Ndërlidhjet

SA KONTRIBUON KOSOVA NË NGROHJEN GLOBALE?


Arton Konushevci

Ndryshimet klimatike në botë shtrijnë ndikimin e tyre edhe në Kosovë, por edhe vetë Kosova, edhe pse vend i vogël, i kontribuon ngrohjes globale. Me këto të dhëna ka dalë sot Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, duke arritur në përfundim se thëngjilli që shihet si një ndër burimet kryesore që do ta ndihmojë zhvillimin e ekonomisë në Kosovë, do të jetë po ashtu një ndër shkaktarët kryesorë të të ashtuquajturit efektit serë apo mbështjellësit përreth rruzullit tokësor. Ky efekt ka shkaktuar ngritjen e temperaturës globale nga 2 gradë celsius në 7, për shkak të gazrave që emetohen në atmosferë. Mutaher Haksukes, eksperti i UNDP-së, thotë se Kosova duhet t’i ndërmarrë disa masa, që të mos ndikojë në ngrohjen globale. “Ne kemi bërë analiza në Kosovë. Edhe pse kemi problem me energji, edhe pse nuk mund të jetojmë në mënyrë normale për shkak të mungesës së energjisë, prapëseprapë kemi emetim të lartë të karbon-dyoksidit për krye banori, si shtetet që janë duke u zhvilluar në mënyrë të vrullshme, si Kina apo si disa shtete të tjera në rajon. Jemi dyfish më shumë se Brazili apo trefishi i Shqipërisë”, thotë Haksukes. Kosova, tash për tash, nuk mund të ketë një ndikim të madh në ngrohjen globale, por, më vonë, po, thotë Luan Shllaku, njohës i ambientit në Kosovë. “Kosova është shumë e vogël; në këtë moment ka një mesatare prej 3 deri në 4 tonë për një kokë banori të CO2-shit, që e emiton, mirëpo këtu nuk futet asnjë pozicion ekstrem. Kosova, me konceptet e saj zhvillimore, shumë shpejt mund të futet si vend që për kokë banori do t’i tejkalojë njëzet tonë, që domethënë se kjo është ajo sasi që e kanë vendet në zhvillim, si SHBA-të dhe një pjesë e madhe e Evropës. Diferenca mes nesh dhe atyre është se ne nuk kemi koncepte për edukim dhe nuk kemi kurrfarë potenciali zhvillimor, apo nuk kemi mjete që do të na lejonin atë luks të reduktimit dhe investimit në teknologjitë më të reja, ndërsa SHBA-të dhe të tjerët e kanë atë luks”, tha Shllaku. Sipas tij, diskutimet duhet të përqendrohen në rrezikun, të cilit i nënshtrohet Kosova sikurse edhe vendet tjera, nga ngrohja globale. “Meqenëse Kosova pretendon të jetë shumë e pasur me minerale dhe në rend të parë me linjit, meqenëse Kosova pretendon të bëhet fuqi eksportuese e energjisë, atëherë gjithsesi Kosova do të futet në konflikt me konceptet e reja zhvillimore dhe të gjitha ato marrëveshje, në të ardhmen, në mënyrë shumë më strikte, do t’i limitojnë, do t’i kufizojnë mundësitë e zhvillimit stihik, pa i marrë parasysh ato parametrat që janë të vendosura në marrëveshjet ndërkombëtare; në rend të parë, këtu e kam fjalën për marrëveshjen e Kyotos dhe të gjitha marrëveshjet e tjera për ndryshime klimatike, të cilat janë duke u zhvilluar këto ditë”, u shpreh Shllaku. Kurse, ministri i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë se që nga viti 2008, Kosova do të merret më shumë me çështjen e ambientit. “Jam i sigurt se Kosova, tani e tutje, nga viti 2008, do të mund të merret me çështje jetike dhe me çështjet siç është mbrojtja e ambientit. Në buxhetin që kemi siguruar, kemi ndarë mjete të konsiderueshme edhe për fushën e mbrojtjes së ambientit”, tha ministri Shatri. Ndryshe, në raportin e publikuar sot, thuhet se Kosova, edhe pse tash për tash nuk merr pjesë aktive në zbatimin e Konventës së OKB-së për ndryshime klimatike, përmes UNMIK-ut është nënshkruese e Traktatit për komunitetin e energjisë për vendet e Evropës Juglindore. Në një cilësi të këtillë, ajo është e obliguar të fillojë me procesin e zbatimit të protokolleve të marrëveshjes se Kyotos, që parasheh reduktimin e emetimit të gazrave në atmosferë.
XS
SM
MD
LG