Ndërlidhjet

DACI:”S’BESOJ SE DO TË FUNKSIONOJË KOALICIONI PDK-LDK”


Nexhat DACI, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, çështja më e përfolur, këto ditë, është ajo e ndërtimit të koalicionit qeverisës. Formula më e përfolur, në këtë drejtim, është ajo e një koalicioni midis Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

NEXHAT DACI
Unë besoj së është normë demokratike, është vullnet i partive politike. Nuk besoj se do të funksionojë, sepse nuk kanë gati asgjë të përbashkët në aspektin programor. Por, nuk e kundërshtoj dhe të gjitha të mirat që do të mund t’i propozonin, Lidhja Demokratike e Dardanisë në opozitë do t’i përkrahë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë rrethanash do të pranonit të hyni në koalicionin qeverisës, nëse ju bëhet një ofertë e këtillë?

NEXHAT DACI
Unë kam deklaruar se Lidhja Demokratike e Dardanisë nuk është në ‘sale’, nuk është në zbritje, edhe pse është koha e zbritjeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, sepse, për nga përbërja, besoj se do të jemi grupi parlamentar më i fuqishëm në aspektin profesional, kombëtar dhe politik dhe do të sillemi në mënyrë shumë të dinjitetshme. Prandaj, Lidhja Demokratike e Dardanisë është e hapur, nuk ka animozitete ose urrejtje ose dashuri për asnjë parti. Respektojmë të gjitha partitë parlamentare. Nuk do të refuzojmë nëse vjen ndonjë ofertë, nga asnjë formulë. Unë mendoj se nuk është gjetur ende formula e saktë e qeverisjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, partia juaj ka lindur nga përplasjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, posaçërisht midis jush dhe presidentit Fatmir Sejdiu. Si do të reflektoheshin raportet midis jush në koalicionin qeverisës, pra nëse vendoset për përfshirjen tuaj?

NEXHAT DACI
Unë besoj se kam kapacitet të madh të tolerancës, nuk e mbaj në mend të keqen. Nuk dua ta lodh kujtesën time dhe veprimet e mija. Gjithmonë kam deklaruar se mbaj një shpirt të pastër dhe në interes të proceseve dhe në interes të shtëpisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë do të kem korrektësi të fuqishme dhe do ta demonstroj atë edhe publikisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërtimi i koalicionit qeverisës tash varet edhe nga balotazhi për kryetarë komunash dhe kjo ka ngritur shqetësime se institucionet e reja nuk do të mund të krijohen para 10 dhjetorit. Cilat do të ishin pasojat në këtë drejtim?

NEXHAT DACI
Unë besoj se dy partitë më të mëdha duhet të ngritën mbi interesat shtëpiake të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Do të ishte mirë që të dalin me formulat e tyre, sepse sigurisht i kanë të krijuara formulat e qeverisjes dhe ta lënë qytetarin e lirë, që në balotazh ta shprehë vullnetin se për cilin kandidat është; të mos ngjajë një sforcim psikik dhe psikologjik mbi anëtarësinë nëpër komuna, por të dominojë interesi i statusit të Kosovës, interesi i zgjidhjeve parimore; Lidhja Demokratike e Dardanisë është e gatshme të ndihmojë në atë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se institucionet e reja duhet ta shpallin pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit, të tjerët mendojnë se duhet pritur për sinjalin e bashkësisë ndërkombëtare. Ju, çfarë mendoni?

NEXHAT DACI
Unë mendoj se edhe njëra skajshmëri, edhe tjetra është shumë e dëmshme. Shpallja menjëherë është demonstrim i muskujve që nuk i kemi, as politikë, as materialë, as shtetërorë, as të madhësisë së kombit ose të shtetit. E dyta, pritja e sinjaleve do të thoshte mbetja në robëri përgjithmonë, sepse çdo shtet që ka traditë demokratike dhe që është i madh dhe mik, ai do të testojë gatishmërinë e demonstrimit të kapacitetit tonë për formimin e shtetit. Mjerisht, ne nuk e kemi demonstruar këtë, dy vjetët e fundit, në masën që kanë pritur edhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Unë objektivisht pres që kjo të arrihet më në fund në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, në pjesën e hershme. Jam i gatshëm t’i jap sqarime anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, pse në Lidhjen Demokratike të Dardanisë nuk ngutet. Dhe, jam i gatshëm ta mbroj para faktorit ndërkombëtar hapin që do ta ndërmerrnin, nëse tentohet që të prolongohet pa kufi. Duhet pritur, sepse nuk është formuar unitet në Evropë, unitet i fuqishëm, sepse një unitet është formuar. Unë mendoj se ende ka hapësirë në mes mikut tonë, numër një në botë, SHBA-ve, që t’i lihet kohë, që në politikën globale të tyre ndaj Lindjes, në veçanti me Rusinë, ta vlerësojnë. Ne nuk e shfrytëzuam sa duhet një moment që ishte gjatë verës, vizita e presidentit Bush. Në Kosovë, lidershipi aktual nuk kishte sens që të lëvizë në një kah, në një drejtim, bile të provës, të demonstrimit të diçkaje. Kjo është arsyeja kryesore pse unë jam i gatshëm dhe i them anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, se më e rëndësishme për Lidhjen Demokratike të Dardanisë është cilësia e pavarësisë, cilësia e statusit, sesa ‘time-ing-u’, a do të ngjajë në dhjetor, në shkurt apo në mars.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG