Ndërlidhjet

ANALISTËT: RAUNDI I FUNDIT I NEGOCIATAVE DO TË PËRMBYLLET PA REZULTAT


Albana Isufi

Njohës të së drejtës ndërkombëtare mendojnë se të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit, janë shtjerrë dhe rrjedhimisht as takimi i fundit, që filloi sot, në Baden të Austrisë, nuk do të sjellë asnjë rezultat. Ligjëruesja e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Iliriana Islami, thotë se tani i mbetet bashkësisë ndërkombëtare që ta propozojë zgjidhjen për statusin e Kosovës. “E drejta ndërkombëtare kërkon që të shteren të gjitha mundësitë, që do të thotë të arrihet një konsensus mes palëve. Meqenëse janë shterur të gjitha mundësitë për t’u arritur ky konsensus, tash i mbetet bashkësisë ndërkombëtare që të vendosë se çka do të bëjë. Ma merr mendja se tash i mbetet Treshes që ta bëjë një propozim te Sekretari i Përgjithshëm dhe pastaj përsëri të vendosë bashkësia ndërkombëtare. Përndryshe, tani ka mbetur topi te bashkësia ndërkombëtare”, tha Islami. Ndërkaq, analisti Dukagjin Gorani, njëherësh këshilltar i kreut të PDK-së, Hashim Thaçit, mendon se përfundimi pa rezultat i këtyre negociatave është paraparë që më herët, por, sipas tij, tani i mbetet udhëheqjes kosovare që ta adresojë çështjen e përfundimit të negociatave dhe të statusit. “Forma, përmbajtja dhe orari se kur do të ndodhë diçka e tillë, do të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Mirëpo, patjetër duhet të ndodhë menjëherë pas periudhës së përfundimit të procesit negociator. Unë po llogaris që pas 10 dhjetorit duhet të ndodhë diçka e tillë si akt politik”, theksoi Gorani. Por, në anën tjetër, Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb, pret që Bashkimi Evropian të bëjë presion mbi palën shqiptare, në mënyrë që të pranojë një zgjidhje kompromisi. Nëse nuk ndodh kjo, sipas Veliqit, hapi tjetër mund të jetë shpallja e njëanshme e pavarësisë. “Pasojë e mundshme është njohja e njëanshme e pavarësisë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që do ta komplikonte gjendjen jo vetëm në Kosovë dhe Ballkan, por edhe më gjerë. Dhe, mu për këtë, presim që Këshilli i Sigurimit do ta aprovojë vendimin e duhur dhe që çështja e Kosovës do zgjidhet në një proces legjitim”, tha Veliq. Megjithatë, ligjëruesja e së drejtës ndërkombëtare, Iliriana Islami, mendon se opsioni më real në bazë të së drejtës ndërkombëtare është shpallja e pavarësisë së Kosovës, e cila do të provokonte shtetet e ndryshme për të vepruar karshi këtij akti. “Shpallja e pavarësisë është një nga kriteret kryesore dhe ngacmon në këtë mënyrë vetë shtetet në bashkësinë ndërkombëtare që të veprojnë, për shkak se paraqitet një situatë e re ‘de facto’ në terren dhe prandaj ato duhet të veprojnë në këto raste”, u shpreh Islami. Ndërkohë, ministri për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, ka tërhequr vërejtjen e ndonjë konflikti tjetër në Kosovë, nëse nuk do të ketë zgjidhje kompromisi apo në rast të pavarësisë së Kosovës. Dragan Veliq mbron këtë vijë të zyrtarëve të Beogradit. “Vetë procesi apo ajo që ndodh mund të sjellë pasoja të paparashikuara, të cilat nuk do të jenë në favor të askujt. Por, shpresoj se kjo nuk do të ndodhë“, tha Dragan Veliq. Por, në anën tjetër, Dukagjin Gorani thekson se kërcënimet e Beogradit janë më tepër për të rritur, siç thotë ai, pazarin negociator, meqë nuk ka bazë për deklarata të tilla. Për më tepër, Gorani thotë se kërcënimet e tilla po drejtohen në adresë të gabuar. “Nëse zoti Samarxhiq mendon se me deklarime të tilla do ta frikësojë, kërcënojë apo shqetësojë opinion publik kosovar, ai duhet ta dijë se realisht është duke iu drejtuar një adrese të gabueshme, pasi që adresa e vërtetë për këtë është aleanca veri-atlantike e NATO-s”, pohoi Gorani. Në Baden të Austrisë ka nisur sot raundi i fundit në kuadër të negociatave 120 ditëshe, të ndërmjetësuara nga Treshja negociatore e Grupit të Kontaktit. Më 10 dhjetor pritet që Treshja negociatore të paraqesë një raport mbi këta katër muaj të negociatave para Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

XS
SM
MD
LG