Ndërlidhjet

MOSKË


Sot në Rusi mbahen zgjedhjet parlamentare. Në garë janë 11 parti, por hulumtimet e opinionit sugjerojnë se partia Rusia e Bashkuar e Vladimir Putinit do të fitojë shumicën në Dumën që ka 450 deputetë.
"Jam i disponuar, është disponim festiv. Jam i sigurtë se votuesit janë përcaktuar se do votojnë për njerëzit, të cilëve u besojnë", tha presidenti Putin.
Në zgjedhjet janë raportuar parregullsi. Agjencia e pavarur Golos, e cila i vëzhgon zgjedhjet, tha se ka marrë njoftime se votuesve u është ofruar rryshfet, në vendvotime është bërë fushatë, dhe votuesit nuk kanë pasur fshehtësi gjatë votimit. Partia Komuniste në opozitë gjithashtu tha se ka pasur shkelje të shumta.
"Këto janë zgjedhjet më të vështira, më të ndyra dhe më të papërgjegjshme. Nëqoftëse në kohën e Jelcinit kishte dy mënyra për manipulimin e votave, frikësimi dhe mbushja e kutive, tash kanë dalë me dhjetra mënyra për t'i nxjerrë njerëzit në votime dhe për t'i mashtruar", tha lideri komunist, Genadiy Zyuganov.
Opozita ankohet se partia Rusia e Bashkuar ka përfituar nga lidhjet që ka me Kremlinin.
Lideri i opozitës dhe ish kampioni botëror në shah Gary Kasparov, zgjedhjet i ka cilësuar farsë.
"Ju bëj thirrje të gjithëve që fjalën zgjedhje ta përdorni shumë me kujdes. Njerëzit janë të frikësuar sepse ishte një fushatë e frikës në mbarë Rusinë", tha Kasparov.
Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel ka kritikuar organizimin e zgjedhjeve ruse duke apostrofuar numrin e kufizuar të vëzhguesve që do të jenë të pranishëm.
XS
SM
MD
LG