Ndërlidhjet

logo-print

MOSKË


Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë sot se zgjedhjet parlamentare në Rusi u shoqëruan me mangësi të standardeve demokratike. Shtetet e Bashkuara i ftuan autoritetet t'i hetojnë raportet për shkelje pasi partitë opozitare dhe vëzhguesit e pavarur shprehën dyshime për vjedhje votash. Bashkimi Evropian e kritikoi procesin zgjedhor duke thënë se gjatë fushatës u cënua liria e shprehjes dhe e drejta e tubimit.
"Ne jemi të vetëdijshëm për pretendimet për parregullsitë. Ato duhet të adresohen nga organet përkatëse. Zgjedhjet nuk janë vetëm dita e votimit, por i tërë procesi", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Johannes Laitenberger.
Ministria e Jashtme britanike tha se pretendimet për parregullsi sinjalizojnë se zgjedhjet nuk ishin të drejta dhe të ndershme.
Qeveria gjermane tha se zgjedhjet "nuk ishin të drejta, të barabarta dhe demokratike", dhe u bëri thirrje autoriteteve ruse t'i hetojnë të gjitha ankesat.
Duke i hedhur poshtë kritikat ndërkombëtare, presidenti Vladimir Putin tha se zgjedhjet ishin legjitime, dhe prej tyre Rusia doli edhe më e fortë. "Është absolutisht e qartë se rusët asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi të ndjekë rrugën destruktive, siç ndodhi në disa vende të hapësirave ish sovjetike. Përgjegjësia e qytetarëve për vendin e tyre tregon se vendi ynë po bëhet më i fortë jo vetëm nga ana ekonomike dhe sociale, por edhe në gjendjen e brendshme politike", tha Putin.
Lideri i opozitës ruse Gary Kasparov i ka cilësuar zgjedhjet si "më të ndyrat" në historinë moderne të Rusisë. Duke përmendur shkeljet gjatë votimit, Kasparov tha se "është e kotë të kërkohet e vërteta në gjykatat ruse". "Këto zgjedhje, apo ato që këtu u quajtën zgjedhje, përfundimisht ishin më të pandershmet dhe më të ndyrat në gjithë historinë moderne të Rusisë. Ç'është më e rëndësishmja, autoritetet më as nuk turpërohen. Resurset famëkeqe administrative u përdorën në maksimum", tha Kasparov.
Në zgjedhjet udhëheq partia e Putinit, Rusia e Bashkuar me 64 %, kurse e dyta radhitet Partia Komuniste me 11.7 %. Dalja në zgjedhje ishte 62 %.
Rusia e Bashkuar do ketë më shumë se 300 nga 450 vende në Dumën ruse, shumicë të mjaftueshme për të bërë ndryshime kushtetuese.
XS
SM
MD
LG