Ndërlidhjet

SCHEFFER KËRKON PJEKURI POLITIKE NGA KOSOVARËT NË ÇDO SKENAR TË MUNDSHËM


Zijadin Gashi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Scheffer, i ka transmetuar sot lidershipit të Kosovës disa mesazhe të Aleancës Veriatlantike, në këtë periudhë, siç tha ai, shumë të ndjeshme, pas mossuksesit të arritjes së zgjidhjes për statusin e Kosovës, përmes negociatave. Gatishmëria e KFOR-it, përkatësisht NATO-s, që të qëndrojë në Kosovë në çfarëdo situate të mundshme, mesazhet kundër çdo akti të dhunës dhe përgjegjshmëria e liderëve politikë, janë veçuar si porositë kryesore të zotit Scheffer. Këto mesazhe, ai tha se ua ka transmetuar sot liderëve kosovarë në një takim të përbashkët, si dhe liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, në një takim të ndarë, si kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet e 17 nëntorit. “Mesazhi im i parë dhe mendoj edhe më i rëndësishmi, është se KFOR-i është këtu dhe do të qëndrojë këtu me mision, që t’i mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Scheffer. Roli i KFOR-it, shtoi ai, është që pavarësisht vendimeve politike që do të merren për statusin, të garantojë një mjedis të qetë dhe në këtë qëllim, ai tha se KFOR-i do ta ketë pas vetës NATO-n, qoftë nevoja edhe me shtimin e ushtarëve. Mesazhi i dytë i kreut të Aleancës Veriatlantike ishte që të gjithë në Kosovë ta kuptojnë se dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk do të prodhojë asgjë. Ai premtoi se kushdo që me dhunë përpiqet të arrijë diçka, do ta ketë në rrugë KFOR-in. Së treti, Scheffer tha se kishte edhe disa mesazhe për lidershipin e Kosovës. “Kam biseduar me lidershipin e Kosovës dhe mesazhi im për ta ishte se në çdo skenar të mundshëm, është e rëndësishme që ata duhet të tregohen të pjekur dhe të përgjegjshëm”, tha Scheffer. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se nuk mund të thuhet që faza kritike për Kosovën fillon më 10 dhjetor, kur edhe zyrtarisht përmbyllen negociatat. Faza kritike dhe e ndjeshme për Kosovën ka filluar, tha Scheffer. Negociatat po përmbyllen, kurse treni nuk është zënë, e mbase edhe nuk do të arrihet fare, tha ai. Scheffer e bëri të qartë në disa raste se NATO-ja nuk do të përzihet në gjetjen e zgjidhjes, por do të tregohet e vendosur që ta mbajë gjendjen e qetë dhe stabile. Javën e ardhshme, tha ai, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, Kosova do të jetë tema e vetme e diskutimeve. Gjatë konferencës, Scheffer shoqërohej edhe nga komandanti i KFOR-it, Xavier de Marnhac, të cilit ai i ofroi mbështetjen e plotë të NATO-s për çdo situatë të mundshme. Ndërkaq, Marnhac tha se KFOR-i po i bën disa lëvizje rutinë të trupave, siç ishte kalimi i batalionit amerikan në veri të Kosovës, por këto lëvizje, sipas tij, nuk kanë të bëjnë me indikacione se gjendja atje po keqësohet. “Kjo është një lëvizje e zakonshme dhe nuk ka të bëjë me përforcimin e trupave në pjesën veriore të Kosovës”, tha Marnhac. Ndryshe, vizita e sotme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, siç e tha vetë Scheffer, kishte si qëllim kryesor mesazhet që lidershipi i Kosovës dhe qytetarët duhet t’i dinë, se NATO-ja nuk do të tolerojë eskalime dhe situata të palakmueshme, pavarësisht se cila do të jetë zgjidhja për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG