Ndërlidhjet

KOSOVA NË UDHËKRYQ ME DËSHTIMIN E BISEDIMEVE NË BADEN


“Daily Telegraph”

Pa një marrëveshje në Baden të Austrisë, Ballkani sërish do të mund të përballet me një konfrontim të ripërtërirë dhe mundësinë e gjakderdhjeve të reja. Tetë vjetë pas intervenimit të NATO-s për ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë, presidenti serb, Boris Tadiç dhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, thonë se pozicionet e tyre janë më të palëkundshme se kurrë më parë.
Megjithëse e pranon se aktualisht Serbia nuk ka të drejta reale mbi Kosovën, presidenti serb vetëm tërheqë vërrejtjen mbi efektet që mund të ketë shpallja e pavarësisë në Kosovë. “Serbët jetojnë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe ata nuk do të jenë të kënaqur me këtë formë të zgjidhjes”, ka thënë zoti Tadiç, duke përmendur mundësinë që konflikti rreth Kosovës të zgjerohet edhe në Bosnjë. Sipas tij, “edhe qëndrimi i Washingtonit, në mbështetje të pavarësisë, ka qenë njëdimensional, sepse ka dështuar të kuptojë kompleksitetin që ekziston në Ballkan”. Për zotin Tadiç, “Kosova nuk është vetëm çështje historike, por edhe funksionale, sepse opinioni publik në Serbi mendon se komuniteti ndërkombëtar nuk e trajton me të drejtë Serbinë”.
Më 14 maj të vitit 1999, forcat serbe kanë hyrë në fshatin Qyshk të Pejës, në vendlindjen e kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, dhe kanë vrarë midis të tjerëve edhe të atin e tij, Hasan Çeku. “Është një rrëfim i tmershëm. Unë vetë jam ushtar dhe e di se një ushtar nuk e vret një civil të paarmatosur 69 vjeç, ” ka thënë kryeministri Çeku, i cili atëbotë ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto ditë, zoti Çeku është duke i shikuar serbët sy më sy, jo nëpërmjet tytës së pushkës, por nëpërmjet tavolinës së negociatave. Por, synimi i tij vazhdon të jetë i pandryshueshëm, pavarësia e Kosovës. Ai thotë se edhe Kosova duhet ta fitojë pavarësinë, ashtu siç e kanë fituar edhe komponentet tjera të Jugosllavisë së dikurshme. “Nën Jugosllavinë ne kemi pasur kufijtë tonë, qeverinë, parlamentin dhe policinë. Madje edhe ekipi futbollistik ka qenë i yni dhe nuk ka pasur fare lidhje me Serbinë. Çdo gjë që kemi pasur, ka thënë zoti Çeku, ka qenë e ndërlidhur me federatën e dikurshme dhe asgjë me Serbinë”.
Washingtoni është i vendosur t’i heqë qafe kundërshtimet e Rusisë dhe të mundësojë pavarësinë e Kosovës, por brenda Bashkimit Evropian ka ende nervozë tek disa vende mbi këtë çështje. Por, zoti Çeku në këtë drejtim është i vendosur, sipas tij “Evropa duhet ta mbyllë këtë çështje të fundit që ka mbetur e hapur në Ballkan, duhet ta përmbyllë këtë pjesën e fundit të mozaikut evropian”.
Në Kosovë ndërkohë, njerëz të maskuar kanë dalë në sipërfaqe duke u zotuar se do të luftojnë sërish nëse Kosova nuk e fiton pavarësinë. Zoti Çeku, nuk i merr ata seriozisht, por megjithatë thotë se është i gatshëm për provokime paramilitare.


XS
SM
MD
LG