Ndërlidhjet

logo-print

MBI 400 TË VETËVRARË QË PREJ PËRFUNDIMIT TË LUFTËS


Nadie Ahmeti

Gjinia femërore tregon rrezik më të lartë për tentim-vetëvrasje, ndërkaq gjinia mashkullore vepron duke i marrë jetën vetes. Kështu është thënë sot gjatë një konference ndërkombëtare, ‘Parandalimi i vetëvrasjeve tek të rinjtë - sfidë apo mundësi’, që është mbajtur në Prishtinë. Vetëvrasjet në Kosovë kanë filluar të zgjerohen dhe numri i tyre po rritet dita-ditës, thotë Ferid Agani, neuropsikiatër, sipas të cilit, ky fenomen tashmë është shqetësues për shoqërinë kosovare. Prej pas përfundimit të luftës deri në qershor të vitit 2006, sipas Aganit, në Kosovë kanë bërë vetëvrasje 422 persona, 111 prej tyre të moshës se re, ndërkaq në shumicën e rasteve, personat që kanë bërë vetëvrasje, kanë qenë nga viset urbane. “Indeksi i vetëvrasjeve në Kosovë nga viti 1972, kur ka qenë 1.68, është rritur në 4.2. Pra, kemi të bëjmë me një trefishim të numrit të vetëvrasjeve. Ende ky indeks është më i ulëti në Evropë, por duhet ta kemi parasysh faktin se popullata jonë, me dekada të tëra, ka qenë në fund të radhitjes së rajoneve dhe shteteve sipas numrit të vetëvrasjeve”, pohoi Agani. Ndërkaq, Vera Remshkar, drejtoreshë ekzekutive e fondacionit ‘SË BASHKU’, thotë se numri më i madh i personave që bëjnë vetëvrasje, është deri në moshën 26 vjeçare. “Sipas statistikave, numri më i madh i vetëvrasjeve është deri në moshën 26 vjeçare, ndërkaq fillon me 9 vjeç; ky është rasti më ekstrem”, thotë Remshkar. Dhe, për këtë arsye, Ferid Agani thotë se është momenti i fundit, që institucionet vendore duhet të mendojnë më shumë për ngritjen e mirëqenies psikologjike dhe psiko-sociale të rinisë kosovare. “Në përgjithësi, institucionet e Kosovës nuk kanë qenë shumë të preokupuara me ndikimet e tranzicionit të shpejtë kulturor dhe me ndikimet e zhvillimeve sociale, ekonomike dhe politike në rininë tonë. Mendoj se është koha e fundit, kur këto çështje duhet të adresohen në mënyrë adekuate, sepse, me një popullatë që ka strukturë të tillë demografike, e cila është specifike për krejt Evropën, mendoj se duhet të kalojmë nga fjalët në vepra dhe të ndërmerren vërtet veprime konkrete”, theksoi Agani. Edhe psikologu Aliriza Arënliu thotë se çështja e shëndetit mendor tek të rinjtë kosovarë, duhet të merret më seriozisht pas krijimit të Qeverisë së re. “Disa hapa shumë konkretë që mund të bëhen në nivelin e institucioneve publike. Për shembull, mund të punësohen psikologë nëpër shkolla. Këta psikologë do të kenë programe të sistematizuara, në bazë të cilave do të punojnë”, tha Arënliu. David Schaffer, psikolog në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se fenomeni i vetëvrasjeve është i pranishëm në tërë botën. Por, sipas tij, mundësia më e lehtë për parandalimin e vetëvrasjeve tek të rinjtë, është mënyra e komunikimit. “Një faktor tjetër i rëndësishëm, që rrit nivelin e vetëvrasjeve tek adoleshentët, është në një mënyrë modelimi. Nëse fëmijët dëgjojnë duke u folur për vetëvrasje dhe nëse janë në vende ku flitet për këtë dukuri, kjo e rrit nivelin e mundësisë për të bërë vetëvrasje”, tha Schaffer, duke shtuar se nuk duhet të flitet me adoleshentë për vetëvrasje. “Është në rregull nëse i pyetni ata për vetëvrasje, por nuk është në rregull të diskutohet për vetëvrasje”, tha ai. Ndryshe, me qëllim të parandalimit të vetëvrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve, Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përgatitur Strategjinë Shëndetësore për Kosovën 2005-2015, zbatimi i së cilës pritet të fillojë në vitin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG