Ndërlidhjet

logo-print

ÇKA PRODHON DHUNA NËPËR SHKOLLA?


Nadie Ahmeti

Rasti i fundit i dhunës, që një arsimtar ka ushtruar ndaj disa nxënësve të një klase në shkollën fillore ‘Gjergj Fishta’, në Prishtinë, ka nxitur debate nga më të ndryshmet. Sipas Fondit Ndërkombëtar për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, rastet e tilla janë të shpeshta. Arbena Kuriu, nga ky fond, pohon se dhuna në shkollat kosovare është e pranishme në masë të madhe në të gjitha format, qoftë fizike, psikike apo edhe seksuale. Kuriu thotë se format e dhunës përdoren në bazë të moshës dhe gjinisë. “Në moshën më të vogël, fëmijët raportojnë më tepër lloje të ndryshme të dhunës fizike, ndërkaq të rriturit në shkollën e mesme raportojnë dhunë psikike. Djemtë zakonisht i ekspozohen më shumë dhunës fizike, ndërkaq vajzat dhunës psikike”, thotë Kuriu. Ndryshe, sipas psikologëve, përdormi i dhunës nëpër shkolla vazhdon të krijojë fëmijë të dhunshëm, rrjedhimisht edhe shoqëria e ardhshme e Kosovës mund të jetë e dhunshme. Psikologu Arbër Murseli pohon se ushtrimi i dhunës në fëmijëri ndikon drejtpërdrejt në krijimin e personalitetit të tij. “Dhuna do të sjellë një shoqëri të dhunshme, sepse sjellja përcillet prej një sjelljeje në tjetrën. Tendenca që ai të krijohet një personalitet i dhunshëm, është shumë e madhe, mbi 50 për qind”, thekson Murseli. Arsyeja e përdorimit të dhunës nëpër shkolla, sipas tij, është mospërfshirja e psikologëve nëpër shkolla dhe gjendja e rëndë ekonomike e mësimdhënësve, pasi, shtoni ai, arsimtarët zemërimin e tyre e shprehin tek nxënësit. “Ekziston një tendosje tek arsimtarët, një trysni që e kanë ndaj kësaj pozite sociale, ku ndodhen ata. Edhe kjo e favorizon, ndoshta edhe e mundëson që ai të jetë më agresiv, duke pasur parasysh që arsimtarët gjenden në një pozitë shumë të keqe sociale”, thotë Murseli. Por, Arbena Kuriu, nga UNICEF-i, pohon se arsye e gjithë kësaj është mosvetëdijesimi i shoqërisë mbi definicionin e dhunës. “Shumë shpesh dhuna normalizohet në shoqëri. Prindërit e pranojnë dhunën ndaj fëmijëve si një lloj mase disiplinore, në rast se fëmijët nuk i kanë bërë detyrat, nëse nuk rrinë urtë... Pra, është niveli i ulët i vetëdijesimit të dhunës”, shprehet Kuriu. Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pohojnë se kjo ministri vazhdimisht angazhohet që dhuna të mos përdoret nëpër shkolla, edhe pse, sipas tyre, kjo dukuri nuk është e pranishme në masë të madhe. Fevzi Berisha, zëvendësministër, tha se përdoruesit e dhunës sanksionohen me ligj. “Në bazë të ligjit që ekziston në MASHT, do të thotë Ligji mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm, është përcaktuar se është i ndaluar përdorimi i dhunës nëpër shkolla. Ndaj këtyre rasteve duhet marrë masa përkatëse”, pohon Berisha. Sidoqoftë, psikologu Arbër Murseli thotë se institucionet përkatëse duhet patjetër të ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj përdoruesve të dhunës, pasi, sipas tij, dhuna e ushtruar në fëmijëri, në rini do të kalojë në depresion. “Do të ndikojë, sepse, zakonisht, këta fëmijë në masë të madhe e krijojnë një personalitet antisocial ose personalitet të mbyllur dhe në rininë e tyre mund të shfaqen shenjat e depresionit deri tek depresioni kronik”, thotë Murseli. Raportimi i rasteve të dhunës në organet e shkollës dhe ato të rendit, sipas psikologëve dhe zyrtarëve të UNICEF-it, është e vetmja mënyrë për parandalimin e dhunës nëpër shkolla.
XS
SM
MD
LG