Ndërlidhjet

SIMBOLET E KOSOVËS NË PRITJE TË STATUSIT


Albana Isufi

Si edhe çdo vit tjetër, edhe sot në Kosovë po shënohet Dita e Flamurit dhe e themelimit të shtetit shqiptar. Por, derisa në rrugët e Prishtinës valon flamuri shqiptar, shumë mendojnë se vitin e ardhshëm atij do t’i shtohet edhe flamuri i ri i Kosovës, i cili, bashkë me stemën dhe himnin, pritet të miratohen në javët apo muajt e ardhshëm nga ana e Kuvendit të Kosovës. Këto simbole të reja të Kosovës ende nuk janë përzgjedhur, megjithëse grupi punues për simbolet ka bërë klasifikimin fillestar qysh në muajin gusht nga mijëra aplikacione, sa janë dërguar në adresë të tyre. Anëtarja e këtij grupi, Nekibe Kelmendi, mendon se pengesa në përzgjedhjen e simboleve qëndron te moszgjidhja e statusit të Kosovës dhe mungesa e Kushtetutës. “Së pari duhet të miratohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e më pastaj duhet të miratohen ligjet. Kurrsesi nuk mund të miratohen ligjet para Kushtetutës, sepse ato ligje duhet të kenë një bazë juridike, e baza e tyre juridike është akti më i lartë i Republikës së Kosovës, siç është Kushtetuta e Kosovës. Dhe, pas nxjerrjes së Kushtetutës së Kosovës, njëkohësisht shpallet edhe pavarësia, por edhe ligjet do të jenë të gatshme dhe menjëherë do të miratohen. Kështu që këtu nuk do të ketë vakuum e as vonesë”, tha Kelmendi. Por, publicisti kosovar Migjen Kelmendi mendon se kjo renditje e veprimeve është e gabuar dhe simbolet nuk do të duhej të kishin ndërlidhje me çështjen e statusit. Ai thekson se zvarritja e përzgjedhjes së simboleve ka të bëjë me paqartësinë e liderëve kosovarë se çfarë shteti duan të krijojnë. “Ende po them se ideja e një Kosove shtet, ideja e një Kosove evropiane, nuk është projekt politik i definuar, i qartë, i reprezentëve tanë politikë. Pos Ibrahim Rugovës, të gjithë politikanët tjerë ende diku thellë e ushqejnë ambicien për një unifikim, konfederatë, çfarëdo qoftë, me shtetin shqiptar”, tha Migjen Kelmendi. Nekibe Kelmendi thotë se është çështje e natyrshme që shqiptarët e Kosovës ta festojnë edhe më tej 28 Nëntorin, madje edhe pasi të jenë zgjedhur simbolet e Kosovës. “Nuk do të thotë se për festat e Nëntorit nuk do të përdoret flamuri kombëtar, sepse ai flamur mund të përdoret edhe pasi të sillet ligji për flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës”, theksoi Nekibe Kelmendi. Sidoqoftë, zyrtarë të grupit punues për simbolet, vonesën e deritashme të miratimit të simboleve e arsyetojnë me faktin se institucionet nuk kanë mundur ta nxjerrin ligjin për simbolet. Nekibe Kelmendi thotë se po të behej kjo, ligjit do të mund t’i vihej veto nga ana e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm. “Nuk është kryer deri tash, sepse nuk është zgjidhur statusi përfundimtar dhe çdo ligj që do të mund të sillej lidhur me simbolet, do të mund të ishte një lloj prejudikimi dhe kemi pasur drojën se atë do ta stoponte PSSP-ja”, tha Nekibe Kelmendi. Shefi i UNMIK-ut ka rekomanduar, kohë më parë, se ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit, përfshirë këtu edhe ligjin për simbolet, të mos miratohen tani, por në periudhën e tranzicionit, pasi që të jetë zgjidhur statusi i Kosovës. Sido që të jetë, analistët tërheqin vërejtjen se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk duhet ta gjejë Kosovën pa simbole, që do ta identifikonin atë si shtet.

XS
SM
MD
LG