Ndërlidhjet

KELMENDI:”LDK ENDE NUK KA MARRË OFERTË ZYRTARE NGA PDK”


Nekibe KELMENDI, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, Lidhja Demokratike e Kosovës, për herë të parë që prej themelimit të saj, në zgjedhje u rendit si partia e dytë, në bazë të votave të marra nga elektorati. A keni bërë një analizë të procesit zgjedhor për ta kuptuar vërtet këtë rezultat?

NEKIBE KELMENDI
Po, është e vërtetë se Lidhja Demokratike e Kosovës, për herë të parë, paraqitet me një përqindje kaq të vogël të votave të fituara në zgjedhjet e lira dhe demokratike, pas sa vjetëve, nëse këtu përfshihen edhe dy palë zgjedhje që i kemi pasur para çlirimit të Kosovës, më 1992 dhe më 1998. Mirëpo, ne si Lidhje Demokratike e Kosovës akoma nuk kemi bërë analizë të saktë dhe të thuktë, lidhur me arsyen e këtij rezultati, që unë e konsideroj të dobët, të votave të fituara në këto zgjedhje. Kjo analizë nuk është bërë për faktin se ne presim të përfundojë procesi i balotazhit dhe më pastaj të dalim me një analizë të gjerë dhe eventualisht të merren masa të duhura pas kësaj analize.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh situatën e tanishme politike nëpër të cilën po kalon Kosova për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e saj, cili koalicion i partive politike mendoni se do të ishte më i miri?

NEKIBE KELMENDI
Momenti aktual është moment historik për Kosovën. E them këtë sepse Kosova, për herë të parë, do ta fitojë pavarësinë. Kjo është e pashmangshme. Dhe, duke u nisur nga kjo, secili subjekt politik do ta kishte dëshirën që të ishte në pozitë. Mirëpo, kur është në pyetje lidhja e koalicioneve, nuk mund të paragjykoj se kush me kë do të bëjë koalicion. E të drejtën për të bërë ftesa për koalicion e ka partia që ka fituar më së shumti vota, në rastin konkret Partia Demokratike e Kosovës, prej së cilës Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë kurrë ofertë zyrtare. Mirëpo, edhe sikur të kishte marrë, mendoj se është herët të flitet për koalicione, para se të përfundojë edhe procesi i zgjedhjeve për pushtetin lokal, përkatësisht para se të përfundojë balotazhi në ato komuna ku duhet të mbahet balotazhi, përkatësisht të përsëriten zgjedhjet, sepse në ato komuna dihet se kandidatët për kryetarë të komunave startojnë nga zeroja.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ju bëhet një ftesë nga Partia Demokratike e Kosovës, a do ta pranoni atë apo do të qëndroni në opozitë?

NEKIBE KELMENDI
Unë në këtë pyetje nuk mund të përgjigjem personalisht, sepse kjo është çështje që i përket krijimit të politikave dhe krijimin e politikave e bën Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pastaj Kryesia e LDK-së e ekzekuton atë vendim të Këshillit të Përgjithshëm. Kështu që pritet që kjo të vendoset nga organet udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe, për këtë arsye, unë nuk do ta jap mendimin tim personal, sepse do të ishte ndoshta edhe paragjykim.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa shpejt mendoni se do të formohet qeveria e re?

NEKIBE KELMENDI
Duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendemi, me siguri se duhet të formohet qeveria e re posa të licencohen deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në këtë ndikon edhe procesi apo negocimi për koalicione. Ky është një proces, që, siç e dini, në vitin 2001 ka zgjatur bukur shumë, pati marrë mbi tre muaj. Duke e ditur situatën në të cilën gjendemi, ma merr mendja se të gjitha subjektet që kanë kaluar pragun e 5 përqindëshit, do të jenë të vetëdijshme se duhet të përshpejtohet procesi i themelimit të qeverisë, në mënyrë që Kosova të dalë me një qeveri dhe të mund ta shpallë pavarësinë nga ana e Kuvendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet 120 ditëshe përfunduan. Treshja ndërmjetësuese pritet t’ia dorëzojë një raport Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon. Çka mendoni se do të përmbajë ky raport?

NEKIBE KELMENDI
Të them të drejtën, këto nuk ishin bisedime 120 ditëshe, por janë bisedime gati që dy vjet. Dhe, këto bisedime kanë shkaktuar lodhje mjaft të madhe psikike, jo vetëm pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë që kanë marrë pjesë në ato bisedime, në ato negociata, por edhe neve si popullatë, por edhe si aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe si udhëheqje e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu që nuk ka qenë lehtë, ka qenë sfidë e madhe që të përballohet një kohë kaq e gjatë e bisedimeve. Mendoj se pas 120 ditëve nuk do të ndodhë asgjë tjetër, pos që do t’i shkojë një raport Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, me një konstatim që do të duhej të ishte korrekt, se bisedimet, negociatat kanë dështuar, nuk është arritur marrëveshje midis palëve, për fajin e Serbisë. Kosova ka bërë mjaft lëshime, mjaft kompromise. Kompromisi më i madh është pranimi i pakos së Ahtisaarit. Kosova ka bërë përpjekje që Serbisë t’ia paraqesë edhe vizionin e vet për raportet në të ardhmen, pas pavarësimit të Kosovës, i cili vizion gjithashtu nuk është pranuar nga pala serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jetë e nevojshme që edhe më tej të ekzistojë Ekipi i Unitetit?

NEKIBE KELMENDI
Derisa të përfundojë procesi apo derisa të shpallet pavarësia e Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës, unë mendoj se duhet të ekzistojë Ekipi i Unitetit.
Nuk i dihet; tash kur të shkojë raporti te Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ne nuk mund të paragjykojmë se si do të veprojë ai, si do të veprojë më tutje. Kështu që për mendimin tim, ky ekip duhet ta ketë mandatin, përderisa mandati i tij nuk revokohet nga ai që ia ka dhënë; mandatin ia ka dhënë Kuvendi i Kosovës dhe ai mund t’ia marrë. Mendoj se duhet të vazhdojë derisa të përfundojë procesi i pavarësimit të Kosovës.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG