Ndërlidhjet

PDK-JA PREMTON QEVERINË PARA 10 DHJETORIT, POR NUK PREZANTON FORMULËN E KOALICIONIT


Zijadin Gashi

Një javë pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve, pesë partitë politike që në bazë të këtij rezultati e kanë kaluar pragun zgjedhor, nuk kanë lëvizur përpara në fillimin e negociatave për qeverinë e ardhshme. Rezultati preliminar i pamundëson një partie të vetme që ta formojë qeverinë, kështu që për të qeverisur, partisë fituese do t’i duhet të formojë një koalicion me subjektet tjera parlamentare. Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, por edhe partitë tjera që e kanë kaluar pragun zgjedhor, preferojnë të presin rezultatin final të zgjedhjeve, para se të vendosin për negociatat për qeverinë e ardhshme. Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se PDK-ja do t’i fillojë negociatat me partitë tjera, duke mos qenë përjashtuese ndaj askujt. Kuçi beson se PDK-ja do ta negociojë shumë shpejt çështjen e koalicionit të ri, në mënyrë që institucionet e reja të formohen para datës 10 dhjetor, kur përmbyllet faza shtesë e negociatave për statusin. “Partia Demokratike e Kosovës është e orientuar që para 10 dhjetorit të jenë të konstituuara të gjitha organet e Kosovës, në kuptimin edhe të Qeverisë, edhe të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që data 10 dhjetor të na zë të përgatitur dhe të koncentruar maksimalisht për statusin final të Kosovës. Ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ta arrijmë këtë objektiv”, thotë Kuçi. Ndërkohë, dy partitë aktualisht në koalicion, LDK-ja dhe AAK-ja, thonë se nuk do ta kenë problem nëse do të mbeten në opozitë. Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, thotë se kjo parti aktualisht nuk e përjashton si mundësi ndonjë koalicion eventual, por as opozitën. “Për sa i përket përfshirjes eventuale të LDK-së në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, kjo varet nga oferta eventuale, nga kualiteti i ofertës që do t’i ofrohej dhe nga analizat politike që Kryesia dhe strukturat tjera politike të LDK-së do t’i bënin, mbi bazën e të cilave do të konkludonin se politikisht është e arsyeshme përfshirja në një qeveri të ardhshme. Nuk kemi ndonjë vijë të kuqe tash për tash, qoftë për sa i përket përfshirjes, qoftë për sa i përket mospërfshirjes në qeverinë e ardhshme”, tha Miftari. Po ashtu, edhe partneri i LDK-së, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas zëdhënësit Besnik Tahiri, ndonëse nuk është përjashtuese ndaj partive tjera, megjithatë nuk e përjashton si mundësi kalimin në opozitë. “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka vija të kuqe. Të gjitha partitë që janë të certifikuara, të regjistruara, për ne janë parti politike që funksionojnë në Kosovë, por, megjithatë, ajo që unë mund të konfirmoj është se ne nuk kemi asnjë problem që të mbetemi edhe në opozitë”, thekson Tahiri. Dy partitë që pas zgjedhjeve dolën si subjekte me ndikim në skenën politike të Kosovës, AKR-ja dhe LDD-ja, tani paraqiten edhe si pjesë e kalkulimeve politike për formulën e mundshme qeverisëse. Në rast se LDK-ja dhe AAK-ja e përjashtojnë veten nga formula e ardhshme qeverisëse, atëherë këto dy subjekte do të mund të ishin partnerët e PDK-së në qeverinë e re. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se deri më tash nuk kishte ndonjë kontakt zyrtar me asnjë parti politike, por AKR-ja, sipas tij, do të hyjë në koalicione eventuale vetëm nëse qeveria e ardhshme do të ndërtohej mbi parimet që garantojnë funksionalitetin e saj. “Ajo që ne do të pranonim të jemi pjesë e ndonjë koalicioni të mundshëm, është që në radhë të parë ai koalicion të jetë parimor dhe të garantojë një qeverisje funksionale. Nuk e përkrahim idenë që vetëm ta kemi një qeveri, e cila nuk do të ishte funksionale, sikurse që edhe mundësinë për të zbatuar pjesët e projektit tonë zgjedhor”, thotë Makolli. Ndërkohë, LDD-ja pret që të kalojë fillimisht edhe raundi i dytë i votimeve për kryetarë të komunave dhe më pas nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në negociata për qeverinë e re. Por, iniciativa për këtë qeveri, sipas zëdhënësit të LDD-së, Lulëzim Zeneli, në çdo rast bie tek partia që i ka fituar zgjedhjet. “Realisht, ne jemi të hapur për cilindo variant. Prandaj, ne, pa paragjykuar se cila formulë mund të jetë, e kemi shprehur hapur se LDD-ja është e hapur karshi një oferte të tillë, pavarësisht se nga kush vjen. Ne jemi të përgatitur që t’i bartim përgjegjësitë tona dhe t’i demonstrojmë ato përgjegjësi si në nivel të pozitës, ashtu edhe të opozitës”, thotë Zeneli. Ndonëse deri më tash nuk ka ndonjë formulë për të cilën partia më e madhe duket të jetë e përcaktuar, në mediat lokale zakonisht përfliten dy formula apo opsione. E para ajo e PDK-së me LDK-në dhe komunitetet, si dhe formula tjetër, ajo e PDK-së me AKR-në, LDD-në dhe komunitetet. Pas konstituimit të Kuvendit, qeveria, sipas Kornizës Kushtetuese, mund të formohet me të paktën 51 për qind të votave në Kuvend. Sidoqoftë, formula e ardhshme qeverisëse, në analiza të shumta shihet e lidhur ngushtë edhe me procesin e statusit, duke besuar se edhe faktori ndërkombëtar do të ketë preferencë një qeveri që do të garantonte stabilitet në Kosovë, në fazën e vendimeve të rëndësishme siç është vendimi për statusin.

XS
SM
MD
LG