Ndërlidhjet

logo-print

A DO TË DËSHTOJË STRATEGJIA DHE PLANI ZHVILLIMOR I KOSOVËS?


Nadie Ahmeti

Ende nuk dihet se kur do të përfundojë dhe të dalë për miratim në Kuvendin e Kosovës Strategjia dhe Plani Zhvillimor i Kosovës për vitin 2007-2013, edhe pse autoritetet janë zotuar se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt. Kjo strategji, me një vendim të Qeverisë së Kosovës, në fund të vitit të kaluar, ka kaluar në mbikëqyrje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, për shkak të disa vërejtjeve në punën e sekretariatit, tashmë të shuar, i cili ka hartuar strategjinë. Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, thotë se strategjia ende nuk ka përfunduar, por punët intensive rreth saj nuk mungojnë, pavarësisht ndryshimeve në skenën politike që kanë ndodhur pas zgjedhjeve të 17 nëntorit. “Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës, në njëfarë aspekti, mund ta quajmë të përfunduar si koncept, mirëpo, faktikisht, e përfunduar totalisht nuk është. Por, besoj se shumë shpejt do të përfundojë”, tha Shahini. Edhe pse nuk dihet se kur do të përfundojë strategjia, dihet se kjo strategji ka mbetur të miratohet pas formimit të qeverisë së re. Ministria e Ekonomisë dhe Financave, e cila po e punon këtë strategji, është udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk dihet se a do të jetë në koalicionin e ardhshëm qeverisës. Ndërkaq, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët tashmë dihet se do ta udhëheqin qeverinë e ardhshme, pohojnë se kjo strategji do të rishikohet edhe një herë nga ekspertë të kësaj partie, në mënyrë që të dalë për miratim në Kuvendin e Kosovës. Kështu thotë Vlora Çitaku, nga Partia Demokratike e Kosovës. “PDK-ja, si forca e parë politike, me formimin e institucioneve të reja, me formimin e parlamentit dhe të qeverisë, do të shqyrtojë çdo dokument dhe çdo strategji, që t’i bëjë ato të përputhshme me platformën tonë zgjedhore, e cila e nxori PDK-në fitimtare në zgjedhjet e 17 nëntorit”, tha Çitaku. Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se edhe kjo strategji do ta ketë fatin e dy strategjive të mëparshme, të cilat kanë dështuar. Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Prishtinë, pohon se vetë fakti që kjo strategji nuk ka dalë për dëgjim publik dhe që një vit nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës për miratim, tregon se është e dështuar. Limani thotë se ky dokument nuk ka qasje shkencore, por është punuar vetëm në bazë të disa citateve të raporteve të organizatave ndërkombëtare. “Kjo mund të jetë kontinuitet dhe qeveria e re mund ta trashëgojë atë, ose të bartet. Mirëpo, unë mendoj se nga ajo që deri më tani nuk ka dalë dhe qeveria që nuk e ka porositur, nuk e aprovon. Për mua me të vërtetë është strategji e dështuar”, u shpreh Limani. Ndryshe, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, kjo strategji do të funksionojë dhe si e tillë do të prezantohet edhe në konferencën e donatorëve, e cila thuhet se do të mbahet pas zgjidhjes së statusit final. Por, eksperti Musa Limani pohon se do të ishte dështimi më i madh, nëse ky dokument paraqitet në konferencën e donatorëve, pasi, sipas tij, kjo strategji nuk josh investitorët e huaj. “Në qoftë se ata e prezantojnë para donatorëve, unë mendoj se është plotësisht e gabuar, sepse një strategji e tillë duhet ta marrë vizën nga recensentët dhe institucionet shkencore duhet ta bëjnë recensionin. Dhe, institucionet tona, qeveria apo ndonjë institucion tjetër që e autorizon qeveria, duhet ta aprovojnë një strategji të tillë dhe pastaj të dilet para donatorëve”, theksoi Limani. Për hartimin e kësaj strategjie, deri më tash janë shpenzuar 750 mijë euro, 400 mijë prej të cilave i ka siguruar Qeveria e Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër është siguruar nga donatorët.



XS
SM
MD
LG