Ndërlidhjet

DUHET NJË ANGAZHIM INSTITUCIONAL PËR PARANDALIMIN E VETËVRASJEVE TEK TË RINJTË


Nadie Ahmeti

Vetëdijesimi i popullatës për parandalimin e vetëvrasjeve dhe përfshirja e psikologëve në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, janë disa nga rekomandimet e konferencës ndërkombëtare treditore, që është mbajtur në Prishtinë, me temën ‘Parandalimi i vetëvrasjeve tek të rinjtë - sfidë apo mundësi’. Ekspertë të shëndetit mendor, me këtë rast, kanë thënë se e veçanta e kësaj konference është se për zbatimin e rekomandimeve nuk nevojiten mjete të mëdha materiale, por vetëm angazhim dhe seriozitet i institucioneve vendore. Ferid Agani, neuropsikiatër, pohon se parandalimi i vetëvrasjeve duhet të fillojë nga çështjet shumë bazike, duke filluar nga ndalimi i shitjes së barnave nëpër barnatore pa recetë të mjekut. “Ndalimi i dhënies së barnave tek fëmijët, ndalimi i shitjes së alkoolit nën moshën 18 vjeçare; më pastaj, një masë edhe më konkrete, punësimi i psikologëve nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës; gjetja e mjeteve, që nuk është një shumë e madhe, është shumë simbolike, për trajnimin e këtyre psikologëve për ballafaqimin me ideacionet vetëvrasëse tek të rinjtë nëpër shkollat tona”, thotë Agani. Këto masa, shton ai, do të ndikojnë në një lëvizje të vogël për parandalimin e këtij fenomeni, që në Kosovë tashmë ka marrë përmasa shqetësuese, pasi numri i vetëvrasjeve, siç thotë Agani, dita-ditës po rritet. “Duke marrë parasysh strukturën demografike të popullatës dhe gjendjen aktuale sociale, ekonomike dhe politike, situata është shqetësuese dhe duhet marrë me seriozitet të madh. Duhet marrë me problemet reale, ku edhe qëndrojnë shkaqet e kësaj dukurie negative në mesin tonë, e këto janë: mbështetja e dobët emocionale e fëmijëve brenda familjes dhe në shkolla, kujdesi i dobët institucional për të rinjtë dhe nevojat e tyre. Pra, këto janë probleme që në esencë duhet të jenë subjekt i interesimit të institucioneve tona dhe planeve dhe veprimeve konkrete”, tha Agani. Ai pohon se institucionet vendore duhet t’i kushtojnë rëndësi të madhe këtij fenomeni, në mënyrë që mos t’i marrë përmasat e vendeve tjera të rajonit. “Në shumë shtete ku vetëvrasjet kanë marrë përmasa epidemike, ai është bërë problem numër një - politik, social dhe shëndetësor. Prandaj, ne nuk duhet ta lëmë dhe të presim që pas 10-15 vjetëve, Kosova të vijë në situatën e Sllovenisë, e cila numrin e vetëvrasjeve për një vit e ka sa e ka pasur Kosova për shtatë vjetët e pas luftës”, thotë Agani. Ndërkaq, Andrej Marushiç, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik në Slloveni, thotë se në këtë konferencë janë bërë të qarta rekomandimet për parandalimin e vetëvrasjeve dhe, sipas tij, tashmë i mbetet institucioneve përkatëse që të merren me zbatimin e tyre. “Ne e dimë tashmë përafërsisht se cila është situata në Kosovë, e dimë se duhet të përfshihen këto pika që janë shqyrtuar dhe besoj se në të ardhmen do të kemi rezultate pozitive”, shprehet Andrej Marushiç. Ndryshe, Ferid Agani nuk është shumë optimist se institucionet përkatëse do të merren seriozisht me parandalimin e vetëvrasjeve tek të rinjtë. “Kapacitetet ekzistojnë në letër, por kur të vijë puna tek zbatimi konkret, besoj se do të kemi shumë vështirësi, duke marrë parasysh nivelin e funksionalizimit të institucioneve vendore dhe momentin aktual në të cilin gjendemi“, theksoi Agani. Prej pas përfundimit të luftës e deri në vitin 2006, numri i vetëvrasjeve në Kosovë ka arritur në 422, por, edhe përkundër kësaj shifre, Kosova vazhdon të mbetet vendi me përqindje më të ulët të vetëvrasjeve në rajon. Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, në shumicën e rasteve këtë akt e kanë përfunduar personat deri në 26 vjeç, duke përfshirë këtu edhe një fëmijë 9 vjeç.
XS
SM
MD
LG