Ndërlidhjet

DOMONJI: BEOGRADI S'KA VIZION DHE GUXIM TË PËRBALLET ME PROBLEMET E VËRTETA


Pavel DOMONJI, Komiteti i Helsinkit, Novi Sad

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Domonji, si e vlerësoni gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut, e veçanërisht të pakicave në Vojvodinë?

PAVEL DOMONJI
Gjendja është më mirë se'ç ka qenë, por jo edhe aq sa të jemi të kënaqur me të. Ajo që e prish përshtypjen e përgjithshme është se në pjesën më të madhe të opinionit, të drejtat e njeriut kuptohen si një lloj formulari manipulues, i cili i mundëson bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë në punët e brendshme të Serbisë. Problem tjetër janë institucionet e rrënuara, të cilat janë shtyllë e dobët për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Problemi i tretë është elita politike dëshpëruese, e cila është e interesuar vetëm për eksploatimin e pushtetit dhe përfitimeve prej tij. Dhe, në fund e kemi problemin kryesor të Kosovës, i cili i ka lënë në hije të gjitha problemet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Kosovën. A mendoni se plani i Ahtisaarit jep garanca të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë?

PAVEL DOMONJI
Për planin e Ahtisaarit ka vlerësime diametralisht të kundërta. Disa konsiderojnë se ai ofron garanca të mjaftueshme për mbrojtjen e serbëve në Kosovë. Të tjerët më shumë do të donin që ta krejtësisht ta hedhin poshtë planin e Ahtisaarit dhe ta kthejnë në fillim procesin negociator. Por kjo vetëm tregon se klasa politike serbe nuk ka as vizion, as vendosmëri dhe as guxim që të ballafaqohet me problemet e vërteta. Serbët e Kosovës ende janë vetëm instrument të politikës së Beogradit, dhe mendoj se kjo është shumë, shumë e keqe. Plani i Ahtisaarit mund të jetë shumë i mirë, por ç'të duhet nëse serbët në Kosovë shndërrohen në pengj të politikës së Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si janë të drejtat e pakicave në Serbi krahasuar me ato që parashihen me planin e Ahtisaarit?

PAVEL DOMONJI
Shikoni, situata është pak më ndryshe kur Kosova krahasohet me Vojvodinën apo pjesët tjera të Serbisë. Këtu nuk ka konfrontime aq drastike, siç ka patur në Kosovë, dhe thjesht, pozicioni fillestar këtu është shumë më i lartë se atje. Por e gjithë ajo që është thënë për të drejtat e njeriut, vlen edhe për të drejtat e pakicave. Për shembull, nga fundi i muajit shkurt, 2002, u miratua Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave Etnike. Por, deri sot, pra më shumë se 5 vjet, nuk e kemi ligjin, i cili do të rregullonte institucionet kyçe për pakicat, siç janë këshillat kombëtare. Pra, më shumë se 5 vjet presim të miratohet ligji, i cili do të rregullonte mënyrën e zgjedhjes, funksionimit dhe financimit të këshillave kombëtarë, sepse për këtë thjesht nuk ka vullnet politik. Një nga problemet kryesore në Serbi është se ne kemi zotime deklarative për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave, ose për zgjidhjen e konflikteve pa dhunë, por nuk ka vullnet dhe vendosmëri të vërtetë politike që të veprohet në bazë të premtimeve deklarative.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni deklaruar se zgjidhja për ndalimin e shovenizmit në Serbi është që Vojvodina të fitojë statusin e Hong Kongut, ndërsa Kosova të bëhet e pavarur. A mund të shpjegoni se çfarë keni menduar me këtë?

PAVEL DOMONJI
Po, unë e kam bërë një deklaratë të tillë në një konferencë për shtyp. Ishte një deklaratë ironike, pas së cilës pasoi një ortek i vërtetë i akuzave dhe i diskualifikimeve që u thanë për mua. Kjo vetëm flet për shkallën e ulët intelektuale të politikës serbe. Siç e thashë, ajo ishte një ironi, unë vetëm u përpoqa ta ironizoj propozimin e pushtetarëve serbë, të cilët shqiptarëve u ofrojnë atë që shqiptarët kurrsesi nuk e kërkojnë, ndërsa nga ana tjetër, i injorojnë kërkesat e atyre që angazhohen dhe dëshirojnë autonomi thelbësore. Këtu natyrisht mendoj për Vojvodinën.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Domonji, çfarë zhvillimesh pritni për shembull në Vojvodinë, nëqoftëse Kosova njëanshëm e shpall pavarësinë?

PAVEL DOMONJI
Unë mendoj se çështja e pavarësisë së Kosovës është e gozhduar, vetëm është çështje kohe se kur do të bëhet publike. Sidoqoftë, pres që kjo pavarësi të shpallet në vitin 2008, por ky vendim kurrsesi nuk do të mbetet pa pasoja në marrëdhëniet në Vojvodinë. Është reale të supozohet se ato marrëdhënie do të radikalizohen. Zemërimi dhe frustrimi i nacionalistëve serbë, do të shfryhet para së gjithash ndaj aktorëve etnikë, civilë dhe politikë. Kur them aktorët etnikë, i kam parasysh ato bashkësi etnike, të cilat nacionalistëve serbë më së shumti ua përkujtojnë shqiptarët. Përveç numrit të vogël të shqiptarëve në Vojvodinë, këtu bëjnë pjesë edhe ashkalinjtë, romët, egjiptianët dhe goranët.
Kur është fjala për formacionet politike, me siguri që në shënjestër do të jenë ithtarët e autonomisë, të cilët në përfytyrimin e armiqve të Serbisë, janë kundërshtar më i madh se konkurentët etnikë. Në këtë rast, nuk do ta përjashtoja, nëse jo sulmin fizik, atëherë sulmin e fuqishëm verbal kundër atyre organizatave joqeveritare, të cilat në opinon trajtohen si agjentura mercenare dhe tradhtare.

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG