unitetit, nëse do të ketë nevojë që të ketë ekip të tillë edhe më tej. Por, konsideroj se bisedimet do të koncentrohen në qeveri dhe ministritë përkatëse”, tha Tahiri. Sa i përket ruajtjes së një kompozimi që do të përfaqësonte tërë spektrin politik lidhur me statusin, Tahiri konsideron se edhe pa një trup të tillë, siç është sot Ekipi i Unitetit, këtë kompozim do ta ruajë qeveria, pasi që ai beson se zgjedhjet do të prodhojnë një qeveri gjithëpërfshirëse apo përfshirëse të spektrit më të madh politik në Kosovë. “Lideri i PDK-së është deklaruar për qeveri gjithëpërfshirëse dhe kjo mund të nënkuptojë që do t’u bëjë ofertë të gjitha partive politike për pjesëmarrje në qeveri dhe ky është unifikim në kuadër të qeverisë, unifikim në kuadër të ministrive përkatëse”, vlerëson Tahiri. Sidoqoftë, Ekipi i Unitetit në përbërjen e deritanishme është nisur për në Bruksel, ku nesër do të zhvillojë takimin e radhës me Beogradin, me ndërmjetësimin e Treshes ndërkombëtare. Pas Brukselit, delegacionin e Kosovës e pret edhe takimi i fundit në Vjenë, më 26 nëntor, para se Treshja ta finalizojë dhe t’ia dërgojë raportin për procesin negociues Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, me konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe me formimin e qeverisë, përfaqësimi i Kosovës në procesin e statusit pritet të jetë i varur pikërisht nga këto dy instanca.

XS
SM
MD
LG