Ndërlidhjet

NUMËRIMIN E VOTAVE MUND TA VONOJNË ANKESAT E PARTIVE POLITIKE


Nadie Ahmeti

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 nëntorit pritet të shpallen në fund të kësaj jave apo në fillim të javës tjetër, thonë zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor. Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ruecker, ka njoftuar se më 4 dhjetor do t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve, ndërkohë që sipas Kornizës Kushtetuese, brenda 30 ditësh, pas certifikimit, duhet mbajtur seanca konstituive e Kuvendit. Arianit Osmani, zëdhënës në Komisionin Qendror Zgjedhor, thotë se është duke vazhduar numërimi i votave që kanë arritur me postë dhe me kusht. Kështu që ai shpreson se më së largu deri në fillim të javës së ardhshme, do të shpallen rezultat përfundimtare. “Rezultatet përfundimtare do të shpallen sapo të përfundojë numërimi. Numërimi po vazhdon, është duke u numëruar kontingjenti i votave që kanë ardhur me postë dhe i atyre me kusht, që kanë kaluar në një proces të verifikimit, i cili ka qenë shumë i ngadalshëm. Prandaj, ka edhe një vonesë të vogël në numërim, por ne shpresojmë se në fund të javës, eventualisht në fillim të javës së ardhshme, t’i kemi rezultatet përfundimtare”, tha Osmani. Vonesa e shpalljes së rezultateve përfundimtare, të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit, do të ndikojë edhe në shtyrjen e themelimit të institucioneve të reja, thonë ekspertë të drejtësisë. Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës, thotë se nëse shpallja e rezultateve do të ndodhë siç është planifikuar nga KQZ-ja, kjo nuk do të reflektojë që të ketë vonesa në themelimin e qeverisë së re, por, në të kundërtën, thotë ai, do të ketë ndikim të madh. “Është fakt se mund të lëvizin një ditë apo dy, mirëpo nuk do të ketë interferime që mund të ndikojnë në konstituimin e organeve të reja të Qeverisë së Kosovës”, tha Salihu. Një vonesë e mundshme në këtë proces mund të ndodhë vetëm për shkak të ankesave të parashtruara nga partitë politike, për verifikimin e disa kutive të votimit, thotë Arianit Osmani, nga KQZ-ja. “Të gjitha këto po ndikojnë në një numërim më të ngadalësuar, sesa kemi paramenduar. Nuk ka numër të madh të ankesave, por mjafton ky numër i vogël që procesi të ngadalësohet, sepse ne nuk mund të dalim me rezultatet përfundimtare pa e numëruar edhe votën e fundit”, theksoi Osmani. Megjithatë, Ismet Salihu thotë se rezultatet përfundimtare duhet të shpallen sa më shpejt, në mënyrë që sa më shpejt të formohen edhe institucionet e reja dhe mungesa e tyre të mos jetë justifikim për zvarritjen e mëtejme të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Krijimi i qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2001 qe vonuar për më shumë se tre muaj, për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e pushtetit. Edhe më 2004, Qeveria qe formuar më shumë se një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme. “Është interesi i tërë qytetarëve të Kosovës, por edhe më gjerë, që sa më shpejt të konsolidohen organet dhe të fillojë puna. Përndryshe, çdo zvarritje e paarsyeshme mund të reflektojë, për shkak se qeveria dhe parlamenti i ri do të kenë kompetenca për të marrë vendime, që do të jenë vendime kruciale, fundamentale dhe strategjike për statusin e Kosovës”, pohoi Salihu. Ai thotë se formimi i institucioneve të reja duhet të ndodhë shumë shpejt, meqë, në të kundërtën, sipas tij, pasojat do të jenë të mëdha. “Pasojat mund të jenë të shumëfishta, politike, ekonomike, strategjike, të sigurisë së vendit dhe të funksionimit të organeve të pushtetit”, tha Salihu. Ndryshe, sipas rezultateve të pjesshme zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, asnjëri subjekt politik nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të formuar institucionet e reja dhe pa rezultatet përfundimtare nuk mund të llogariten as koalicionet e mundshme qeverisëse.
XS
SM
MD
LG