Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR BISEDIMET E DËSHTUARA NË BADEN


Dy vjetë negociatash për zgjidhjen e statusit të Kosovës përfunduan me dështim, me komunitetin ndërkombëtar duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes në këtë rajon të brishtë dhe me washingtonin, i cili ka nënvizuar se shtetësia e Kosovës do të vendoset së shpejti, pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër i Serbisë dhe Rusisë. Kështu shkruan në numrin e sotëm e përditshmja “The Guardian”, duke rikujtuar megjithatë se dështimi nuk ka qenë i befasishëm. Por, shkruan gazeta, fundi i këtyre bisedimeve ka hapur një rrugë të rrezikut të lartë, të dominuar nga konfrontimi serbo-shqiptar, që mund të përshkallëzojë në dhunë dhe të sforcojë hendekun midis Rusisë dhe Perëndimit. Dhe derisa Kosova përgatitet të shpallë pavarësinë e koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, Serbia po përgatitë “planin aksional” për ta penguar këtë pavarësi, me bllokada të ndryshme, mbyllje kufijsh, hakmarrje kundër vendeve që e njohin shtetësinë e Kosovës dhe me pamje në ekranet televizive me serbë të Kosovës të shndërruar në refugjatë, shkruan “Guardian”.
E përditshmja tjetër “Independent” shkruan se të gjitha palët e përfshira në bisedimet e Badenit janë ngutur të thonë se përjashtohet mundësia e çdo lëvizjeje që mund të çojë në dhunë, por megjithtë ka shqetësime se Ballkani sërish është i kërcënuar. Edhe kjo gazetë shkruan se dështimi i bisedimeve nuk ka qenë fare i befasishëm dhe përkundër zotimeve për të shmangur dhunën, udhëheqësit serbë nuk e kanë fshehur zemërimin e tyre, duke premtuar se do të shfrytëzojnë masat ligjore për të shmangur shpalljen e pavarësisë. Një nga hapat e mundshëm të autoriteteve serbe në këtë drejtim është ndalimi i eksportit të energjisë në Kosovë, por, nuk ka ndonjë mënyrë që këto veprime të mos e prekin pakicën serbe e cila jeton në Kosovë, shkruan “Independent”.
”Washington Times” shkruan për 500 trupat shtesë që Gjermania do t’i dërgojë në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, për të siguruar stabilitet pas dështimit të bisedimeve në Baden të Austrisë. Gazeta shkruan se Kosova pritet ta shpallë pavarësinë në tre muajt e ardhshëm. “Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm planin e Martti Ahtisaarit dhe e konsiderojnë pavarësinë e plotë me mbikqyrje ndërkombëtare sit ë vetmin opsion”, citon Washington Times zëdhënësen e Departamentit Amerikan të Shtetit, Nicole Thompson. Ajo gjithashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara, megjithatë ftojnë të dyja palët që të përmbahen nga deklaratat që mund të dëmtojnë stabilitetin në rajon.
“Nëse Kosova shpallë pavarësinë në muajt e ardhshëm, pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian së bashku me Shtetet e Bashkuara do ta njohin atë në gjashtë muajt e pare”, thotë James Lyon, nga Grupi Ndërkombëtar I Krizave. Edhe pse nuk mund të përjashtohet si opsion, zoti Lyon megjithatë nuk mendon se Serbia do të bëjë ndërhyrje ushtarake.
”Në këtë fazë, nuk duket se Serbia do të intervenojë; mbase do të ketë përgjigje intensive diplomatike, por jo një përgjigje të armatosur”, citon në fund zotin Lyon e përditshmja “Washington Times”.



XS
SM
MD
LG