Ndërlidhjet

ÇKA DO TË NDODHË ME PROJEKTIN “KOSOVA C” PAS FORMIMIT TË QEVERISË?


Nadie Ahmeti

Ministria e Energjisë dhe Minierave është duke punuar vazhdimisht në projektin për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’, ndërtimi i të cilit parashihet edhe në Strategjinë e Zhvillimit Energjetik të Kosovës, thonë zyrtarë të kësaj ministrie. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova C’, me kapacitet instalues 2100 megavat, është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë, që kap shifrën deri në 3.5 miliardë dollarë. Ky projekt parasheh edhe zhvillimin e një miniere të re të linjitit për furnizimin e njësive gjeneruese në Sibovc dhe rehabilitimin e disa njësive të termocentralit ekzistues ‘Kosova A’. Sipas strategjisë, ky projekt do të fillojë në vitin 2009 dhe do të mbarojë në vitin 2013. Lorik Haxhiu, menaxher i projektit, tha se Ministria e Energjisë tashmë është duke punuar, duke filluar prej aspekteve teknike deri tek ato ligjore, për kompanitë tashmë të parakualifikuara. Sipas Haxhiut, në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të shpallet edhe kompania fituese për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’. “Është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë. Nevojiten përgatitje shumë të mëdha, pasi që të gjitha aspektet duhet realizuar, pasi këtë kontratë do ta nënshkruajmë për 40 vjetët e ardhshëm”, tha Haxhiu. Por, Ministria e Energjisë deri më tash është udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për të cilën ende nuk dihet nëse do të jetë në koalicionin e ardhshëm qeverisës. Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën tashmë dihet se do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme, thonë se pas formimit të qeverisë, do të rishikohen procedurat e përfunduara nga Ministria e Energjisë, se a janë bërë konform procedurave dhe rregullave të parapara me ligj. Bedri Hamza, nga Partia Demokratike e Kosovës, pohon se nëse këto janë në rregull, atëherë me siguri se edhe kjo parti do t’i përkrahë ato. “Nëse kanë qenë konform rregullave, normalisht se ne do t’i respektojmë, sepse ne e kuptojmë dhe e pranojmë kontinuitetin e institucioneve. Mirëpo, nëse kanë bërë shkelje të procedurave, do të përgjigjen ata që nuk kanë bërë konform procedurave dhe rregullave”, pohoi Hamza. Por, Lorik Haxhiu thotë se pavarësisht se cila parti do ta qeverisë vendin, ky projekt duhet të përkrahet. “Pa marrë parasysh se çfarë do të jetë koalicioni, edhe Partia Demokratike e Kosovës do ta mbështesë këtë projekt. Besoj se është mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe, çdo qeveri e re që mund të formohet, besoj se do ta mbështesë projektin”, thotë Haxhiu. Por, prioritet për Partinë Demokratike të Kosovës është që të rregullohet furnizimi me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, thotë Bedri Hamza, duke shtuar se tashmë është i nevojshëm rehabilitimi i termocentraleve ekzistuese. “E para, është më se e nevojshme që të gjithë konsumatorët, pavarësisht kategorizimit të tyre, të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike, amvisëria, biznesi dhe të gjithë. Në hapat afatshkurtër duhet të koncentrohemi në përmirësimin e menaxhimit të termocentraleve ekzistuese dhe në përmirësimin e punës së këtyre kapaciteteve”, tha Hamza. Ndërkaq, në kohën afatmesme, shton ai, është i nevojshëm shqyrtimi i kapaciteteve të reja prodhuese. “Një prej kapaciteteve të reja prodhuese duhet të jetë edhe projekti ‘Kosova C’. Mirëpo, është diskutabile. Do të thotë, e para, duhet të sigurohet bazë e mirëfilltë, e qëndrueshme juridike, për një diçka të tillë; duhet të shikohet mirë që prej këtij projekti, Kosova dhe ekonomia e Kosovës të nxjerrin maksimumin e mundshëm. Dhe, normalisht, jemi për ngritjen e kapaciteteve të reja”, pohon Hamza. Ndryshe, sipas zyrtarëve aktualë të Ministrisë së Energjisë, pas përfundimit të projektit ‘Kosova C’, Kosova jo vetëm se do të ketë energji të mjaftueshme, por do të jetë në gjendje edhe ta eksportojë atë. Çështja e këtij termocentrali dhe procedurat për ndërtimin e tij kanë qenë tema të vazhdueshme debatesh midis partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë, edhe pse në fushatën parazgjedhore, pothuajse të gjitha subjektet politike patën premtuar 24 orë rrymë dhe termocentral të ri.

XS
SM
MD
LG