Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"AGRESIVITETI I RUSISË KA UNIFIKUAR BASHKIMIN EVROPIAN RRETH KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për statusin e Kosovës këtë javë përfunduan me dështim. Çfarë do të bëhet tash?

PATRICK MOORE
Ajo që ndodhi me bisedimet nuk është befasi për këdo që di fare pak për këtë rajon. Wolfgang Ishinger paradokohe e bëri të ditur se synimi i bisedimeve ka qenë që t'u bëhet e qartë të gjithëve se janë bërë të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Pra, tash e tutje nuk bëjnë punë lutjet në formën – "ju lutemi na jepni edhe një shtyerje" ose "ju lutemi na ofroni edhe 6 muaj" e të ngjashme. Ishingeri e ka bërë të ditur se të gjitha mundësitë dhe format e mundshme janë eksploatuar. Hapi i ardhshëm duhet të bëhet nga zyrtarët e zgjedhur kosovarë që të ushtrojn vetëvendosjen mbi bazën e të drejtës së pushtetit të shumicës siç kanë bërë gjatë gjysëm shekullit të fundit shumë ish koloni në gjithë botën.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të varet nga fakti nëse Bashkimi Evropian do t'i bashkohet qëndrimit të Shteteve të Bashkuara për Kosovën. A mendoni se pas shumë dështimeve në Ballkan, Bashkimi Evropian do të jetë i aftë për të siguruar minimumin e unitetit në rastin e Kosovës?

PATRICK MOORE
Mendoj se mjaft liderë kombëtar siç janë Angela Merkel, Sarkozi dhe Braun e kuptojn se ka ardhur koha për unitetin e Bashkimit Evropian. Madje edhe vendet siç është Sllovakia kanë ndryshuar qëndrimin dhe nuk do të bllokojnë çështjen. Marti Ahtisaari me të drejtë e tha paradokohe se veprimet agresive të Rusisë kanë bërë që Bashkimi Evropian të jetësoi unitet. Me veprime të tilla presidenti rus Vladimir Putin është duke prodhuar rezultate të kundërta nga ato që i ka dëshiruar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas dështimit të bisedimeve në Austri disa gazeta prestigjioze kanë dalur me parashikimet për mundësinë e konflikteve të reja në Ballkan. Njëkohësisht ish emisari amerikan për Ballkanin Riçard Holbruk ka ftuar për dërgim të forcave shtesë në rajon me qëllim të evitimit të konfliktit. A mendoni se mund të ballafaqohemi me një konflikt të ri në Ballkan?

PATRICK MOORE
Krahas zotit Holbruk edhe një personalitet tjetër, përkatësisht lideri i opozitës në Britaninë e Madhe Dejvid Kamerun ka ngritur të njejtat shqetësime. Ai ka folur për mundësinë e një intervenimi ushtarak të Rusisë dhe të një krize gjatë Krishtlindjeve. Pra kemi të bëjmë me një çështje shumë serioze. Pikërisht për këtë do të dëshiroj të rikujtoi një thënje të romakëve të vjetër që thotë:"Nëse dëshironi paqë, përgatituni për luftë". Rusët dhe serbët respektojnë forcën. Duke ua treguar forcën, Ronald Regani ishte i aftë që në vitet e 80-ta të shkaktoi kollapsin e Bashkimit Sovjetik pa luftë. Dëshmimi i forcës është i domosdoshëm edhe tash. Duket se në vitin 1999 nuk është shfrytëzuar forcë e mjaftueshme e NATO-s dhe duket që ky të ketë qenë një gabim. Gabim është bërë edhe me vendimin e mëvonshëm diplomatik me të cilin Beogradi është ftuar për të biseduar për fatin e Kosovës, në vend që autoriteteve të Serbisë atbotë t'u thuhej: "Ju keni humbur Kosovën në vitin 1999 dhe ky ka qenë fundi".
Tash është koha që bashkësia ndërkombëtare të anuloi këtë gabim diplomatik duke marrë qëndrim të ashpër ndaj Moskës dhe Beogradit.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG