Ndërlidhjet

logo-print

SA DO TË THYHEN SHTIZAT MES KRYETARIT TË KOMUNËS DHE ASAMBLESË KOMUNALE?


Albana Isufi

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor tregojnë se kandidatët për kryetarë komunash të Prizrenit, Obiliqit dhe Novobërdës, që kanë fituar më së shumti vota, nuk i përkasin të njëjtës parti politike që ka fituar shumicën në asambletë komunale të këtyre qyteteve. Njohës të çështjeve mbi pushtetin lokal thonë se kjo formulë mund të shkaktojë situata konfliktuoze mes kryetarit të zgjedhur direkt nga qytetarët dhe asamblesë. Eksperti për çështje të pushtetit lokal, Arben Gashi, thotë se në këto raste, shumica mund të ketë tendencë bllokuese ndaj iniciativave të kryetarit. ”Problematika e parë do të jetë miratimi i bordit të drejtorëve nga asambleja. Nëse nuk do të jetë shumica e asamblesë lokale pro këtij blloku, atëherë do të kemi problematikë bllokuese. Me një qasje negative, mund të themi se do të kemi problematika jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa nëse do të shihej një rrjedhë logjike e asaj se çka do të ndodhë realisht, atëherë mund të themi se kryetari i komunës, në të shumtën e rasteve, është i fuqishëm në aspektin e legjitimitetit demokratik të votës, sepse ka raste kur i vetëm kryetari i komunës ka marrë vota më shumë, sesa të gjitha partitë së bashku. Kështu që do të ishte jo shumë logjike, nëse asambleja komunale do të ketë efekte bllokuese, edhe pse i njihet kjo e drejtë”, tha Arben Gashi. Megjithatë, këshilltari në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Dardan Gashi, nuk sheh ndonjë pengesë në këtë drejtim, pasi, sipas tij, rregulloret në fuqi i japin më shumë kompetencë kryetarit të komunës, sesa që ka pasur më herët. “Formula nuk është eksperiment vetëm për qeverisjen në Kosovë. Kuvendet komunale kanë pothuajse të njëjtin rol sikur edhe Parlamenti, ndërsa kryetari i komunës do ta ketë pak a shumë rolin e kryeministrit. Do të thotë, do të ketë më shumë kompetenca ekzekutive, sesa që ka pasur kryetari i komunës në të kaluarën, i cili ka pasur më shumë një funksion formal”, tha Dardan Gashi. Arben Gashi thotë se puna e kuvendeve komunale do të ndikohet edhe nga koalicioni qeverisës në qendër. Për të evituar situata të ndikimit nga lart, Gashi mendon se duhen krijuar koalicione në nivel lokal, që përkojnë me realitetin në komunën përkatëse. “Koalicionet në nivel qendror do ta ndikojnë relativisht shumë qeverisjen lokale. Do të ishte mirë që koalicionet për nivel qendror të shtyhen deri pas zgjedhjeve lokale, në mënyrë që vullneti demokratik i qytetarëve të shprehej më lirë dhe në bazë të këtij vullneti të ndërtoheshin institucionet në nivel lokal, pastaj të bëhet koalicioni për nivel qendror, pastaj të bëheshin koalicione spontane në nivel lokal, në mënyrë që të përfaqësoheshin më mirë interesat e qytetarëve”, theksoi Arben Gashi. Por, Dardan Gashi thotë se me rregulloret e reja për pushtetin lokal, kryetari i komunës nuk ka nevojë që për secilin vendim të konsultohet me asamblenë komunale, por mund t’i marrë vetë vendimet. “Kur është puna te buxheti e te disa pika tjera, i duhet mbështetja e asamblesë komunale, por në gjëra të përditshme nuk i nevojitet, ashtu sikurse edhe nuk i nevojitet kryeministrit vendimi i Parlamenti për gjëra të përditshme”, tha Dardan Gashi. Sidoqoftë, përplasja mes kryetarit të komunës dhe asamblesë, sipas analistëve, do të mund të vërehet më shumë në Prishtinë. Edhe në kryeqytet, sikurse në 23 komuna tjera, do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve, pasi kandidatët nuk kanë fituar kuotën e domosdoshme për t’u zgjedhur kryetar. Në raundin e dytë, duket se do të garojë Isa Mustafa nga LDK-ja, që aktualisht kryeson, kundër Fatmir Limajt të Partisë Demokratike të Kosovës. Por, forca e dytë në asamblenë komunale, me një dallim të vogël prej shumicës që kryesohet nga LDK-ja, i takon Aleancës Kosova e Re. Kjo nënkupton se në secilin variant do të duhej të formoheshin koalicione, qoftë afatgjate, qoftë sa për miratimin e ndonjë projekti të propozuar nga kryetari.

XS
SM
MD
LG