Ndërlidhjet

logo-print

OPERACIONI “SIGURIA E RREPTË” PARASHEH MASAT PËR PAVARËSINË, POR EDHE PËR SHTYRJEN


Zijadin Gashi

Strukturat vendore dhe ato ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë thonë se kanë plane operative për ta mbajtur gjendjen e sigurisë nën kontroll, në çdo rrethanë të mundshme të zhvillimeve, në prag të përfundimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Operacioni ‘Siguria e rreptë’ mund të aplikohet në çdo moment nëse gjendja e sigurisë eventualisht mund të keqësohet, thonë zyrtarët vendorë. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, thotë se ‘Siguria e rreptë’ është një plan operativ që nga dhjetori i vitit 2005 dhe ky plan, sipas tij, garanton një menaxhim të mirë të gjendjes në terren, përfshirë enklavat serbe, në çfarëdo situate të mundshme. “Ne do të ndikojmë që situata të mbetet e qetë. Këto plane janë punuar në bashkëpunim me UNMIK-un dhe KFOR-in, ndërsa në vetvete përmbajnë edhe mënyrat apo konceptet se çka nëse vjen deri te pavarësia, çka nëse jo, e çka nëse do të ketë shtyrje”, tha Elshani. Zotimet e tyre se gjendja e sigurisë do të mbahet nën kontroll i kanë dhënë edhe zyrtarët më të lartë të KFOR-it, pavarësisht se ata nuk parapëlqejnë të lëshohen në detaje të çfarëdo plani që parashohin. Këto ditë, forcat e KFOR-it janë duke bërë disa lëvizje, ku vërehet edhe një përqendrim në pjesën veriore të Kosovës. Mirëpo, zyrtarët e forcës ushtarake të KFOR-it thanë se bëhet fjalë vetëm për lëvizje rutinë, ngjashëm me një lëvizje që javën e kaluar ishte vërejtur me batalionin gjerman, i cili po ashtu kishte kaluar në pjesën veriore. Duke iu referuar ndërrimit të batalionit hungarez me atë amerikan në pjesën veriore të Kosovës që pritet të bëhet nesër, zëdhënësja e KFOR-it, Valerie- Claire Bermond, tha se lëvizje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën. “Batalioni hungarez do të zëvendësohet nesër me atë amerikan. Pra, kjo bëhet vetëm për të treguar se ne përkujdesemi për sigurinë në tërë Kosovën, pra edhe për pjesën veriore”, tha zëdhënësja Valerie - Claire Bermond, duke e përjashtuar mundësinë që lëvizjet e tilla të trupave të KFOR-it kanë të bëjnë me datën 10 dhjetor. Sidoqoftë, ndërsa 10 dhjetori po afrohet, për policinë vendore kjo nënkupton një përqendrim më të madh në aspektet e sigurisë së tërësishme në Kosovë. Zëdhënësi Veton Elshani thotë se përfundimi i bisedimeve për statusin është një indikacion që policia vendore, ajo ndërkombëtare dhe KFOR-i të përqendrohen edhe më shumë në gjendjen e sigurisë. “Ne jemi të vetëdijshëm se gjendemi në një fazë delikate, ku është duke u biseduar për statusin e Kosovës dhe tash thua se ka ardhur deri te përfundimi i atyre bisedimeve dhe varet edhe nga zhvillimet politike, nga zhvillimi i situatës, mirëpo, atë që ne mund ta themi është se Shërbimi Policor i Kosovës, bashkë me Policinë e UNMIK-ut dhe KFOR-in, janë këtu që të garantojnë klimë të sigurt në mbarë territorin e Kosovës”, tha Elshani. Për veprime të përbashkëta në secilën situatë të mundshme janë deklaruar dhe krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, shefi i UNMIK-ut, komandanti i KFOR-it dhe kryeministri i Kosovës, gjatë takimeve të tyre të rregullta trepalëshe.
XS
SM
MD
LG