Ndërlidhjet

A MUND TË KRIJOHEN INSTITUCIONET E REJA PARA 10 DHJETORIT?


Albana Isufi

Dhjetë dhjetori, data kur përfundojnë negociatat 120 ditëshe dhe Treshja i raporton Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, shihet nga kosovarët si një afat kohor, para të cilit duhet të formohen institucionet e reja, të dala nga zgjedhjet e së shtunës. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka njoftuar se do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve më 4 dhjetor, ndërkohë që sipas Kornizës Kushtetuese, brenda 30 ditësh pas certifikimit duhet mbajtur seanca konstituive e Kuvendit. Profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se në aspektin legal, asgjë nuk e pengon krijimin e institucioneve të reja para datës 10 dhjetor. “Pas certifikimit të rezultateve të votimit, brenda 30 ditësh duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ndërkohë presidenti, me një dekret të veçantë, do të duhej ta emërojë mandatarin për formimin e qeverisë, në mënyrë që ai të ketë kohë për ta afirmuar qeverinë dhe për ta dërguar atë në mocion besimi në Parlament. Unë mendoj se Kuvendi nuk do ta presë këtë afat 30-ditësh, por menjëherë pas certifikimit të rezultateve, do të mund të thirret seanca e Kuvendit, ku do të konstituohet Kuvendi dhe pastaj presidenti do të mund të fillonte procedurën e zgjedhjes së kryeministrit të Kosovës dhe votimit të Qeverisë së Kosovës”, tha Bajrami. Krijimi i qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2001 qe vonuar për më shumë se tre muaj, për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ndërkaq, edhe Qeveria Haradinaj qe formuar më shumë se një muaj pas zgjedhjeve të vitit 2004. Megjithatë, juristi Ilir Dugolli thotë se tani nuk ekziston një rrezik i tillë. “E tëra varet nga marrëveshjet që do arrijnë palët. Unë besoj se duke e ditur rezultatin e zgjedhjeve, palët, do të thotë partitë kryesore, tanimë janë duke biseduar. Madje, ka pasur bisedime edhe para së të bëhej i qartë rezultati. Kështu që në të vërtetë nuk ka asnjë pengesë që sa më shpejt të konvokohet Kuvendi, menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga PSSP-ja dhe nga ai Kuvend të dalë kryeministri me qeverinë, që do të jetë i nominuar paraprakisht nga kryetari i Kosovës”, tha Dugolli. Por, sa i përket postit të kryetarit të Kosovës, ai ka mandat deri në vitin 2009. Megjithatë, analistët thonë se posti i tij mund të rrezikohet, në rast se LDK-ja mbetet në opozitë, pasi që shumica do të mund ta shkarkonte atë dhe të zgjidhte kryetarin e ri. Megjithatë, Dugolli nuk beson se fituesja e këtyre zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës, do të bëjë përpjekje për ta ndërruar presidentin aktual. “Varet se kush me kë do të bëjë marrëveshje, por unë nuk shoh tani gjasa që të ketë lëvizje. Teorikisht është e mundur, por, në aspektin teknik, nuk besoj se do të këtë lëvizje kjo, ndër të tjera, për shkak se faktori ndërkombëtar nuk parapëlqen të ketë lëvizje dhe tronditje të mëdha. Prandaj, unë nuk shoh as në anën e PDK-së ndonjë interesim të madh për ta lëvizur kryetarin Sejdiu nga vendi i tij”, tha Dugolli. Por, në anën tjetër, Arsim Bajrami, që vetë ka marrë pjesë në hartimin e Kornizës Kushtetuese, nuk është i sigurt nëse posti i presidentit do të mbetet pa u lëvizur. “Ne kemi një president parlamentar, funksionon ky model dhe Korniza Kushtetuese është shumë e qartë në këtë drejtim. Unë shpresoj se do të ketë interpretim më adekuat të kësaj dispozite kushtetuese, që i përgjigjet modelit të një presidenti parlamentar”, theksoi Bajrami. Krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja është duke u kërkuar vazhdimisht, në mënyrë që mungesa e tyre të mos jetë justifikim për zvarritjen e mëtejme të zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
XS
SM
MD
LG