Ndërlidhjet

logo-print

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR POLITIKËN EVROPIANE NË KOSOVË


Diplomatët evropianë janë të bindur se Bashkimi Evropian do të shmangë ndarjet e turpshme në këtë bllok mbi të ardhmen e Kosovës, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”. Gazeta shkruan se ndarjet rreth Kosovës do të mund të rrezikonin me përsëritjen e ndarjeve të mëhershme gjatë luftës në Bosnjë dhe invazionit amerikan në Irak, duke e lënë Bashkimin Evropian në pamundësi për të zbatuar një qasje të përbashkët dhe efektive në politikën e jashtme. Gjithashtu, “Wall Street Journal”, shkruan se ndarjet do të shpërblenin Moskën me një veto efektive në politikën e Bashkimit Evropian në Ballkan. “Kësaj rradhe nuk mund t’ia lejojmë vetes të dështojmë”, citon gazeta një diplomat, vendi i të cilit kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës, por është i përkushtuar në arritjen e një politike të përbashkët evropiane.
E përditshmja londineze ,“Guardian”, shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha botërore janë duke bërë përpjekje të shmangin krizën gjithnjë e në rritje në Kosovë, duke ofruar një marrëveshje për të shmangur shpalljen e menjëhershme të pavarësisë. Gazeta rikujton edhe zotimin e Hashim Thaçit, partia e të cilit fitoi në zgjedhjet e së shtunës, se do të shpallë pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit. Por, zyrtarët evropianë dhe ata të Kombeve të Bashkuara thonë se ai me siguri do ta shtyjë vendimin për shpallje për të kapitalizuar mbështetjen ndërkombëtare. Gazeta citon një zyrtar të lartë të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë të ketë thënë se “Thaçi do të jetë në një pozicion të fuqishëm, por ai nuk do të bëjë asgjë pa dritën e gjelbërt nga Washingtoni dhe vendet kyçe të bashkimit Evropian. Thaçi është duke i dëgjuar amerikanët me shumë kujdes dhe ata janë duke synuar mesin e janarit për këtë çështje”, ka thënë ky zyrtar për të përditshmen “Guardian”.
E përditshmja amerikane “Boston Globe” shkruan se Evropa ende përballet me problemin e Ballkanit. Duke e cilësuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë si veprim që mund të nxisë jostabilitet në Ballkan dhe përtej, gazeta shkruan se pothuajse të gjitha vendet anëtare tw Bashkimit Evropian janë të shqetësuara mbi këtë veprim, edhe pse rreth 20 anëtarë nga 27 sa ka gjithsejt blloku evropian, janë në favor të pavarësisë. “International Herald Tribune” ndërkaq shkruan se blloku evropian është duke e këshilluar Prishtinën që të veprojë me kujdes, nga shqetësimet se shpallja e njëanshme e pavarësisë mund të nxisë komunitetin serb në Kosovë që t’i kthehet në tërësi Beogradit. Por, diplomatët evropianë, të afërt me negociatat të cilat po zhvillohen rreth statusit, privatisht kanë pranuar se shpallja e pavarësisë mund të jetë gjithëçka, por është e pashmangshme. Ata kanë thënë se kërkojnë vetëm nga Prishtina që një shpallje e këtillë të ndodhë në koordinim me Brukselin dhe Washingtonin për të parandaluar një vakuum politik që do të mund të përshkallëzonte dhunën në të dyja anët, shkruan në fund “International Herald Tribune”.

XS
SM
MD
LG