Ndërlidhjet

logo-print

HAZIRI:”LDK-JA MË 5 DHJETOR DO TA QARTËSOJË POZITËN E VET”


Lutfi HAZIRI, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, Lidhja Demokratike e Kosovës, për herë të parë që prej themelimit të saj, në zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit u radhit si forcë e dytë politike. Cilat mendoni se janë arsyet që kanë ndikuar në këtë drejtim?

LUTFI HAZIRI
Ende nuk kemi bërë një analizë të thellë, meqë jemi në fazën e dytë të procesit zgjedhor, që ka të bëjë me certifikimin e zgjedhjeve dhe me raundin e dytë për kryetarë të komunave. Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë fazë, është marrë vetëm me vlerësime sipërfaqësore dhe me angazhim, kontinuitet, për të fituar komuna në të cilat është në balotazh, 18 prej tyre. Keni të drejtë, 18 vjetët e fundit ne kemi udhëhequr; edhe në rrethana shumë të rënda, edhe pas luftës kemi qenë fitues realë. Njëra nga arsyet që unë e kam përmendur dhe vazhdoj ta nxjerr si argument kryesor, ka të bëjë me atë që Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë i ka fituar zgjedhjet, por asnjëherë nuk e ka qeverisur vendin, për shkak të tolerancës, për shkak të angazhimit për stabilitet dhe politikës gjithëpërfshirëse në udhëheqjen e vendit në këtë fazë të rëndësishme të zhvillimeve në Kosovë. Si duket, nuk kemi arritur ta bindim elektoratin shumë, që edhe po të dilte rezultati pozitiv, ne do të jemi ata që do ta qeverisim definitivisht vendin. Por, ka edhe arsye tjera. Është rrugë e gjatë, është rrugë e mundimshme; ka lidhshmëri edhe me premtimin për përmbylljen e procesit të statusit gjatë kësaj vere, ka edhe angazhime tjera që duhet të vlerësohen thellë, ngadalë, që të vihet deri te konstatimi se cilat janë vërtet shkaqet.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej shqetësimeve të ngritura, posaçërisht nga autoritetet ndërkombëtare, në raport me zgjedhjet, ishte pjesëmarrja e ulët e votuesve. Disa kanë thënë se përqindja e vogël është e ndërlidhur me keqqeverisjen e deritanishme; është përmendur edhe moti i lig dhe arsye të tjera. Ju, çfarë mendoni?

LUTFI HAZIRI
Nuk e përmenda me qëllim në përgjigjen time të parë. Ishte pjesëmarrje shumë e vogël. Ne kemi detektuar se numri më i madh i njerëzve që nuk ka dalë në zgjedhje, ka qenë elektorat i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kemi të bëjmë me mosdalje të njerëzve kryesisht në pjesën urbane. Edhe moti i keq ka pasur ndikime, sepse katër orët e fundit të 17 nëntorit kanë qenë të përfshira me mot shumë të keq. Por, duhet të analizohet thellë, të detektohet arsyeja e mosdaljes së njerëzve në vendvotime. Ka qenë pjesëmarrje shumë e ulët dhe kjo pjesëmarrje e ulët nuk lidhet vetëm me këto zgjedhje; edhe në zgjedhjet e kaluara kemi pasur një numër më të vogël të pjesëmarrësve në krahasim me zgjedhjet e para në Kosovë apo me zgjedhjet komunale në përgjithësi. Mund të kualifikohen për shkak të qeverisjes, mund të kualifikohen për shkak të mospërmbylljes së statusit, mund të kualifikohen për shkak të rolit shumë të madh që qeverisja aktuale i ka dhënë edhe faktorëve tjerë në këtë pjesë të procesit, por mendoje se, mbi të gjitha, arsyeja qëndron edhe në kompleksitetin e procesit të zgjedhjeve, sepse kemi pasur tri lloj të zgjedhjeve në të njëjtën kohë. Që të kalohet ky proces ka qenë një vështirësi serioze për qytetarët; tendenca të reformohet mënyra e votimit, hapja e listave dhe shumë arsye të tjera. Nuk ka ndodhur ajo që kemi pritur dhe që kemi vendosur, rifreskimi i listave zgjedhore. Edhe më tutje mbetën lista të mbushura me anëtarë të rinj, por jo të rifreskuara, jo të organizuara në atë formë që do të duhej të ishin. Mendoj se pjesëmarrja do të ishte më e madhe, nëse listat do të ishin të rifreskuara. Sidoqoftë, kjo ka ndodhur; duhet të bëhemi gati për raundin e dytë, Kosova duhet të vendosë formulë stabiliteti në qeverisje. Sido që të ndodhë, nuk është kurrfarë argumenti që pjesa e procesit të statusit të mos përmbyllet menjëherë në fazën e pas 10 dhjetorit dhe populli i Kosovës të lirohet nga frika e së ardhmes. Do të krijojnë një ambient krejt tjetër politik dhe zgjedhjet pas statusit do të jenë proces që do të dëshmonte qartë se ku janë edhe problemet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës, do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu siç po flitet, apo synon të mbetet në opozitë?

LUTFI HAZIRI
Unë e përmenda edhe më herët, Lidhja Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve të kaluara, si fituese absolute e zgjedhjeve të kaluara, ka qenë shumë tolerante dhe ka vendosur formulën e stabilitetit në qeverisje, qoftë në koalicion të madh, qoftë në koalicion me AAK-në. Tash, na duhet një analizë e thellë, na duhet një angazhim serioz rreth asaj se si e shohim veten në këtë pjesë të angazhimeve. Natyrisht se Lidhja Demokratike e Kosovës është faktor që e ka peshën e vet përkundër këtij rezultati. Shumë të tjerë po besojnë se është më e zbehtë, por realisht pesha e saj politike në rrugën për definimin e statusit dhe për të ardhmen edhe për qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shumë e madhe. Besoj se pas certifikimit, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë e gatshme që ta qartësojë këtë pozicion. Deri atëherë, ne mbetemi në angazhime të njëjta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, personalisht, çfarë mendoni, a duhet të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës?

LUTFI HAZIRI
Jemi në fazën e parë të vlerësimeve. Nuk mund të them asgjë nga këto vlerësime sipërfaqësore që mund t’i bëjmë si individë, sepse vlerësimet duhet të dalin nga organet më të larta dhe lidershipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si pjesë e procesit të domosdoshëm. Ju mund të thoni që ‘nuk keni shumë kohë për këto angazhime serioze’... Është e vërtetë. Por, Kryesia, si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të jetë e gatshme që më 5 dhjetor ta qartësojë pozitën e vet. Unë besoj se në gjithçka që do të ndërlidhet me interesin e përmbylljes së shpejtë të statusit të Kosovës, me stabilitetin e domosdoshëm në Kosovë dhe me funksionalitetin që duhet të vendoset, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta ketë rolin e vet pozitiv. Edhe më tutje ekziston fakti i pamohueshëm, se presidenti është në detyrë sipas së drejtës që ia jep Korniza Kushtetuese. Ai vjen nga radha e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por roli i tij ka qenë pozitiv deri në këtë fazë; në të gjitha proceset mendoj se do të mbetet pozitiv. Unë besoj thellë se ai është autoriteti kryesor që mund ta përfaqësojë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, në këto zhvillime që pritet të ndodhin shumë shpejt në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve, ka shqetësime se ky proces do të mund të përplasej me atë të përcaktimit të statusit. A ka rrezik të vakuumit institucional?

LUTFI HAZIRI
Jo, nuk besoj. Institucionet janë në vend derisa të ndodhë ndërtimi i institucioneve të reja. Nuk shoh ndonjë vakuum institucional, shoh zbehje të punës në institucione, që ndodh në çdo shtet demokratik, kur procesi zgjedhor përfundon apo është në përfundim e sipër dhe pritet ardhja e qeverisë së re, emërimi i kryetarit të Kuvendit që e përcakton Korniza Kushtetuese dhe emërimi i organeve tjera që është pjesë e procesit. Derisa të vijnë njerëzit e rinj t’i marrin detyrat, këto organe që janë aktualisht, janë funksionale. Ju po e shihni edhe sot, kryeministri është në detyrë, Parlamenti është në vendin e vet. Ne presim certifikimin, presim emërimin e kabinetit të ri dhe do të ndodhë akti solemn i pranim-dorëzimit të detyrës. Ne jemi duke bërë përgatitjet e fundit, përgatiten dosjet, përgatitet ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës, ashtu siç ndodh në çdo në vend tjetër. Dhe, besoj se në këtë rrafsh, nuk do të ketë as vakuum institucional, as tension ndërpartiak për shkak të rezultateve.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG