Ndërlidhjet

PRESIDENTI SEJDIU DEKORON ADMIRALIN ULRICH ME MEDALJEN E ARTË USHTARAKE


Zijadin Gashi

Ndërsa po i kalon ditët e fundit në postin e komandantit të Krahut Jugor të Komandës Ushtarake të NATO-s, admirali amerikan, Harry Ulrich, është dekoruar sot nga presidenti Fatmir Sejdiu me Medaljen e Artë Ushtarake, për kontributin e dhënë për paqen dhe sigurinë në Kosovë. Admirali Ulrich, i cili qëndroi sot në Prishtinë, tha se ndihej i nderuar me këtë medalje. Ndërkaq, presidenti Sejdiu tha se admirali Ulrich e meritonte një medalje të tillë nga Kosova, për të gjithë kontributin e dhënë për paqen dhe stabilitetin e saj. “Në bazë të dispozitave kushtetuese kam vendosur që ta dekoroj admiralin Ulrich për kontributin e jashtëzakonshëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme në Kosovë. Është Medalja e Artë Ushtarake që u ndahet personaliteteve të rralla që kanë dhënë këtë kontribut në Kosovë. Admirali Ulrich është nga njerëzit që me përkushtim të veçantë në gjithë mandatin që ka pasur, ka bërë këtë punë për Kosovën”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkohë që admirali Ulrich tha se ndihej i nderuar me ndarjen e kësaj medaljeje. Ai falënderoi popullin e Kosovës për progresin që ka bërë gjatë dy vjetëve e gjysmë, përderisa ai ishte në krye të Krahut Jugor të NATO-s. “Jam i sigurt kur them se progresi që është bërë, është arritur në kontekst të një kohe gjatë së cilës në Kosovë ka mbretëruar paqja, siguria e stabiliteti. Unë pres që të zgjidhet statusi dhe ta kemi një zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Ulrich. Ai është pritur edhe nga kryeministri Agim Çeku. Kryeministri kosovar tha se aleanca e Kosovës me NATO-n është pjesë e së kaluarës dhe e së ardhmes. Kurse, duke u ndalur në procesin e statusit, kryeministri Çeku i ka sqaruar admiralit amerikan edhe përkushtimin e palës kosovare në bisedimet për statusin, për qasjen konstruktive dhe serioze. Çeku është shprehur i bindur se procesi do të përmbyllet me pavarësinë e Kosovës. Ndryshe, admirali amerikan, Harry Ulrich, ka qëndruar në postin e komandantit të Krahut Jugor të NATO-s për më gjatë se dy vjet. Gjatë mandatit të tij, ai e ka vizituar shumë herë Kosovën dhe trupat e KFOR-it, të cilat kanë mandatin paqeruajtës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG