Ndërlidhjet

VJENË


Sot në Baden përfundoi takimi i përbashkët treditësh i delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Treshes së Grupit të Kontaktit.
Pas takimeve, në konferencën e përbashkët për shtyp, përfaqësuesit e Treshës thanë se udhëhësesit e Kosovës dhe të Serbisë janë zotuar të shmangin dhunën.
Emisari amerikan Frank Wisner tha se në lojë është paqja në Ballkan, ndërsa diplomati gjerman Wolfang Ishinger tha se shqiptarët dhe serbët duhet t'u përmbahen angazhimeve te tyre per paqe dhe dialog edhe pertej ketyre bisedimeve.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha pas takimit se palët nuk ishin në gjendje të arrijnë marrëveshje.
"Fatkeqësisht nuk ka patur marrëveshje. Pavarësia është fillimi dhe fundi i vizionit tonë për Kosovën" tha Sejdiu. Ai e bëri të qartë se Prishtina nuk do të pajtohet me bisedimet e reja. "Ne konsiderojmë se ky proces është shtjerur", tha Sejdiu pas takimit.
Ai tha se udhëheqesit e Kosovës do ta vazhdojnë agjendën e tyre në koordinim me Bashkësinë Ndërkombëtare, me qellim që të shpallin pavarësinë. "Ne nuk mund ta themi kohën dhe datën e saktë" kur do të shpallet pavarësia, por "kjo do të ndodh shumë shpejtë", tha Sejdiu.
Ngjashëm u prononcua edhe kryetari i PDK-së Hashim Thaçi.
"Ne shprehim keqardhje se Serbia nuk e pa të mundshme të dakordohet me pavarësinë si status final të Kosovës", tha Thaci.
Përfaqesuesit e delegacionit të Kosovës e bënë të qartë se Prishtina asnjëherë nuk ka patur ndërmend të lëkundet nga qëndrimet. "Ne nuk e kemi kërkuar miratimin e Beogradit por partneritetin me Serbinë" tha anëtari i delegacionit Veton Surroi.
Ndërkaq presidenti serb Boris Tadiq tha se Serbia do të "anulojë" çdo vendim të autoriteteve kosovare për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "Do t'i përdorim të gjitha mjetet diplomatike dhe legale për të luftuar një vendim te tillë. Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës" tha Tadiq, duke u zotuar se Beogradi do te përmbahet nga dhuna. Ai tha se Serbia e "njeh vetëm" rezoluten 1244 te Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG