Ndërlidhjet

logo-print

BALOTAZHI PËRBALLË SHTYRJES SË KOALICIONIT QEVERITAR


Albana Isufi

Balotazhi për kryetarë të komunave, sipas analistëve, mund të rrezikojë krijimin e koalicionit qeverisës para 10 dhjetorit, datë kjo që konsiderohet si vendimtare, meqë përfundon procesi negociator për statusin. Ndërkohë, subjektet politike që kanë fituar më shumë vota në zgjedhjet e 17 nëntorit, PDK-ja dhe LDK-ja preferojnë të presin rezultatet përfundimtare të KQZ-së, para se të deklarohen për koalicionet eventuale. Megjithatë, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, mendon se krijimi i koalicionit qeverisës në nivel qendror nuk do të ketë ndikim në koalicionet e nivelit lokal. “PDK-ja është shumë komode në rezultatin e vet zgjedhor, edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal, ku udhëheq bindshëm me shumicën dërrmuese të komunave dhe mendojmë se do t’i fitojmë. Për ndërtimin e koalicioneve, mendoj se ne do të kemi politika programore më shumë, sesa varshmëri të njërit pushtet me tjetrin. Dhe, mbi të gjitha, duhet të them se tanimë kemi pëlqimin e komuniteteve jo shumicë për pjesëmarrje në qeveri”, tha Kuçi. Në anën tjetër, zyrtarë të LDK-së, që është renditur e dyta pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, thonë se është shumë herët të paragjykohet cilido koalicion. Analistë të ndryshëm konsiderojnë se nëse do ketë ndonjë koalicion në nivel qendror mes PDK-së dhe LDK-së, atëherë i njëjti do të duhej bërë edhe në atë lokal. Zëdhënësi Vehbi Miftari thotë se të gjitha këto janë diskutime hipotetike dhe se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar të partisë. “Duhet të presim certifikimin e zgjedhjeve, sepse nuk mund të paragjykojmë se cilat do të ishin hapat tonë; varet shumë nga rezultatet, që dalin nga këto zgjedhje. Mendoj se koalicioni (PDK-LDK) nuk mund të mbështetet as hipotetikisht tash, sepse është tepër herët. Duhet të shihen rezultatet dhe pozicionet e subjekteve politike, jo vetëm tonat, dhe pastaj, varësisht nga reagimet që subjektet mund të kenë, do t’i shohim edhe veprimet tona”, tha Miftari. Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, thotë se një koalicion i mundshëm mes LDK-së dhe PDK-së do të kishte ndikim shumë të madh në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, që mbahet më 8 tetor. “Subjektet politike kanë preferenca të ndryshme lidhur me koalicionin, disa preferojnë që të ketë përpara, disa të tjerë pas balotazhit. Por, nëse ndodh një gjë e tillë, nëse bëhet koalicioni PDK-LDK, kjo nënkupton se në një numër të caktuar komunash duhet të tërhiqet kandidati i njërës parti, se përndryshe nuk ka kuptim koalicioni dhe partia e tretë hyn në balotazh me njërin prej kandidatëve”, tha Peci. Kjo sipas tij, do të kishte ndikim të madh edhe në vetë kryeqytet, ku në balotazh janë kandidati i LDK-së, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj nga PDK-ja. Në këtë rast, nëse njëri nga ta tërhiqet, në garë do të hynte kandidati i tretë, që është Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e re. Por, sipas Pecit, kjo do të ketë ndikim negativ te qytetarët. “Edhe këtu qëndron problemi, sepse partitë mund të bëjnë koalicion sa i përket qeverive komunale, por nuk mendoj se koalicioni paraprak para balotazhit do të shprehet edhe te popullata, pasi që elektorati mund ta ketë mendimin e vet”, u shpreh Peci. Meqë deri tash nuk ka marrëveshje për koalicion qeveritar, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë qendror, sipas analistëve, balotazhi do ta shtyjë krijimin e qeverisë. Vehbi Miftari konsideron se pesha e bërjes së institucioneve të reja bie mbi partinë fituese. “Në çështjen e koalicioneve duhet të priten rezultate dhe oferta duhet të vijë prej atyre që dalin fitues në këto zgjedhje”, theksoi Miftari. Në anën tjetër, Hajredin Kuçi thotë se PDK-ja pret rezultatet zyrtare, ndërsa ekskluziviteti për krijimin e koalicioneve i takon kreut të PDK-së, Hashim Thaçit. Sidoqoftë, analisti Lulzim Peci mendon se është më mirë të pritet që të kalojnë zgjedhjet lokale, e më pas të krijohet koalicioni qendror, sesa të ngutet e të krijohen institucione joefikase. “Nuk mendoj se jemi në nguti të madhe për këtë punë, nuk presim që do të ketë mrekulli pas 10 dhjetorit. Kështu që kjo punë mund të zgjasë edhe pas 10 dhjetorit”, tha Peci. Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve pritet të bëhet më 4 dhjetor, që nënkupton se subjektet politike kanë katër ditë kohë deri në raundin e dytë, për të krijuar koalicione për nivelin lokal.

XS
SM
MD
LG