Ndërlidhjet

ANALISTËT: NË ÇËSHTJEN E KOALICIONIT, NDIKIM DO KENË EDHE ZYRAT E HUAJA


Bekim Bislimi

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 17 nëntorit kanë treguar se për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, partia që ka fituar më së shumti vota, Partia Demokratike e Kosovës, duhet të krijojë koalicion me subjektet tjera, të cilat kanë fituar përqindje relevante të votave, thonë analistët në Kosovë. Analisti Driton Lajçi thekson se koalicioni i ardhshëm do të varet nga qëndrimi i liderit të partisë që ka fituar më së shumti vota, si dhe nga ndikimi i zyrave të huaja përfaqësuese në Kosovë. “Do të ishte në rregull, parimisht, që koalicioni të ndërtohej në bazë të partive opozitare, në këtë rast, PDK-ja, AKR-ja, LDD-ja dhe Ora, të cilat në njëfarë mënyre nuk kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës LDK dhe AAK. Por, në qoftë se mbështetemi në disa spekulime, të cilat po qarkullojnë këtyre ditëve në Prishtinë, thuhet se zyrat e huaja, në njëfarë mënyre, kanë këshilluar që koalicioni, i cili do të krijonte stabilitet politik, është ai në mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Lajçi. Ndikimin e zyrave të huaja për krijimin e koalicioneve e parasheh edhe analisti Migjen Kelmendi, i cili thotë se momenti në të cilin gjendet Kosova dhe rrethanat politike do ta vënë Partinë Demokratike të Kosovës në pozitë jokomode për të krijuar koalicion qeveritar. Por, pavarësisht raporteve, siç i quan ai, jo të mira në të kaluarën në mes PDK-së dhe LDK-së, koalicioni në mes tyre ose i një baze të gjerë do të ishte më i arsyeshmi. “Në këso situatash, një qeveri e një baze të gjerë, mendoj se do të ishte shumë më e fuqishme në marrjen e atyre vendimeve, sesa një koalicion i mundshëm, që ka për qëllim, ta zëmë, dënimin e ndonjë partie të derisotme apo ndonjë situate kësisoj. Pra, PDK-ja, LDK-ja dhe eventualisht ngërthimi edhe i partive tjera relevante në një qeveri të mundshme të re, do të ishte shumë më e fortë, sesa një qeveri e bazuar në PDK dhe disa satelitë rreth saj. Unë do ta pëlqeja një koalicion të tillë, sepse kjo në të dy partitë ngrit sensin për tolerancë dhe për sfidat që po e presin shoqërinë kosovare. Shumë shpejt duhet të merren vendime të rëndësishme për këtë vend”, theksoi Kelmendi. Në anën tjetër, analisti Lajçi shpreh mendimin se krijimi i një koalicioni në mes PDK-së dhe LDK-së, do të mund të kishte reflektime të padëshirueshme për të ardhmen e PDK-së, duke pasur parasysh kritikat që kjo parti i ka bërë si opozitë e deritashme në adresë të LDK-së. “Zaten, mbi bazën e atyre kritikave për keqmenaxhim, keqqeverisje, keqbërje të koalicionit LDK – AAK, tash PDK-ja do të duhej ta amnistojë LDK-në, në rast se dëshiron që ta ketë si partner të koalicionit. Mirëpo, unë mendoj se kjo, në të njëjtën kohë, është një terren i rrëshqitshëm, sepse zgjedhjet lokale do të duhej të mbahen pas dy vjetëve. Ne gjithnjë e më shumë po shohim edhe rritjen e vetëdijesimit të votuesve të Kosovës dhe mund të ndodhë që edhe Partia Demokratike, në një të ardhme të afërt, të dënohet, të ndëshkohet nga votuesit”, tha Lajçi. Ndryshe, analisti Kelmendi thekson se kalkulimet rreth koalicioneve të mundshme do të mund të kushtëzohen edhe nga rezultatet e zgjedhjeve për kuvendet komunale dhe për kryetarë të komunave. “Në parim, mund të bëhen edhe kësi lloj kalkulimesh, parashikimesh. Prandaj, të gjitha këto parashikime, unë i shoh si të mundshme. Por, personalisht, mendoj se të gjitha këto kalkulime do ta kenë një adresë të fundit dhe ajo adresë është në Dragodan. Mendoj se në çështjet e koalicionit, një influencë dhe një domethënie të rëndësishme do ta ketë partneri, miku dhe përkrahësi më i madh i çështjes së Kosovës, SHBA-të dhe Zyra amerikane këtu në Kosovë”, tha Kelmendi.
XS
SM
MD
LG